Trazimi i demonit
Sërish trazohet demoni i urrejtjes ndëretnike, të cilin e kanë ushqyer dhe e ushqejnë elita të ndryshme politike dhe kulturore.
Shpërqendrimi i vëmendjes nga problemet reale në shoqëritë shumetnike, mund të realizohet fare lehtë nëpërmjet këtyre tensioneve të rrezikshme. Mjerisht, këtu tensionet ndëretnike janë bërë sëmundje kronike.
Përgjithësisht, në rajon kemi dy modele kryesore elitash kulturore e politike, që Latinka Peroviqi i emërtoi si “elita mbizotëruese” dhe “elita e padëshiruar”.
Elita e parë nxit ndarje dhe urrejtje ndëretnike, kurse e dyta e promovon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin ndëretnik. E para i sheh dallimet etnike si rrezik, kurse e dyta si pasuri. E para i takon së kaluarës, kurse e dyta së ardhmes.
Në grupin e parë kemi intelektualë e politikanë, të cilët, me deklaratat populiste, nxisin urrejtje ndëretnike. Në grupin e dytë, ndonëse shumë më pak në numër, kemi intelektualë dhe politikanë që e promovojnë bashkëpunimin ndëretnik. Grupimi i parë e ushqen demonin e sipërpërmendur, kurse grupimi i dytë tenton të luftojë të keqen. Në grupin e parë bëjnë pjesë edhe akademikë të vonuar në kohë, kurse në grupin e dytë bëjnë pjesë intelektualë të hapësirës urbane, të cilët vendin e shohin si pjesë të Europës.
Nuk na kushton kurrgjë, qoftë kur flasim për mirëkuptim, qoftë kur flasim me urrejtje. Në rastin e parë ndikojmë që bota, sadopak, të bëhet më e mirë, kurse në rastin e dytë botën e bëjmë më të egër dhe më të padurueshme për të jetuar.
Ideali i Milan Kunderës për Europën ishte: “Diversitet maksimal në hapësirë minimale”. Maqedonia e Veriut është hapësirë minimale me diversitet maksimal, por problem kryesor është provincializmi.
Nëse vazhdojmë me Kunderën, atëherë duhet të përmendim edhe përkufizimin e tij për provincializmin si paaftësi ose refuzim për ta parë kulturën tënde në kontekstin e gjerë. Mjerisht, kjo qasje është shumë e shprehur në Maqedoninë e Veriut, por edhe në rajon.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.