Veshjet tradicionale si thesar

 

Kaherë janë botuar atlase me veshje tradicionale, ku janë përfshirë edhe veshje shqiptare. Nëse në të kaluarën ato u shërbenin edhe udhëtarëve që i vizitonin vendet e panjohura, sot shërbejnë për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, pse jo edhe për efekte turistike.

Veshjet e bukura dhe të larmishme shqiptare paraqiten edhe në librin e autores Zejna Alimi. Në atlasin Arti popullor i veshjeve shqiptare në Maqedoninë e Veriut (Universiteti i Tetovës, 2024), kemi koleksione veshjesh popullore nga Tetova, Shkupi, Gostivari, Reka e Epërme, Dibra, Struga, Kërçova, Prilepi, Velesi dhe rajoni i Malit të Thatë…

Veshjet e shqiptarëve janë pëlqyer kaherë. Në dokumentet venedikase të shekullit XV, sipas studiueses Andromagji Gjergji, hlamidat cilësoheshin si “ad modum Albanesibus” (“të modës shqiptare”) ose “secundum eruam ritum” (“sipas zakonit të tyre”). Në shekujt XVI – XVII, në shtresa të ndryshme të shoqërisë, mbahej kapela mjaft e lartë e me strehë rreth e qark, e cila në Francë cilësohej si kapelë shqiptare, “chapeu albanois” (nga F. Rabelais) dhe ato shihen edhe në ikonat e Onufrit (shekulli XVI). (Andromagji Gjergji, Mënyra e jetesës në shekuj XIII-XX, Tiranë, 2002, f. 15).

Bukuria dhe veçantia e veshjeve shqiptare prezantohet edhe në librin e profesoreshës Zejna Alimi, me origjinë prej Rekës së Epërme, një trevë ku me shekuj jetoi edhe një komunitet shqiptarësh ortodoksë. Prej aty e kanë origjinën Josip Bageri, Lazër Siljani, Bajazit Doda (mik i Franc Nopçës) etj.

Prania e arbërve në vendet e ndryshme të RMV-së së sotme, dëshmohet nëpërmjet shumë dokumenteve mesjetare bizantine, sllave, europiane dhe osmane.

Kronistët, relatorët, udhëpërshkruesit dhe studiuesit e shumtë kanë shkruar edhe për veshjet e bukura të shqiptarëve. Ata thanë se shqiptarët ishin adhurues të veshjeve, të stolive, por edhe të armëve të dekoruara, që sot ruhen në disa muze të shteteve europiane.

Në veshjet kombëtare, që paraqiten në librin e profesoreshës Zejna Alimi, vërejmë kombinime mahnitëse ngjyrash, por edhe figura me simbole kulti, siç e ka vërejtur studiuesi i njohur Izaim Murtezani.

Kultura, arti dhe kostumet shqiptare u kopjuan edhe nga popujt e tjerë, siç e dëshmojnë udhëpërshkruesja ruse Karlova, udhëpërshkruesi bullgar Andrej Stojanovi, akademiku serb Jovan Cvijiqi, studiuesit çekë Vladimir Sis dhe Julius Komárek-u, kurse gazetari shqiptar Kostaq Stefa shkroi në gazetën Tomori më 1942 se “gustoja e elegancës së veshjes në Tetovë ishte shumë e mirë”.

Nga e sipërthëna rezulton se nuk është rastësi e gjithë kjo pasuri kombëtare që shprehet edhe nëpërmjet artit të veshjes.

Në librin e profesoreshës Zejna Halimi, përndryshe, janë përfshirë veshje grash e burrash nga shumë treva shqiptare të Maqedonisë së Veriut. Kemi veshje tipike autoktone; veshje me formë orientale, por me elemente kombëtare dhe veshje të ngjashme edhe me të arbëreshëve, veçanërisht te shqiptarët e pjesës jugore të Maqedonisë së Veriut. Në trevat shqiptare të Maqedonisë së Veriut e hasim edhe xhubletën, por me formë më unike.

Te veshjet e burrave mbizotërojnë ngjyra e bardha dhe e zezë, kurse te veshjet e grave, përveç ngjyrës së bardhë dhe të zezë, kemi edhe ngjyrën e kuqe, të kaltër, por edhe të gjelbër.

Për shumëngjyrësinë e kostumeve tradicionale shkroi në fillim të shekullit XX edhe Gabriel Jaray.

Janë të veçanta edhe emërtimet e veshjeve dhe bizhuterive si: përpal’za (përparëse), fshutra, rr’zhondet (argjenturat), krysha (hajmalitë) etj.

Ky libër, i përgatitur me përkushtim, me sqarime të shumta dhe me fotografi cilësore, është shumë i vlefshëm për kulturën shqiptare, veçanërisht atë të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.