Brukseli me rregulla të reja për zgjerimin, Mali i Zi dhe Islanda në paketë?
Brukseli po harton rregulla të reja për zgjerimin, shqyrtohet skenari që Mali i Zi dhe Islanda të shkojnë si paketë e përbashkët për anëtarësim në BE në vitin 2028, transmeton Portalb.mk.
Në prag të dokumentit të ri të Komisionit Evropian me udhëzime për vendet kandidate për anëtarësim, zyrtarë dhe diplomatë evropianë i kanë thënë Politico-s se Brukseli është i hapur ndaj idesë që Mali i Zi dhe Islanda të anëtarësohen në BE “në paketë”.
Kushti për këtë është që Islanda, në referendumin në fund të gushtit, të votojë për rifillimin e negociatave për anëtarësim në BE.
Komisionerja për zgjerim, Marta Kos ka thënë se Islanda është “rast i veçantë” për shkak të anëtarësimit në Zonën Ekonomike Evropiane dhe zonën Shengen, duke vlerësuar se negociatat mund të zgjasin vetëm “një deri në dy vjet”, nëse Rejkjaviku vendos t’i rifillojë ato më 29 gusht.
Nën titullin “Tani ose kurrë”, gazeta ndërkombëtare Financal Times ka shtruar pyetjen se a është BE-ja serioze në synimin e saj për zgjerim, ku thekson se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë listë të gjatë shembujsh në të cilët Brukseli nuk i ka përmbushur zotimet e tij.
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime. Qeveria aktuale në Shkup ka deklaruar se nuk do t’i bëjë këto ndryshime.
Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.