Pendarovski dhe Xhaferi po marrin pjesë në Konferencën e 60-të të Sigurisë të Mynihut

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi dhe presidenti i vendit Stevo Pendarovski, nga sot (16 shkurt) marrin pjesë në Konferencën e 60-të të Sigurisë të Mynihut, e cila mbahet në Mynih deri më 18 shkurt. Gjatë Konferencës treditore, Kryeministri Xhaferi do të merr pjesë në disa ngjarje qendrore dhe shoqëruese, si dhe do të zhvillojë disa takime dypalëshe, transmeton Portalb.mk.

Fokusi i Konferencës së Sigurisë të Mynihut të këtij viti është në rolin e Evropës në siguri dhe mbrojtje dhe në këtë drejtim, të rëndësisë së zgjerimit të BE-së, në kontekstin e situatës në Ukrainë dhe zhvillimeve në Lindjen e Afërme.

Kryeministri Xhaferi, për këto dhe çështje të tjera aktuale me rëndësi për Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe rajonin, do të diskutojë edhe në takimet e parashikuara dypalëshe me përfaqësues të lartë politikë nga Evropa, rajoni dhe bota.

Presidenti Pendarovski është planifikuar të marrë pjesë në ngjarjen “A është Ballkani Perëndimor pjesë e pamjes së madhe?” Harta e Arkitekturës së Re të Sigurisë Evropiane” organizuar nga Qendra për Politika të Sigurisë nga Beogradi dhe Qendra për Politika të Sigurisë nga Gjeneva, në manifestimin “Fokus në Ballkan”, si dhe në manifestimin “Drejtimi për Komunitetin Transatlantik pas Mynihut” organizuar nga Këshilli Atlantik.

Gjatë pjesëmarrjes në Konferencën e Sigurisë në Mynih, presidenti Pendarovski pritet të ketë disa takime me disa nga pjesëmarrësit e tubimit. Në fokus të bisedimeve të presidentit Pendarovski do të jenë integrimet evropiane dhe situata e sigurisë në rajon dhe në hapësirën euroatlantike.

Konferenca e Sigurisë të Mynihut fokusohet në sigurinë tradicionale nacionale ose ushtarake, si dhe në dimensionet ekonomike,  mjedisore, transatlantike dhe njerëzore të sigurisë.

Pritet që edhe këtë vit në Konferencën e Sigurisë të Mynihut, përmes debateve në panel të adresohen zgjidhjet e mundshme për sfidat më urgjente të sigurisë në botë. 

Konferenca mbahet në kohën kur po vazhdon lufta e Izraelit në Gaza ku çdo ditë vriten me dhjetëra e qindra civilë të pafajshëm dhe ku besohet se po ndodh një gjenocid i pamëshirshëm.

Si lufta në Ukrainë, ashtu edhe ajo në Gazë, kanë rritur frikën se mund të zgjerohen dhe ka të ngjarë që këto çështje të trajtohen gjatë konferencës në Munih.

Konferenca e Sigurisë në Munih do të mbyllë punimet më 18 shkurt.