Tranzicioni energjetik do ta çlirojë RMV-në nga qymyri, ajri i ndotur, por edhe nga importi i energjisë elektrike

Zëvendësimi i qymyrit me energji të pastër, sidomos nga dielli që e kemi me bollëk, është një nga angazhimet kryesore drejt të cilave synon vendi ynë në fushën e energjetikës. Tranzicioni i sektorit që konsiderohet si një nga ndotësit më të mëdhenj të ajrit dhe emetues të gazrave serë është një prioritet i caktuar në më shumë dokumente strategjike, me të cilat Maqedonia e Veriut u bashkëngjitet përpjekjeve të Bashkimit Evropian për një kontinent neutral ndaj karbonit deri në vitin 2050, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Përveç heqjes së lëndëve djegëse fosile tranzicioni duhet të ndikojë edhe në zvogëlimin e varësisë nga importi i energjisë elektrike, në përmirësimin e efikasitetit energjetik, në zvogëlimin e ndikimit të ndryshimeve klimatike, në përmirësimin e cilësisë së ajrit, sidomos në mjediset urbane, si dhe në zvogëlimin e varfërisë energjetike.

Tranzicioni i gjelbër energjetik në vend do të nënkuptojë ndryshime rrënjësore veçanërisht për dy rajone, atë të Manastirit dhe Kërçovës, ku janë të vendosura kapacitetet më të mëdha energjetike që përdorin lëndë djegëse fosile. Pak kohë më parë në COP28, Samitin për klimën në Dubai, Maqedonia prezantoi platformën investuese për një tranzicion të drejtë energjetik me qëllim një tranzicion të suksesshëm drejt një ekonomie me nivele të ulëta të karbonit dhe një tranzicion të drejtë të sektorit energjetik. Qëllimi është të ndahen fonde nga institucione financiare ndërkombëtare me të cilat do të zëvendësohet qymyri si burim energjie, do të instalohen 1.7 gigavat energji të ripërtëritshme deri në vitin 2030, do të investohet në rrjet dhe ruajtje për të garantuar sigurinë e furnizimit me energji elektrike dhe do të parashihen masa të drejta kalimtare për t’i mbështetur dy rajonet e prekura nga ky tranzicion.

Fondet për projektet e para janë shpallur përmes Fondit të Investimeve Klimatike, nga i cili janë siguruar 85 milionë dollarë. Cilat dhe çfarë lloj projektesh do të realizohen, sipas Elena Nikollovska nga Eko Svest, duhet të varet nga nevojat e popullatës lokale. Ajo mendon se një nga sfidat më të mëdha në arritjen e tranzicionit energjetik dhe realizimin e projekteve do të jetë komunikimi me popullatën lokale, gjë që është evidente edhe nga planifikimi i deponive rajonale të mbeturinave.

Ajo thekson se konsultimi i popullatës lokale, organizatave lokale dhe ekspertëve, me një përfshirje dhe ndërgjegjësim të plotë të komunës, është i nevojshëm që projektet të mos hasin në rezistencë te popullata. Qytetarëve duhet t’u lihet kohë e mjaftueshme për të kuptuar se çfarë projektesh do të zbatohen në komunitetin e tyre dhe çfarë do të thotë kjo për ta.

“Çdo komunë duhet të ketë një zyrë ku qytetarët do mund të marrin informacion se si të instalojnë panele fotovoltaike në shtëpinë e tyre, sa do të duhet të investojnë dhe nëse dhe nga do të marrin subvencione”. Tranzicioni nuk duhet të jetë një proces i ndërthurur me pengesa, të vazhdueshme, nuk duhet t’i nënshtrohet ryshfetit dhe korrupsionit, ndërsa procedurat duhet të jenë të thjeshta. Politikat e qeverisë duhet t’u mundësojnë amvisërive të instalojnë burime të ripërtëritshme të energjisë me kapacitet që u përshtatet, ta kthejnë energjinë elektrike në sistem dhe të marrin kompensim për të, si edhe kompanitë”, thotë Nikollovska.

Еko Svest dhe ASHAM, me mbështetjen e The Nature Conservancy, realizuan një studim me një hartë që tregon se vendi vetëm në zonat e degraduara ka kapacitet për të ndërtuar termocentrale fotovoltaike dhe me erë që do të prodhojnë dy herë më shumë energji elektrike sesa konsumon aktualisht i gjithë vendi.  Sipas Aleksandar Dedinec, autor i studimit, projektet energjetike të rëndësishme për tranzicionin e gjelbër do të mund të zbatohen vetëm në vende të caktuara që nuk do të përputhen apo kërcënojnë biodiversitetin dhe habitatet natyrore, si  dhe tokën pjellore bujqësore.

“Në Maqedoni në lokacionet më të favorshme mund të ndërtohen rreth 60 mijë megavat termocentrale diellore. Nëse i përjashtojmë zonat e mbrojtura dhe ato ku tani nxirren burimet minerale, mbetet toka e degraduar në të cilën mund të ndërtohen rreth 11.000 megavat burime të ripërtëritshme të energjisë. Sa për krahasim, për momentin Maqedonia shpenzon rreth  8.000 megavat orë energji, ndërsa me potencialin e burimeve të ripërtëritshme mund të prodhohet dy herë më shumë energji nga ajo që shpenzojmë aktualisht”, thotë Dedinec.

Në përpilimin e hartës morën pjesë ekspertë, institucione dhe investitorë, ndërsa lokacionet më të mira u zgjodhën në bazë të më shumë se dhjetë kritereve. Dedinec thotë se harta është publike dhe në dispozicion të të gjithëve që janë të interesuar të investojnë.

“Tranzicioni energjetik është në favorin tonë për disa arsye. Ai do të kontribuojë jo vetëm për t’i eliminuar lëndët djegëse fosile, por edhe për ta reduktuar varësinë nga importi, për ta maksimizuar efikasitetin energjetik, për t’i reduktuar emetimet e karbonit dhe për ta përmirësuar cilësinë e ajrit”, thekson ai.