Thirrje për artistë të rinj në RMV: Art kundër korrupsionit dhe për integritet politik
Artistë dhe krijues të rinj deri në 29 vjeç ftohen të shprehin qëndrimin e tyre ndaj korrupsionit dhe mungesës së transparencës përmes artit vizual digjital. Thirrja synon vepra guximtare që tregojnë ndikimin e korrupsionit në jetën e përditshme dhe nxisin përgjegjësi politike. Punimet e përzgjedhura do të ekspozohen publikisht dhe do të shpërblehen me çmime monetare. Afati i aplikimit është 12 janar 2026, transmeton Portalb.mk.
“Artistët dhe krijuesit e rinj deri në moshën 29 vjeç kanë mundësinë të flasin hapur për korrupsionin, përgjegjësinë politike dhe nevojën për transparencë përmes artit të tyre, përmes thirrjes publike “Guxo, frymëzo, ndrysho – Integriteti politik përmes syve të të rinjve”. Thirrja është e destinuar për artistë vizualë, dizajnerë dhe krijues që punojnë me ilustrime, postera, dizajn grafik, kolazh digjital ose forma të tjera të shprehjes vizuale digjitale.
Pjesëmarrësit duhet të krijojnë një vepër në format A3 që do të tregojë qartë dhe në mënyrë të kuptueshme ndikimin e korrupsionit në jetën e përditshme, do të zbulojë lidhjen midis pushtetit politik dhe përgjegjësisë dhe do të motivojë qytetarët, veçanërisht të rinjtë, gratë dhe pakicat, të kërkojnë llogaridhënie dhe transparencë”, thuhet në njoftim.
Organizatorët deklarojnë se inkurajojnë vepra të guximshme, origjinale dhe provokuese që do ta sjellin temën komplekse të integritetit politik më afër publikut të gjerë dhe do të stimulojnë të menduarit kritik.
“Veprat e përzgjedhura do të jenë pjesë e një ekspozite publike në grup, dhe autorët do të kenë mundësinë që zëri i tyre të arrijë në media, institucione dhe qytetarë. Përveç kësaj, janë parashikuar çmime monetare për tre punimet më të mira: 200 euro për vendin e parë, 100 euro për vendin e dytë dhe 50 euro për vendin e tretë.
Të gjithë të rinjtë deri në 29 vjeç kanë të drejtë pjesëmarrjeje. Punimet do të vlerësohen nga një komision i përbërë nga përfaqësues të “Lice v lice” dhe “Transparency International Maqedoni”, thuhet në njoftim.
Për të aplikuar, duhet të dërgoni në adresën elektronike [email protected] veprën vizuale në rezolucion të lartë, një përshkrim të shkurtër të idesë (deri në 200 fjalë) dhe informacionin e kontaktit të autorit.
Afati i fundit për aplikim është 12 janar 2026, deri në fund të ditës.
Organizatorët, Platforma për Zhvillim të Qëndrueshëm “Lice v lice”, thonë se kjo është një mundësi për të rinjtë që përmes artit të tregojnë se kanë një qëndrim, një zë dhe një vizion për një shoqëri më të drejtë dhe më të përgjegjshme. Të gjitha detajet rreth kësaj thirrjeje janë në këtë link.