Spanja u shpall kampione e botës pasi mposhti Argjentinën

Spanja është shpallur kampione e botës në vitin 2026 pasi ka mposhtur Argjentinën në finalen e madhe të zhvilluar në stadiumin “MetLife” në New Jersey. “La Roja” triumfoi me rezultatin 1-0 falë një goli të Ferran Torres në minutat shtesë, duke i dhënë fund një finaleje dramatike, transmeton Euronews.

90 minutat e kohës së rregullt u mbyllën pa gola, 0-0, por me një dominim të qartë të Spanjës, e cila kontrolloi lojën dhe krijoi më shumë raste për shënim. Heroi i Argjentinës gjatë gjithë sfidës ishte portieri Emiliano Martinez, i cili me pritjet e tij vendimtare mbajti gjallë shpresat e kampiones së Amerikës së Jugut.

Goli i shumëpritur erdhi në minutën e 106-të. Nico Williams fitoi topin dhe dërgoi një krosim të saktë në zonë, ku topi mbeti i lirë brenda 16-metërshit. Ferran Torres reagoi më shpejt se mbrojtja argjentinase dhe me një goditje të fortë dërgoi topin në rrjetë, duke kaluar Spanjën në avantazh 1-0.

Argjentina u përpoq të reagonte në minutat e fundit, por nuk arriti të gjente golin e barazimit, ndërsa Spanja mbrojti avantazhin dhe ngriti trofeun më të rëndësishëm të futbollit botëror.

Spanja dominoi finalen, Martinez mbajti Argjentinën në lojë

Spanja ishte skuadra më kërkuese gjatë gjithë finales. “La Roja” zotëroi 66% të posedimit të topit, kundrejt 34% të Argjentinës, ndërsa regjistroi 14 goditje drejt portës, prej të cilave 9 në kuadrat.

Në krahun tjetër, Argjentina pati vetëm një goditje totale gjatë 90 minutave dhe asnjë tentativë në kuadratin e portës së mbrojtur nga Unai Simón.

Spanja realizoi 569 pasime të sakta nga 633 tentativa, me një saktësi prej 90%, ndërsa Argjentina regjistroi 268 pasime të sakta nga 336 tentativa, me 80% saktësi.

Portieri Emiliano Martínez ishte lojtari më i spikatur për Argjentinën, duke kryer 9 pritje vendimtare, përfshirë disa ndërhyrje spektakolare ndaj Pedrit, Aymeric Laportes dhe Lamine Yamalit.