Tetovë: Gjendet çantë e humbur me para dhe dokumente personale, policia gjeti pronarin

Një qytetar nga Tetova gjeti një çantë me para, karta bankare, çelësa dhe dokumente personale. Ai e dorëzoi në polici dhe pas tre orësh e gjysmë u gjend pronari, shkruan Portalb.mk.

“Më datë 31.12.2023, në ora 10:45, një person me çantë i është afruar shërbimit patrullues para hyrjes në Tetovë dhe ka lajmëruar se e ka gjetur një çantë në një pikë karburanti. Pas marrjes së masave, efektivët e policisë kanë gjetur pronarin rreth orës 14:20 dhe i kanë kthyer gjithçka. Sektori i Punëve të Brendshme Tetovë mirëpret procedurën e tetovarit dhe apelon qytetarët që ta ndjekin këtë shembull”, shkruan Sektori i Punëve të Brendshme (SPB) Tetovë.

Çanta, sipas kumtesës së Sektorit i Punëve të Brendshme (SPB) Tetovë, i ka rënë nga pakujdesia një burri nga Shkupi, i cili duke udhëtuar për në Ohër, është ndalur në Tetovë në një pikë karburanti. Policia e ka gjetur pronarin e çantës pas tre orësh e gjysmë. Ai është një banor i Shkupit, i cili ka udhëtuar për në Ohër, me shumë gjasa për të pritur Vitin e Ri.