Tollovi pa fund në Tetovë: Semaforët nuk punojnë, zgjidhja ende në letër

Mosfunksionimi i semaforëve vazhdon të shkaktojë tollovi në rrugët e Tetovës, pavarësisht premtimeve të vazhdueshme për zgjidhje nga autoritetet komunale, raporton Portalb.mk.

Mosfunksionimi i semaforëve për çdo ditë shkakton tollovi në trafik, sidomos në disa nga kryqëzimet më të frekuentuara krijohen kolona të gjata dhe bllokime të shpeshta të trafikut.

Ndonëse autoritetet komunale vazhdimisht ka premtuar zgjidhje, në terren situata mbetet e pandryshuar.

Ndërkaq, para pak ditëve një veturë goditi shtyllën e semaforit i cili nuk punonte në kryqëzimn te Xhamia e Larme.

Komuna e Tetovës së fundmi hapi tender dhe përzgjodhi kompaninë ‘A-Zero’ nga Gostivari për rregullimin e sinjalistikës rrugore në qytet, përfshirë edhe semaforët.

Nga Komuna e Tetovës thonë se është dorëzuar urdhëresë pune dhe së shpejti pritet të fillojnë punimet.

“Njëri pozicion do fillohet shpejt të ndërtohet me faza të reja (te shkolla e mjekësisë). Pozicionet tjera do vazhdojnë gradualisht. Çdo ndërtim-rikonstruim merr kohë shkaku i ndryshimit të cikleve, që është marrë si bazë studimi i mobilitetit”, thanë nga Komuna e Tetovës.

Ndryshe, Tetova çdo ditë përballet me kaos në trafik. Pavarësisht se zgjidhja e këtij problemi pritej të bëhej me planin e mobilitetit, ky plan vazhdimisht u zvarrit ndërsa u publikua më 15 prill, nuk ka detaje se kur dhe si do të fillojë të implementohet.

Pavarësisht se autoritetet me vite kanë premtuar zgjidhje për këto probleme, pamjet nga terreni flasin ndryshe. Situata rrëndohet ende më shumë gjatë verës dhe dimrit, kur kthehen mërgimtarët.