Tiparet karakteristike të shqiptarëve sipas Konicës

Konica njihet si krijuesi që ka fshikulluar më fort se kushdo tjetër të metat e kombit të vet, duke prekur kësisoj përjetësisht në sedër midelinjtë, të cilët janë bërë kritikë, jo të veprave letrare, po “të metave” njerëzore të tij. Në letërsinë shqipe, për asnjë letrar tjetër nuk janë shkruar kapituj të tërë veprash për gabimet e një shkrimtari si për Konicën. Janë të shumtë madje dhe “studiuesit” që, para se ta thonë një fjalë të mençur për veprën e tij unikate, kanë shkruar madje dhe për përcaktimin seksual dhe shtratin e Konicës, duke tentuar me ankth që edhe në këtë plan të gjejnë dëshmi poshtërruese për ta nxjerrë në total të dështuar njërin prej shkrimtarëve më të ditur dhe më të gjithanshëm që ka pasur ndonjëherë bota shqiptare.

Fatmirësisht tani nuk i përfill kush pallavrat e injorantëve që njollosën e njollosin autorët e eksomunikuar gjatë sistemit monist. Nuk përfillen as profkat kundër Konicës që urrente ata që i mbështillnin të vërtetat me akrobatikat e shumëkuptimësisë. Pikëpamjet mbi rëndësinë e mendimit të lirë, debatit dhe polemikës ai i sqaroi më shumë se një herë në shkrimet e papërsëritshme, prej të cilave janë shkëputur thëniet e mëposhtme mbi tiparët karakteristike të shqiptarëve.

– Fyerja më e madhe për shqiptrarin është kur e quajnë të pabesë.

– Shqiptari ka padurimin dhe gjaknxehtësinë.

 – Sipas një historiani bizantin, shqiptarët as e vrasin, as e bëjnë rob armikun që ka pësuar disfatë.

– Të gjithë historianët turq flasin për keyeneqësinë shqiptare.

– Në kronikat e vjetra frënge figuron shprehja: Krenar si një shqiptar.

– Kombësia i bashkon shqiptarët më shumë se sa i ndanë feja.

– Është vërejtur gjithnjë se, sa herë që shqiptarët nuk e kanë pasur instinktin kalorësiak të kursimit të të mundurit ka dalë në shesh, pas analizës, se ka qenë shqiptar i përzier me sllavë.

– Si grekët antikë dhe italianët e Mesjetës, ideali i shqiptarit ishte ai i qytetit-shtet.

– Sa herë që në të kaluarën është nënshtruar Shqipëria, kjo ka qenë pasojë e mungesës së rezistencës së përbashkët.

– Një tjetër cilësi e shqiptarit është urrejtja ndaj ndëshkimit… Dënimi me vdekje, zakonisht merret me llahtari… Në Shqipëri nuk mund të gjesh njeri që do ta pranonte punën e xhelatit.

– Njëra ndër karakteristikat fatkëqia të shqiptarëve, madje një karakteristikë e dukshme – është mungesa e idealit mes tyre. Në një vend ku njerëzit vdesin aq lehtë për kurgjë send, nuk ka raste të vdekjes për një ideal a kauzë a çështje. Do të na duhej një kohë e gjatë për të sqaruar se pse Shqipëria nuk e fitoi pavarësinë e vet më herët, dhe ka një listë aq të vogël të dëshmorëve të rënë për pavarësinë kombëtare. Vepra besnikërie e trimërie që kanë shkaktuar vdekjen e mija vetave do të mund të shfrytëzoheshin për ta hedhur poshtë pohimin tim për mungesën e idealit. Por besnikëria e guximshme ndaj traditavë të njohura dhe kanunit të nderit janë akte mekanike që nuk kërkojnë rrezikimin vullnetar të jetës për një ideal të zgjedhur lirisht.

– Norma etike e shqiptarit është besa, apo fjala e dhënë.

– Sipas turqve, dashuria ndaj parasë është karakteristikë e shqiptarit: “E pyesin njëherë shqiptarin: A do të shkosh në xhehnëm? Kurse ai përgjigjet: Sa është paga?”

Kështu i shihte bashkëkombasit njeriu që thoshte: Të thotë njeriu çiltas ç’ka në mëndie, edhe në qoftë se një mik a gjithë miqtë mendojnë ndryshe, është një mirësi, një ‘qualité’, gjë e rallë nër ne, sa duhet të gëzohemi kur ndodhen njerës si ti. Pa shih pakë! Sikur gjithë shqipëtarët të jenë si ti e si unë, të thotë sicilido mëndien e tija, të shkruaj, të përgjigjet, të rahë çështjet (debatin des questions), të marë pjesë në polemika, – ahere do të jetë një shënjë ngjallje për Shqipërinë…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.