Tetovë, prishet kontrata me shërbimet merimangë

Tashmë disa muaj në Tetovë nuk funksionojnë dy karotrecët që komuna e Tetovës i kishte kontraktuar me kompani private, por u desh një vit e gjysmë që kryetari i komunës, Bilall Kasami ta kuptoj se kontrata me “merimangat” kanë qenë problematike, andaj edhe është dhënë urdhër që të njëjtat të prishen. Tash thonë se marrëveshjet u prishën pas kritikave që ka marrë nga mediat e qytetarët, shkruan TV 21.

“Sa i përket merimangës, ne i marrin parasysh kritikat e qytetarëve, të mediumeve, të përfaqësuesve të mediumeve për shkak se bëhej fjalë për një kontratë që llogaritej problematike kontrata. Ne kemi dhënë udhëzim tek ndërmarrja që të ndryshoj kontratën dhe nga viti të ri shpall kontratë për shfrytëzim të automjeteve me qira për shkak se ndërmarrja nuk është në gjendje të blejë dhe të siguroj vetë dhe do të shohim nëse do të paraqiten kompani atëherë do të shkojmë me qiramarrje të dy apo më shumë, në bazë të kërkesave të ndërmarrjes”, u shpreh Bilall Kasami, kryetar i Komunës së Tetovës.

Kontrata me kompanitë private u nënshkrua në maj-qershor 2022. Marrëveshja parashihte që 70% të fitimit e merrte kompania private dhe vetëm 30% komuna.

Ndërkohë, qyteti i Tetovës vazhdon të përballet me mungesën e parkingjeve në qytet. Kryetari i komunës ka dështuar në realizimin në tërësi të planit me pesë pika për krijimin e parkingjeve të reja në Tetovë gjatë vitit 2022. Kasami e arsyeton me atë se për parkingjet në kate ende nuk mund të gjejnë zgjidhje ligjore. Nga ana tjetër,  tha se dinamika për parkingjet e hapura dhe të mbyllura vijon,

Kasami në fushatën parazgjedhore kishte premtuar se parkingu do të jetë falas derisa të krijojë parkingje të mjaftueshme për çdo veturë, megjithatë nuk e realizoi këtë premtim. Parkingu pa pagesë ishte vetëm dy javë dhe e pagesa u rikthye. Ndërkaq më pas u rrit çmimi i parkimit zonal, atyre të mbyllura dhe ajo e shërbimit merimangë.