Thomas Goffus nuk tha se “Kosova është një partner joefektiv i sigurisë”
Më 5 korrik në Prishtinë, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti priti në takim Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për operacione, Thomas Goffus. Në këtë takim, Kurti e informoi Goffusin për kornizën kohore të ngjarjeve nga 5 nëntori i vitit të kaluar kur dhanë dorëheqje të organizuar katër kryetarët serb në komunat në veri të vendit, transmeton sbunker.net.
Duke i’u referuar këtij takimi, disa portale në gjuhën shqipe shpërndanë artikullin me titull: ”Rrezikoi jetën e ushtarëve tanë’/ Zv. sekretari i NATO-s: Kosova tregoi se është partner joefektiv i sigurisë! Të ulen tensionet”.
Mirëpo, ky titull nuk reflekton me deklaratën zyrtare të Goffusit të publikuar në faqen zyrtare të NATO-s.
”Bashkëpunimi efektiv është mënyra se si Kosova demonstron se mund të jetë një partner efektiv i sigurisë për NATO-n. Fatkeqësisht, ne kemi parë një rënie në koordinimin tonë praktik dhe politik”, shkruan mes tjerash në komunikatë.
Aty nuk përmendet askund se Goffus nuk e konsideron “Kosovën një partner joefektiv të sigurisë”, ani pse ai e thekson mungesën e koordinimit për situatën e fundit në veri.
Lidhur me takimin është deklaruar edhe kryeministri Kurti i cili e falënderoi zyrtarin e NATO-s për kontributin dhe rolin e domosdoshëm të kësaj aleance për çlirimin dhe sigurinë e Kosovës.
“Kryeministri tha se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për bashkëpunim dhe bashkërendim të plotë me misionin e NATO-s, KFOR-in, dhe se ndarja e informacionit dhe koordinimi i mirë duhet t’i kontribuojnë si sundimit të ligjit në veri të Kosovës po ashtu edhe përmirësimit të situatës së sigurisë”, thuhet në komunikatën për media të Zyrës së Kryeministrit (ZKM), të pranuar në email.
Qeveria e Kosovës u kritikua nga akterë vendorë e ndërkombëtarë për vendimmarrje të njëanshme dhe mungesë koordinimi pas vendosjes së kryetarëve në objektet komunale. Pavarësisht kësaj, KFOR-i prej 29 majit u angazhua për të ofruar siguri përreth objekteve të cilat deri para 23 prillit menaxhoheshin nga Lista Serbe. Së paku 25 pjesëtarë të kësaj force u lënduan pas përleshjes me protestues të dhunshëm në Zveçan.
Intervenimi i fundit në veri është ndër rastet e rralla kur KFOR-i përfshihet në situata të tilla tensionesh edhe psë është reagues i tretë i sigurisë në vend, pas Policisë së Kosovës dhe EULEX-it.