The Park Festival do të mbahet më 16 gusht, programi dhe artistët mbeten të pandryshuar

The Park Festival është shtyrë dhe do të mbahet më 16 gusht, kanë njoftuar organizatorët përmes një komunikate zyrtare, shkruan Portalb.mk.

Sipas tyre, vendimi për shtyrjen është marrë pas 48 orëve pune intensive, konsultimeve të vazhdueshme dhe vlerësimit të të gjitha mundësive, me qëllim që festivali të organizohet në kushtet më të mira të mundshme.

Organizatorët theksojnë se 16 gushti është data më e afërt dhe më e përshtatshme për mbajtjen e festivalit, duke garantuar se programi do të mbetet i pandryshuar. Të gjithë artistët e paralajmëruar do të performojnë sipas planit, ndërsa publiku do të përjetojë të njëjtën atmosferë dhe energji që ishte premtuar që në fillim.

Në njoftim, organizatorët falënderojnë publikun për durimin, mirëkuptimin dhe besimin e treguar gjatë kësaj periudhe, duke theksuar se mbështetja e tyre është më e rëndësishme se kurrë.

“Së bashku kemi ndërtuar këtë histori për tetë edicione me radhë dhe së bashku do ta bëjmë edhe këtë edicion të paharrueshëm”, thuhet në mesazhin e organizatorëve.

The Park Festival konsiderohet një nga ngjarjet më të mëdha muzikore në vend dhe organizatorët shprehen të bindur se edhe edicioni i këtij viti do të zhvillohet me sukses në datën e re, më 16 gusht.

Data u shty për shkak të epidemisë në Gostivar, festivali ishte i caktuar që të mbahej më 28,29 dhe 20 korrik.