Pendarovski: Pres debat intensiv për ndryshimet kushtetuese në të cilin përfundimisht do të bindemi se ky moment nuk guxon të lëshohet

Presidenti Stevo Pendarovski pret debat intensiv midis pushtetit dhe opozitës lidhur me ndryshimet kushtetuese dhe nevojën për miratimin e tyre. Shefi i shtetit shprehu pritje se me bisedimet, të cilat do të zgjasnin gjatë disa muajve të ardhshëm, do të mund, siç thotë, përfundimisht të bindemi se ky është moment strategjik që nuk guxojmë ta lëshojmë për ardhmërinë e shtetit, shkruan 360 Gradë, njofton Portalb.

Presidenti këtë e deklaroi gjatë vizitës së sotme në Komunën Pustec të Shqipërisë, në virgjilje të seancës së Komisionit për çështje kushtetuese të caktuar për të martën, në rend dite të së cili do të jetë propozimi për ndryshim të Kushtetutës së vendit.

Votimi për hapjen eventuale të Kushtetutës, sipas Pendarovskit, nuk do të ndodhë në gusht.

“Nuk pres që në fazën e parë – votim për hapje eventuale të ndryshimeve kushtetuese pres të ndodhë në gusht. Pres që ajo të ndodhë me siguri pas pushimeve vjetore, diku nga fundi i shtatorit. Përndryshe, e gjithë korniza kohore e cila pritet që eventualisht ta ndryshojmë Kushtetutën duhet zyrtarisht të përfundojë deri më 30 nëntor, derisa zgjat skriningu”, theksoi Pendarovski.

Kujtojmë se, Qeveria e Maqedonisë së Veriut i dërgoi Kuvendit amendamentet kushtetuese. Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi më 19 korrik të këtij viti e pranoi propozimin për fillimin e ndryshimit të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut me udhëzime për ndryshimin dhe plotësimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Xhaferi, menjëherë e dërgoi Propozimin te deputetët në Kuvend dhe me këtë procedurë fillojnë të rrjedhin afatet kohore të parashikuara me Kushtetutë dhe me Rregulloren e Kuvendit. Seanca për ndryshimet kushtetuese është caktuar për më 18 gusht 2023 në ora 11:00. Para se të shqyrtohet Propozimi në Seancë plenare, Propozimin do e shqyrtojë Komisioni i Çështjeve Kushtetuese, kryetar i të cilit është Kryetari Xhaferi. Seanca e Komisionit të Çështjeve Kushtetuese është caktuar më 25 korrik në ora 10:00.

Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.