Trendi i mbylljes së mediave në Ballkanin Perëndimor dhe pasojat

Ballkani Perëndimor, në të cilin vlerësohet se jetojnë rreth 20 milionë banorë, është në rrezik të mbetet pa burime informacioni që i transmetojnë mediat e huaja që nuk ndikohen nga forcat kryesore politike në vendet e rajonit, shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk.

Goditja fillestare u mor me anulimin e donacioneve nga buxheti i ish-USAID-it, ndërsa surpriza e fundit ishte mbyllja e projektit rajonal të Al Jazeera Balkans të Katarit.

Në këtë rrjet mediatik mbi 200 persona i humbën vendet e tyre të punës, ndërsa arsyet konkrete të mbylljes, siç thuhet në deklaratën e rrjetit Al Jazeera, burojnë nga një vendim që është “pjesë e një strategjie më të gjerë për përforcimin e pranisë digjitale dhe për zgjerimin e platformave të reja mediatike”.

USAID (Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar), e cila përmes granteve ndihmoi shumë media të pavarura, nuk ekziston më, Zëri i Amerikës nuk ka transmetuar asgjë që nga muaji mars, Radio Evropa e Lirë ka katër muaj që po lufton për financim, ndërsa menaxhmenti i pronarëve të stacioneve televizive H1 dhe Nova po zëvendësohet.

Këshilltarja e lartë ligjore e ECPMF, Flutura Kusari, paralajmëron se pa media të pavarura, “njerëzit do të jenë më pak të informuar ose të keqinformuar, sepse boshllëkun e mbush përmbajtja e paverifikuar nga mediat sociale dhe burime të tjera të paverifikuara”.

Ajo shtoi se mediat në të gjithë rajonin punojnë në një mjedis të vështirë, duke përfshirë këtu “presione politike, kërcënime fizike dhe online, sulme ligjore, vështirësi financiare dhe kushte të këqija pune”.

“Gazetaria investigative po bëhet gjithnjë e më e rrallë dhe vetë gazetaria nuk konsiderohet më një profesion tërheqës për shkak të rreziqeve me të cilat përballen gazetarët”, theksoi ajo.

Si filloi?

“Orteku” i problemeve për mediat rajonale të pavarura filloi kur Presidenti i SHBA-ve Donald Trump, menjëherë pas marrjes së detyrës në muajin janar, urdhëroi ngrirjen e pjesës më të madhe të ndihmës së jashtme të SHBA-ve.

Kjo vlente edhe për USAID-in, që sipas të dhënave të vitit 2023, ka mbështetur më shumë se 6.200 gazetarë jashtë vendit dhe 707 organizata mediatike në më shumë se 30 vende.

Nuk ka të dhëna të sakta për numrin e mediave që USAID-i i ka ndihmuar në Ballkanin Perëndimor.

Në fillim të muajit korrik kjo agjenci u shpërbë zyrtarisht ndërsa në të ardhmen ndihmën e jashtme të SHBA-ve do ta koordinojë Departamenti i Shtetit.

“Financimi i USAID-it u ka mundësuar gazetarëve të prodhojnë raportime të pavarura dhe të thella dhe u ka mundësuar organizatave mediatike të mbulojnë tema që mediat kryesore shpesh i anashkalojnë, siç janë të drejtat e njeriut, çështjet LGBTI dhe ato për komunitetet minoritare”, tha Kusari.

Një goditje e re pasoi në muajin mars, kur Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që uli në mënyrë drastike numrin e punonjësve dhe fondeve për shtatë agjenci federale, përfshirë këtu edhe Agjencinë Amerikane për Median Globale (USAGM), e cila, ndër të tjera, mbikëqyr punën e Zërit të Amerikës (VOA) dhe Radios Evropa e Lirë (RFE/RL).

Zëri i Amerikës nuk ka transmetuar përmbajtje që nga muaji mars, ndërsa RFE/RL ka transmetuar, por po njëkohësisht ka edhe një kontest me USAGM në një gjykatë amerikane.

Edhe RFE/RL ka marrë masa drastike për të ulur shpenzimet, si dërgimin e disa punonjësve në pushim pa pagesë dhe ndërprerjen e kontratave me punonjësit e pavarur.

Në të njëjtën kohë, drejtuesit e lartë në United Group, i cili i përfshin stacionet televizive rajonale H1 dhe Nova, në muajin qershor u pushuan nga puna, gjë që i detyroi redaktorët në këto media të shprehin shqetësime në lidhje me ndikimin e mundshëm politik.

United Group ka operacione në: Slloveni, Kroaci, Bosnjë dhe Hercegovinë, Serbi, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Greqi, Bullgari. Kompania është në pronësi të kompanisësë investimeve BS Partners me seli në Londër, e cila e bleu shumicën e aksioneve në United Group në vitin 2019.

Autoritetet serbe, të udhëhequra nga Presidenti Aleksandar Vuçiq, për vite me radhë i kanë etiketuar mediat brenda United Group, ndërsa në fillim të korrikut gazetarët e N1 morën kërcënime me vdekje në redaksinë e tyre.

Për pasojat në Bosnjë dhe Hercegovinë

Drejtori i Qendrës Mediatike të Sarajevës, Boro Kontiq, për Radion Evropa e Lirë tha se është e vështirë të parashikohet se cila do të jetë e ardhmja e mediave në Ballkanin Perëndimor. Ai beson se mbijetesa e mediave të pavarura kërkon angazhimin si të komunitetit mediatik, ashtu edhe të shtetit. Mediat, thekson ai, janë një nga shtyllat e një shoqërie demokratike.

“Është e pamundur të bësh diçka nëse nuk ka një komunitet të fortë mediatik, gazetari profesionale që është kritike dhe që në të vërtetë përfaqëson, në një farë mënyre, zërin e publikut”, tha Kontiq.

Ai paralajmëron se edhe ata që mburren me situatën do ta kuptojnë shpejt se sa katastrofike është për shoqërinë. Me zhdukjen e mediave të mëdha të pavarura, humbet edhe komuniteti mediatik, shton Kontić.

“Me ekzistencën e tyre ju ruani diçka që është normale në çdo shoqëri, që janë zërat kritikë, hulumtimet. Sepse në atë rast, jo të gjithë mund të bëjnë çfarë të duan”, përfundon Kontiq.

Kthimi i shtetit drejt mediave në Serbi dhe në rajon

“Mbyllja e një medieje të mirë dhe cilësore është gjithmonë një humbje për të gjithë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Snezhana Milivojeviq, profesoreshë në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd.

“Përtej atij grupi gazetarësh profesionistë që i po humbasin vendet e tyre të punës, ajo që është një goditje e veçantë për profesionin e gazetarisë këtu, humbja për publikun e gjerë përbën humbjen e një mediumi që ruajti standarde të larta profesionale, kishte një program të larmishëm dhe kontribuoi në pluralizmin e medias”, theksoi ajo.

Profesorja Milivojeviq shpjegon se mediat rajonale në Ballkan në të shumtën e rasteve  u themeluan nga pronarë të huaj, por se rezistenca ishte tepër e madhe.

“Paralelisht me procesin e eksodit të pronarëve të huaj, po ndodh një lloj kthimi i shtetit në media – të paktën në Serbi kjo është e dukshme, përmes Telekomit në pronësi të shtetit dhe një game të tërë kanalesh të tyre, përfshirë këtu edhe disa që e theksojnë atë dimension rajonal”, theksoi ajo.

Ajo thekson se presioni i fortë politik ndaj mediave ka shkaktuar, si të themi, “kolapsimin e sektorit ndërkombëtar të ndihmës për mediat para syve tanë”.

“Mediat që kanë ose ambicie serioze për të informuar rreth situatës në rajon, ose ambicie serioze për të ngritur standardet profesionale, tani janë të bllokuara në hendekun midis presionit të madh politik të autoriteteve vendase dhe mosinteresimit ose mosgatishmërisë së publikut demokratik ndërkombëtar për t’i ndihmuar ata”, theksoi ajo.

Një skenë mediatike dukshëm më ndryshe në Mal të Zi

Ky është një trend shqetësues, tha për Radion Evropa e Lirë Millka Tadiq Mijoviq, drejtoreshë e Qendrës Malazeze për Gazetari Investigative.

“Të gjitha këto media ishin me rëndësi të jashtëzakonshme jo vetëm për ne në Mal të Zi, por edhe për rajonin. Këto janë media ‘trashëgimie’ që, me të vërtetë, kishin rëndësi dhe domethënie të jashtëzakonshme edhe në vitet më të errëta të viteve 1990”, tha ajo.

Tadiq Mijoviq thekson se këto janë media “që kishin një distancë të caktuar nga të gjitha autoritetet në Ballkan, të cilat tradicionalisht duan t’i kontrollojnë dhe kapin mediat”.

“Këto zëra të pavarur ishin shumë të rëndësishëm për ne, domethënës, dhe kam frikë se pas mbylljes së këtyre mediave skena jonë mediatike do të jetë dukshëm më ndryshe”, tha ajo.

Drejtoresha e CIN Montenegro paralajmëron se Ballkani Perëndimor tani po hap hapësirë për “udhëheqësit autoritarë dhe elitat e korruptuara të biznesit për t’i kontrolluar mediat”.

“Nga ana tjetër, në këto vende kemi shërbime publike të pareformuara dhe shumë media tabloide. Edhe një gjë tjetër është një rrezik i madh – kemi rrjete sociale përmes të cilave përhapen jashtëzakonisht shumë dezinformatat, me shpejtësinë e dritës”, shtoi ajo.

Kosova – më keq për sa i përket lirisë së medias

Flutura Kusari paralajmëron se “kryesisht për shkak të veprimeve të qeverisë dhe partisë në pushtet, Vetëvendosja” liria e medias në Kosovë është përkeqësuar.

“Qeveria miratoi një ligj antikushtetues për mediat, i cili më vonë u anulua nga Gjykata Kushtetuese. Gazetarët, mediat dhe aktivistët po përballen me sulme verbale dhe ngacmime të synuara nga politikanë, përfshirë këtu edhe kryeministrin Albin Kurti”, tha ajo.

Ajo thekson se në Kosovë është bërë “pothuajse e pamundur të kesh qasje në dokumente publike”, se transparenca është në nivelin më të ulët historik dhe se partia në pushtet ushtron rregullisht presion mbi rregullatorët dhe këshillat e radiodifuzerëve publik.

Sipas saj Kosova rrezikon të kalojë nga një lider në lirinë e medias në një nga rastet më alarmante të rënies në rajon, nëse qeveria në Prishtinë vazhdon të sillet në këtë mënyrë.

Në raportin e fundit të lirisë së medias të Reporterëve pa Kufij për vitin 2025 Kosova renditet më poshtë në Ballkanin Perëndimor, dhe atë në vendin e 99.

Serbia është tre vende më lartë, Bosnja dhe Hercegovina dhjetë vende më lartë, ndërsa Mali i Zi është më i miri në rajon, në vendin e 37-të.