Bashkimi Evropian has në pengesa politike në fazën e implementimit të ligjeve dhe rregulloreve për Marrëveshjen e Gjelbërt

Edhe pse gjatë tre viteve të fundit, Bashkimi Evropian (BE) ka punuar për modifikimin e ligjeve dhe rregulloreve për të mundësuar Marrëveshjen e Gjelbërt, zgjedhjet që do të mbahen në qershor të vitit 2024 mund ta pengojnë implementimin e tyre, sepse sipas sondazheve populli anon nga partitë konservative, shkruan Euractiv, transmeton Portalb.mk.

Marrëveshja e Gjelbërt u prezentua në dhjetor të 2019 nga shefja e Komisionit Ursula von der Leyen, si “strategjia e re e zhvillimit” të BE dhe që atëherë u bë shtylla e programit të punës së Komisionit. Kurt Vandenberghe, këshilltari i atëhershëm i von der Leyen, nganjëherë përmendet edhe si “kumbari” i Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane.

Në qendër të kësaj marrëveshjeje janë synime të detajuara për klimën, të bëra ligjërisht të detyrueshme sipas një ligji të ri evropian për klimën, që angazhon BE-në të arrijë neutralitetin e klimës deri në vitin 2050 dhe të përgjysmojë emetimet para fundit të kësaj dekade. Për t’i përmbushur këto synime, BE-ja miratoi legjislacionin e ri që rregullon ndotësit, nga emetimet e makinave deri te sasia e gazeve serrë që lëshuesit industrialë lejohen të nxjerrin çdo vit.

“Tani, me shumicën e legjislacionit të Marrëveshjes së Gjelbër të miratuar tashmë, Komisioni Evropian po kthehet në fazën e zbatimit”, thotë Vandenberghe, i cili u emërua në krye të Drejtorisë së Komisionit të Veprimit Klimatik.

“Ne tashmë po mendojmë përpara për Komisionin e ardhshëm,” i tha Vandenberghe evenimentit vjetor të institutit të mendimit Bruegel në Bruksel, të mërkurën (6 shtator). “Tani ne kemi një ligj të BE-së për klimën, le të diskutojmë se si ta bëjmë atë të funksionojë,” i tha ai audiencës.

Zgjedhjet evropiane janë caktuar në qershor të vitit 2024 dhe rezultati i votimit do të ndikojë në orientimin politik të ekzekutivit të ri të BE-së që do të bëjë betimin pas skadimit të mandatit aktual të Komisionit, më 31 tetor 2024.

Sondazhet për opinionin publik parashikojnë anime nga partitë e krahut të djathtë dhe Partia Popullore Evropiane (EPP) e von der Leyen ka kërkuar të kapë elektoratin konservator duke treguar një qëndrim këmbëngulës ndaj Marrëveshjes së Gjelbër, me qëllim që të përmbysë një ligj që është propozuar më herët këtë vit për restaurimin e natyrës.

Por për Vandenberghe, nuk ka kthim prapa në Marrëveshjen e Gjelbër.

Sipas përfaqësuesit të DG CLIMA, “nuk do të bëhet fjalë për zvogëlimin ose rritjen e ambicieve për aksion klimatik, do të bëhet fjalë për zbatimin e asaj që kemi rënë dakord”.

“Ne duhet të vazhdojmë të qëndrojmë në këtë rrugë”, theksoi ai, duke thënë se kjo është ajo që Komisioni ka bërë gjatë tre viteve të fundit, pavarësisht “sfidave të mëdha” si pandemia e koronavirusit dhe lufta e Ukrainës, të cilat për pak kërcënuan të ndalonin të gjitha aksionet klimatike.

Rikujtojmë se fatkeqësitë klimatike në Evropë këtë vit janë shumëfishuar dhe zbutja ose shtyrja e implementimit të masave mbrojtëse është temë shumë serioze. Shteteve të BE u është dashur një kohë e gjatë të bien dakord për masat që do të ndërmerren me ligj dhe është rrezik të politizohet një iniciativë kaq e rëndësishme për mirëqenien e popullit.

Për më tepër, kjo është një problematikë në mbarë botën dhe është shumë e qartë se nuk mund të injorohet më gjatë. Vetëm Evropa ka investuar një të tretën e totalit të fondeve në buxhetin shtatëvjeçar të BE-së dhe Fondit të Rinovimit të Gjeneratës së Ardhshme të BE-së, ose rreth 600 miliardë euro, kurse që nga viti 2020 edhe Maqedonia e Veriut bashkë me shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor janë përfshirë në agjendën e gjelbër, të miratuar nga liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor në samitin e Procesit të Berlinit në Sofje.