Tre shtetas të Kosovës që u raportuan mbrëmë të zhdukur, më vonë u gjetën pa shenja jete

Tre shtetas të Republikës së Kosovës, të raportuar më herët si të zhdukur, janë gjetur pa shenja jete në një automjet të përmbysur në rrugën nga Pikëkalimi Kufitar Bllacë drejt Shkupit. Viktimat janë identifikuar si Ejup Tërnava, Cennet Tërnava dhe Fatmire Shabani, të cilët ishin nisur nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit drejt Kosovës, transmeton Portalb.mk.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, automjeti i markës “Mercedes” me targa gjermane u gjet i përmbysur më 19 korrik, rreth orës 22:35. Në vendin e ngjarjes, ekipet policore konstatuan se në automjet ndodheshin tre persona pa shenja jete, ndërsa vdekjen e konfirmoi ekipi i Ndihmës së Shpejtë Mjekësore.

MPB bëri të ditur se më herët, rreth orës 13:40 të së njëjtës ditë, një shtetas i Kosovës kishte raportuar zhdukjen e tyre, ndërsa kontakti i fundit me viktimat ishte regjistruar më 18 korrik, rreth orës 22:15, kur ata ndodheshin në Aeroportin e Shkupit.

Më 19.07.2026, në ora 22:35, në SPB Shkup është raportuar se në rrugën nga Pikëkalimi Kufitar Bllacë drejt Shkupit ndodhet një automjet i përmbysur i markës “Mercedes” me targa gjermane. Menjëherë në vendin e ngjarjes janë dërguar zyrtarë policorë, të cilët kanë konstatuar se në automjet ndodheshin tre persona të vdekur (një mashkull dhe dy femra). Vdekjen e ka konstatuar një mjek nga Ndihma e Shpejtë Mjekësore. Më herët, në ora 13:40, në Stacionin Policor Bit Pazar, një shtetas i Kosovës kishte raportuar se tre persona ishin zhdukur. Kontakti i fundit me ta kishte qenë më 18.07.2026, rreth orës 22:15, kur ata ndodheshin në aeroportin e Shkupit”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Lidhur me këtë tragjedi ka reaguar edhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, i cili u ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave.

“Me dhimbje të thellë mora lajmin për humbjen tragjike të tre shtetasve të Republikës së Kosovës, të cilët humbën jetën në aksidentin e rëndë. Në këto momente të vështira, shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjeve të të ndjerëve, të afërmve dhe miqve të tyre. Ndaj dhimbjen me të gjithë dhe lutem që Zoti t’u japë forcë, durim dhe ngushëllim për ta përballuar këtë humbje të madhe. Qoftë i përhershëm kujtimi për ta dhe u prehshin në paqe”, ka shkruar Iseni.

Autoritetet kompetente po zhvillojnë hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të aksidentit.