“Toksinat” nga Zurijet Sulejmani, shfaqja që nxjerr në skenë plagët dhe helmin e shoqërisë sonë
“Toksinat” është shfaqja teatrore që sjell në skenë plagët morale, emocionet e helmuara dhe marrëdhëniet e prishura të njeriut bashkëkohor. E bazuar në veprën e dramaturgut polak Krzysztof Bizio, kjo dramë trajton dhunën, hakmarrjen, egoizmin, mungesën e empatisë, gënjeshtrat dhe konfliktet që helmojnë përditshmërinë tonë. Në skenën e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës, shfaqja u soll nga Zurijet Sulejmani, duke e kthyer “Toksinat” në një reflektim të fortë artistik mbi shoqërinë moderne, shkruan Portalb.mk.
Në prononcimin e tij për Portalb.mk, Sulejmani tha se veprën e zgjodhi për shkak të veçantisë dhe sfidës që ajo bart.
“Për shkak të veçantisë dhe pjesës sfiduese që ka shfaqja e diplomës, desha që edhe materiali me të cilin do të punoja të ishte sfidë në vete. ‘Toksinat’ trajton tema aktuale dhe universale që prekin drejtpërdrejt njeriun bashkëkohor dhe ndikimin e faktorëve negativë që depërtojnë në jetën tonë, qoftë në nivel individual apo shoqëror. Me ‘Toksinat’ kam dashur t’i ftoj shikuesit të reflektojnë mbi sjelljet, paragjykimet dhe veset që na helmojnë përditshmërinë, duke kuptuar se ndryshimi fillon nga vetëdija dhe përgjegjësia personale”, tha Sulejmani.
Shfaqja është ndërtuar në pesë tablo, ku secila sjell një histori të veçantë, por të gjitha lidhen nga tema e përbashkët e toksicitetit në shoqërinë moderne. Përmes skenave trajtohen fenomene si dhuna, hakmarrja, egoizmi, mungesa e empatisë, gënjeshtrat, tradhtia, lakmia dhe konfliktet që dëmtojnë marrëdhëniet njerëzore.

Sulejmani tha se sfida më e madhe emocionale dhe profesionale ishte përgatitja e pesë karaktereve të ndryshme.
“Duke pasur parasysh se ‘Toksinat’ është vepër bashkëkohore që trajton marrëdhëniet njerëzore, krizat morale dhe ndikimin e toksinave emocionale që kanë ndikim në jetën e individit, dhe si dramë është e ndërtuar në pesë tablo, sfida e vërtetë emocionale dhe profesionale ishte se duhej të përgatiteshin pesë karaktere të ndryshme, veçanërisht personazhet që bartnin konflikte të forta të brendshme. Ky proces më ndihmoi të njoh më mirë kufijtë dhe mundësitë e mia artistike, duke më mësuar se sinqeriteti emocional dhe përkushtimi janë elementët kryesorë për të krijuar një personazh të besueshëm”, u shpreh ai.
Duke folur për toksinat që e helmojnë shoqërinë sot, Sulejmani veçoi indiferencën, urrejtjen, mungesën e empatisë, manipulimin dhe humbjen e vlerave njerëzore.
“Mendoj se indiferenca, urrejtja, mungesa e empatisë, manipulimi dhe humbja e vlerave njerëzore janë ndër toksinat më të rrezikshme të kohës sonë. Arti ka fuqinë t’i bëjë njerëzit të ndalen dhe të reflektojnë. Teatri, në veçanti, krijon një komunikim të drejtpërdrejtë me publikun dhe mund të ngrejë pyetje të rëndësishme që nxisin ndërgjegjësimin dhe dialogun shoqëror”, tha Sulejmani.

Për rrugëtimin e tij të ardhshëm artistik, Sulejmani tha se diplomimi për të është njëkohësisht fund dhe fillim.
“Diplomimi është fundi dhe fillimi! Fundi i një etape, por fillimi i një rrugëtimi artistik. Synimi im është të vazhdoj të zhvillohem si aktor dhe krijues, duke punuar në projekte që kanë vlerë artistike dhe shoqërore. Dëshira e çdo studenti të sapodiplomuar është të vazhdojë punën intensive edhe pas studimeve, ta sfidojë veten edhe më tepër me role të ndryshme, të jetë pjesë e teatrove dhe të japë kontributin e tij në jetën artistike në trojet tona shqipfolëse, por edhe më gjerë”, tha ai.
Një veçanti e shfaqjes ishte interpretimi i aktorëve në personazhe të ndryshme në secilën tablo, duke krijuar karaktere të reja dhe dimensione të ndryshme emocionale për çdo skenë. Ky transformim i vazhdueshëm dëshmoi përkushtimin, aftësinë dhe pjekurinë artistike të tyre.
Përmes shfaqjes “Toksinat”, Zurijet Sulejmani solli para publikut një reflektim të fuqishëm mbi sfidat morale dhe emocionale të njeriut bashkëkohor, duke e shndërruar skenën në pasqyrë të realitetit që jetojmë.
Rishfaqja e “Toksinat” do të mbahet sonte në ora 20:00, në Sallën e Fakultetit të Arteve-Universiteti i Tetovës.