Transportuesit nga Ballkani Perëndimor në Shkup do të dakordohen për hapat e mëtejshëm lidhur me rregullat e zonës Shengen

Shoqatat e transportuesve nga Ballkani Perëndimor sot, më 11 gusht, do të zhvillojnë takim në Shkup, ku do të diskutojnë se çfarë hapash do të ndërmarrin më tej për zgjidhjen e problemit me të cilin përballen shoferët profesionistë të kamionëve dhe autobusëve lidhur me qëndrimin në zonën Shengen, transmeton Portalb.mk.

Në takim, përveç nikoqirëve nga Maqedonia e Veriut, pritet të marrin pjesë edhe përfaqësues të shoqatave nga Mali i Zi, Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Ata kërkojnë përjashtim nga rregulli me të cilin qëndrimi kufizohet në 90 ditë brenda një periudhe prej 180 ditësh.

Pritjet e tyre janë që bisedimet të mund të zhvillohen pas 12 gushtit, duke pasur parasysh se deri në atë datë, tre drejtorë përgjegjës nga Drejtoria e BE-së për Mobilitet dhe Transport janë në pushim.

BE-ja e vendosi rregullin 90/180 me qëllim parandalimin e fluksit të pakontrolluar të migrantëve, ndërsa statusi i shoferëve profesionistë në transportin ndërkombëtar u barazua me statusin e turistëve.

Transportuesit kujtojnë se në fund të janarit të këtij viti tashmë organizuan një bllokadë katërditore të terminaleve të mallrave, e cila shërbeu si paralajmërim, por edhe atëherë nuk u gjet zgjidhje e përhershme.

Këtë herë, nëse në takimin në Maqedoninë e Veriut merret vendim për radikalizimin e protestave, bllokadat nuk do të jenë lokale, por rajonale dhe të koordinuara në të gjitha pikat kryesore të Ballkanit Perëndimor.

Duke bllokuar qarkullimin e mallrave në kulmin e sezonit veror, transportuesit planifikojnë të ndërpresin plotësisht furnizimin ndërmjet BE-së dhe Evropës Juglindore, me qëllim që ta detyrojnë Brukselin të pezullojë urgjentisht rregullin e kontestuar.