Raporti i BE-së: Armë për akuza politike në Shkup, jo nxitje për reforma

Raporti i Komisionit Evropian për sundimin e ligjit në raport me Maqedoninë e Veriut nuk ka dhënë vlerësime pozitive. Raporti i KE-së përdoret më shpesh si mjet për akuza të ndërsjella politike, sesa si bazë për krijimin e një konsensusi nacional mbi anëtarësimin në BE dhe reformat e nevojshme. Mungon analiza për gjetjet e raportit dhe definimi i hapave konkrete për t’u përmirësuar dhe për të ecur denjësisht në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Prandaj, njohësit e cështjeve politike dhe eurointegruese në vend ngrenë alarmin se kur bëhet fjalë për sundimin e ligjit, askush nuk dëshiron të ndërmarrë veprime reale, shkruan Portalb.mk.

Raporti i përsërit vërejtjet e vitit të kaluar 

Raporti vjetor vlerëson gjendjen e sundimit të ligjit në të gjitha vendet anëtare të BE-së dhe synon të mbështesë vendet kandidate në përpjekjet e tyre për reforma. Ndryshe nga instrumentet e tjera të sundimit të ligjit, ky instrument përdor kryesisht dialogun si metodë dhe synon të forcojë sundimin e ligjit në vendet anëtare dhe disa vende kandidate. Raporti përqendrohet në katër shtylla kryesore: Sistemet e drejtësisë; Kornizat kundër korrupsionit; Liria dhe pluralizmi i medias; Çështjet institucionale që lidhen me kontrollet dhe balancat.

Ashtu si vitin e kaluar, raporti vëren pavarësinë e pamjaftueshme të gjyqësorit, e cila tani është për shkak të “ndërhyrjes dhe presionit nga organet tjera të shtetit që janë shqetësuese”.

Procedura për shkarkimin e Prokurorit Publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut, vendime të caktuara për emërime, si dhe burimet përgjithësisht të kufizuara financiare dhe njerëzore të gjyqësorit përmenden si zhvillime shqetësuese. 

Përsëritet vlerësimi nga raporti i vitit të kaluar mbi zbatimin e pakënaqshëm të Strategjisë Nacionale Kundër Korrupsionit, si dhe ndikimi negativ i ndryshimeve të vitit 2023 në Kodin Penal, të cilat ndikojnë veçanërisht në ndjekjen penale të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë. Raporti vëren përpjekje në hetimin dhe ndjekjen penale të korrupsionit, por “vonesa në procedurat gjyqësore dhe burimet e kufizuara vazhdojnë të pengojnë krijimin e një regjistri të fortë të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë”.

„Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit është vërejtur gjithashtu për aktivitetin e tij të reduktuar në zbulimin dhe raportimin e rasteve të mundshme të korrupsionit. Ekziston një perceptim i përgjithshëm se ekziston një rrezik i lartë korrupsioni, veçanërisht në fushat e shëndetësisë dhe prokurimit publik, dhe ndikimi politik në luftën kundër korrupsionit konsiderohet shqetësues” thuhet në kumtesën e Institutit për Politika Europiane.

Analistët: Detyra e institucioneve është ta shndërrojnë Raportin në një nxitje konkrete për veprim 

Drejtori ekzekutiv i Institutit “Prespa”, Andrea Stojkovski, në një prononcim për Portalb.mk, tha se në vend që të analizojnë gjetjet dhe të përcaktojnë hapat e ardhshëm, së bashku, qeveria dhe opozita luftojnë vazhdimisht për pikë politike përmes interpretimit selektiv të gjetjeve, duke i mbyllur qytetarët dhe shtetin në një cikël akuzash të vazhdueshme të ashpra dhe duke ndërruar fajin.

Andreja Stojkovski, Instituti "Prespa" Foto: Nga arkivi personal ne ueb
Andreja Stojkovski, Instituti “Prespa” Foto: Nga arkivi personal në ueb

Sipas tij, anëtarësimi në BE, në vend që të jetë projekt shtetëror, po bëhet instrument partiak. 

“Pas publikimit të Raportit të Komisionit Evropian, aktorët politikë dhe institucionet përgjegjëse kanë detyrimin të braktisin retorikën formale dhe të demonstrojnë aftësinë për ndryshime thelbësore dhe sistemike. Ky dokument nuk duhet të mbetet vetëm një raport tjetër në një grumbull raportesh të tjera për nëpunësit civilë dhe qeverinë, ose një mundësi tjetër për grindje ndërpartiake. Përkundrazi, nevojitet një mekanizëm i qartë dhe transparent për kuptimin, pranimin dhe transformimin e tij në një plan veprimi. Me fjalë të tjera, kjo do të thotë konkretizimi i rekomandimeve përmes hapave të kufizuar në kohë, vendosja e llogaridhënies midis institucioneve dhe raportimi i rregullt mbi progresin. Çdo kritikë në raport nuk duhet të kuptohet si qortim, por si një udhërrëfyes. Shumë vende kandidate, të cilat tani janë anëtare të Unionit, e kanë formësuar progresin e tyre pikërisht përmes këtyre raporteve”, theksoi Stojkovski. 

Në të njëjtën kohë, rekomandoi Stojkovski, është e domosdoshme të kthehet eurointegrimi si prioritet, i çliruar nga instrumentalizimi i përditshëm politik.

“Kjo nënkupton hapjen e menjëhershme të procesit të ndryshimeve kushtetuese, siç është përcaktuar nga korniza negociuese, si dhe përfshirjen e opozitës, sektorit civil dhe publikut të ekspertëve në krijimin e konsensusit të reformës. Ky proces nuk mund të ketë sukses nëse mbetet i mbyllur vetëm brenda qarqeve qeveritare. Së fundmi, komunikimi me publikun duhet të jetë i qartë, konsistent dhe i orientuar drejt shpjegimit pse nevojiten ndryshime kushtetuese, nga vijnë ato dhe pse reformat janë të rëndësishme – jo për Brukselin, por për qytetarët tanë. BE-ja nuk është një qëllim në vetvete, por një mjet për një jetë më të mirë. Prandaj, përgjegjësia e udhëheqësve politikë është të tregojnë guxim dhe vizion, ndërsa detyra e institucioneve është ta shndërrojnë Raportin në një nxitje konkrete për veprim, dhe jo në një moment tjetër simbolik që do të harrohet deri në vlerësimin e ardhshëm”, deklaroi Stojkovski.

Bazuar në reagimet e fundit, as analisti Selim Ibraimi nuk është optimist se në një të ardhme të afërt nga qeveria në Shkup do të kemi veprime konkrete. 

Selim Ibraimi, foto nga arkivi personal
Selim Ibraimi, foto nga arkivi personal

“Së pari, Shkupi zyrtarë, për shkak të qëndrimit të ashpër, në çështjen e hapur me Sofjen, nuk do t’i bëjë ndryshimet kushtetuese, dhe së dyti, siç tregoi Raporti i PE-së, Maqedonia e Veriut po përballet me çështje themelore të pazgjidhura në sistemin e saj gjyqësor dhe ndikimin e huaj nga Serbia, Rusia etj. Prandaj, siç e dimë, Shkupi për afro dy dekada ka qenë nën ndikimin e këtyre aktorëve të jashtëm, por pa politika konkrete nga qeveria. Madje ka punuar për të pasur marrëdhënie edhe më të mira me Beogradin ose “botën serbe”. Megjithatë, qeveria, pavarësisht nga qëndrimi i saj, mendoj se në planin afatgjatë nuk do të ndjekë çështjet që PE-ja i ka theksuar tashmë në raport, por edhe në raportet tjera vite më parë. Duket se kur bëhet fjalë për sundimin e ligjit, askush nuk dëshiron të ndërmarrë veprime reale”, tha Ibraimi. 

Drejtoresha e EPI-it, Simonida Kacarska, foto: Vanço Xhambaski
Drejtoresha e EPI-it, Simonida Kacarska, foto: Vanço Xhambaski

Simonida Kacarska, drejtore e Institutit për Politika Evropiane (EPI) për Portalb.mk tha se, tashmë është e qartë se të gjitha çështjet e tjera të vërejtura në raportin e PE-së kanë rënë në plan të dytë në kurriz të çështjeve të identitetit.

“Duke pasur parasysh natyrën afatgjatë të procesit, ne duhet të zhvillojmë kapacitete të brendshme për t’i përdorur këto raporte për ndryshime thelbësore, gjë që shpesh nuk ka ndodhur. Përveç kësaj, të gjithë aktorët politikë duhet të angazhohen për forcimin e mbështetjes për vendin tonë dhe anëtarësimin në BE midis partnerëve të tyre në PE”, porositi Kacarska. 

Ashpërsimi i retorikës Shkup- Sofje le nën hije vlerësimet e Raportit për çështje esenciale si sundimi i ligjit dhe korrupsioni 

Miratimi i Raportit për Maqedoninë e Veriut nga Komiteti i Punëve të Jashtme (AFET) në Parlamentin Evropian ka ngjallur reagime të reja në relacionin Shkup- Sofje. Sofja zyrtare ankohet se amendamentet e tyre janë lënë pas dore, derisa Shkupi zyrtar nuk është i kënaqur me pretendimet e Bullgarisë, e cila përpiqet të krijojë një komb të ri modern maqedonas. 

Tutje, diplomacia bullgare ka reaguar duke i cilësuar akuzat nga Shkupi zyrtar si jashtëzakonisht fyese dhe armiqësore ndaj vendit të tyre. Reagimi i bullgarëve erdhi pas thirrjes së ambasadorit bullgar në Ministrinë e Jashtme të RMV-së ku diplomacia e Maqedonisë së Veriut ia shprehu protestën zyrtare pasi ministri i Jashtëm bullgar Georg Georgiev e quajti kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoskin, kryeministër ”maqedonoverior” 

Tema e identitetit është e betonuar edhe në opinion

“Identiteti ynë ka ndryshuar, nga flamuri te emri, të gjitha këto janë pjesë e vlerave themelore të një identiteti, atribute që përcaktojnë identitetin”, tha kryeministri Hristijan Mickoski në paraqitjen e tij të fundit televizive.

Deklarata erdhi pas raportit të Parlamentit Evropian, i cili u miratua pa referencat për “gjuhën dhe identitetin maqedonas”, për shkak të presionit nga Bullgaria.

Mickoski theksoi se disa figura politike në Bullgari e deklarojnë qartë se ndryshimet kushtetuese nuk janë pengesa e vetme në rrugën e Maqedonisë drejt BE-së.

Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime. 

Kujtojmë se me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.