Tetovë, 6 vite pritje për filtër stacionin për ujërat e zeza, tenderin duhet ta shpallë Ministria e Financave, e cila nuk tregon kur

Ndonëse kontrata për implementimin e projektit IPA për ndërtimin e filtër stacionit për trajtimin e ujërave të zeza dhe zgjerimin e rrjetit të kanalizimit në Komunën e Tetovës është nënshkruar në vitin 2017, zbatimi i projektit është zvarritur vazhdimisht. Madje, ende nuk është shpallur tenderi për të njëjtën. Dosja ka ngecur në Ministrinë e Financave, por nga ky institucion nuk përgjigjen në pyetjet gazetareske se kur do të shpallet tenderi. Nga Komuna e Tetovës presin që të shpallet në shtator, shkruan Portalb.mk.

Çka është ky projekt dhe çfarë do të ndërtohet?

Projekti i cili kap vlerën prej 30 milionë eurove, financohet nga Bashkimi Evropian dhe në të janë të përfshira disa institucione si Komuna e Tetovës, NPK Tetova, Ministria e Mjedisit, Ministria e Financave, Delegacioni i BE-së në vend, të cilët kanë obligime të ndryshme. Sipas projektit, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor do të jetë përfituese, ndërsa Komuna e Tetovës dhe Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova” NPK do të jenë përfituesit final.

Projekti do të përfshijë filtrimin e ujërave të zeza për Tetovën me rrethinë me 95 mijë banorë, ndërsa sistemi do të ndërtohet në fshatin Falisht.

Tetova. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Tetova. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

 

Në bazë të studimit të fizibilitetit dhe strategjisë për implementimin e këtij projekti, parashihet të ndërtohet një rrjet i ri i kanalizimit (kolektor) i cili do të mbledhë ujërat e zeza të rrjetit ekzistues të kanalizimit dhe do t’i dërgojë në stacionin filtrues. Hapësira e mbledhjes së ujërave do të mbulojë këto vendbanime: Tetovë, Reçicë e Vogël, Reçicë e Madhe, Poroj dhe Xhepçisht. Parashihet që stacioni filtrues të ketë kapacitet të mbulojë edhe rrjetin e kanalizimit i cili do të ndërtohet në komunat e tjera rurale të cilat kufizohen me Tetovën që në të ardhmen edhe këto komuna të kyçen në këtë stacion filtrues.

Komuna e Tetovës pret që Ministria e Financave të shpallë tenderin

Për të parë se ku ka ngelur kjo procedurë dhe çfarë pritet më tej, Portalb.mk bisedoi me Fatmir Sabriun, koordinatorin e këtij projekti nga ana e Komunës së Tetovës.

Ai tha se dokumentacioni i tenderimit pas shumë korrigjimeve nga ana e ekipit të përbërë nga përfaqësues të Komunës dhe Ministrisë me kërkesë të Delegacionit të Unionit Evropian gjendet në Sektorin përkatës së Ministrisë së Financave për shpallje të dosjes tenderike për pranim të ofertave nga ofertues të ndryshëm.

“Vlerësimi ynë është se shpallja duhet që të bëhet gjatë muajit shtator, mirëpo duhet që të kihet parasysh fakti që një gjë e tillë nuk varet prej nesh, por prej Ministrisë së Financave dhe Delegacionit të Unionit Evropian. Në rast se gjithçka shkon sipas planit dhe kontrata nënshkruhet deri fund të dhjetorit të këtij viti, atëherë punimet duhet që të fillojnë në pranverën e vitit 2024, mirëpo përsëri e theksojmë se nuk jemi kompetent dhe nuk varet nga ne ky fakt”, tha Sabriu.

Fatmir Sabriu (foto nga arkivi i tij personal - e përdorur me leje)
Fatmir Sabriu (foto nga arkivi i tij personal – e përdorur me leje)

I pyetur për arsyet zvarritjeve dhe nëse ka pengesa në projekt, ai u përgjigj se në vitin e fundit 2022-2023 është dashur që të bëhet një punë shumë e madhe për të përmirësuar/korrigjuar dosjen tenderike.

“Për këtë arsye me insistim të Kryetarit të Komunës u formua ekip i veçantë i përbërë nga ekspert të fushës të cilët dhanë kontributin e tyre për të korrigjuar apo evituar paqartësitë e paraqitura në dosjen tenderike. Gjithashtu, nga ana e Ministrisë u angazhua kompani e veçantë e cila në bashkëpunim me përfaqësuesit e Komunës u përgjigjen të gjitha pyetjeve të parashtruara nga ana e Delegacionit lidhur me përmbajtjen e dosjes tenderike. Të gjitha këto dilema tanimë janë evituar dhe besojmë që kemi ndërtuar një dokumentacion teknik i cili i plotëson të gjitha kushtet në përputhje me standardet dhe praktikat e mira ndërkombëtare”, theksoi Sabriu.

Një nga detyrat kryesore që duhet të përfundojë Komuna e Tetovës për këtë projekt është procesi i shpronësimit (eksproprijimit). Nga Komuna thonë se si propozues i kanë të përgatitura të gjithë propozimet për shpronësim, por në koordinim me organin e eksproprijimit, Ministrinë e Financave – Njësia për çështje pronësore juridike, procedurën e eksproprijimit e kanë ndarë në tri prioritete edhe atë: 1. Tetova, 2. Reçicë e Madhe dhe e Vogël, 3. Poroj dhe Xhepçisht.

“Prioriteti i parë është gati i përfunduar me vendime për eksproprijim ose marrëveshje për eksproprijim dhe tanimë jemi në procedurë të eksproprijimit për prioritetin e dytë (Reçicë e madhe dhe e vogël). Lidhur me pyetjen se a ka pengesa nga ana e qytetarëve, mund të konstatojmë se një pjesë e qytetarëve e shfrytëzojnë të drejtën e tyre ligjore që të ankimojnë vendimet për eksproprijim, gjegjësisht të parashtrojnë padi deri në gjykatën administrative çka për ne është ngarkesë ose thënë ndryshe zvarrit procedurën e eksproprijimit”, theksoi Sabriu.

Ai thotë se procesi i shpronësimit nuk varet vetëm nga Komuna, sepse janë vetëm palë procedurale në proces.

“Si komunë i kemi përgatitur të gjitha dokumentacionet e nevojshme: elaborat gjeodezik, kemi nxjerrë fletëpronësi, historikun e pronave, propozimin për eksproprijim, për të gjithë tokën e cila duhet të eksproprijohet edhe atë për të tre prioritetet, por për shkak të numrit të madh të lëndëve dhe ngarkesës së punës te Ministria e Financave – njësia për çështje pronësore juridike, me kërkesë të tyre këto propozime për eksproprijim i dorëzojmë në faza/etapa edhe atë sipas prioriteteve (1, 2 dhe 3). Eksproprijimi duhet të kryhet deri në momentin e lidhjes së kontratës”, tha për Portalb.mk, Sabriu.

MMJPH: MF duhet ta paraqesë tenderin te Delegacioni i Bashkimit Evropian

Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH). Foto nga faqja zyrtare e ministrisë në Facebook
Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH). Foto nga faqja zyrtare e ministrisë në Facebook

Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH) për Portalb.mk thekson se dosja e tenderit është dorëzuar në Ministrinë e Financave, në departamentin Qendror të Financimit dhe Kontraktimit.

“Ky departament duhet ta paraqesë atë te Delegacioni i Bashkimit Evropian për miratim. Pas miratimit nga ana e tyre, pason periudha tremujore të paraqitjes së ofertave. Pas ofertave të dorëzuara bëhet vlerësimi (nga 2-3 muaj).
Pas lidhjes së Marrëveshjes duhet të fillojnë punimet ndërtimore, për të cilat është paraparë periudhë 2 vjeçare dhe një vit për raportimin e defekteve. Parakusht për lidhjen e kontratës është përfundimi i procesit të shpronësimit nga Komuna e Tetovës”, thanë nga MMJPH.

Delegacioni i BE-së në RMV: Pasi Ministria e Financave nuk e ka shpallur tenderin, detajet kërkoni atje

Delegacioni i Bashkimit Evropian në RMV - Shkup. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Delegacioni i Bashkimit Evropian në RMV – Shkup. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Delegacioni i BE-së në vend për Portalb.mk thotë se BE-ja vë theks të madh në mbështetjen e sektorit të mjedisit në Maqedoninë e Veriut dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë.

Fondet për këtë projekt janë ndarë kuadër të Programit Shumëvjeçar IPA II për Veprimin Mjedisor dhe Klimatik 2014-2020. Krahas mjeteve për ndërtim, financa janë ndarë edhe për shërbimet përkatëse për mbikëqyrjen e ndërtimit.

“Ndarja është bërë nga autoritetet kombëtare pasi që ky projekt zbatohet në “menaxhimi indirekt nga shteti përfitues”, që do të thotë se Ministria e Financave është autoriteti kompetent për zbatimin e projektit – për prokurimin dhe kryerjen e punëve. Meqenëse Ministria nuk e ka shpallur ende thirrjen për tender për ndërtimin, detajet mbi qëllimin dhe afatin kohor të projektit nuk janë ende publike. Prandaj, për çdo informacion të mëtejshëm, ju lutemi drejtojini pyetjet tuaja autoritetit menaxhues, d.m.th. Departamentit Qendror të Financimit dhe Kontraktimit të Ministrisë së Financave”, thanë nga Delegacioni i BE-së në vend.

 

Heshtje nga Ministria e Financave

Ministria e Financave e RMV-së. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Ministria e Financave e RMV-së. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Kontaktuam Ministrinë e Financave për atë se kur do të shpallet tenderi për këtë projekt, por nga atje nuk u përgjigjën në pyetjet gazetareske.

Sipas planit, punimet duhet që të mbarojnë në afat prej 24 muajve prej momentit të nënshkrimit të kontratës.

 

Pasojat u kushtojnë shtrenjtë qytetarëve

Vërejtje për zvarritjen me vite të këtij projekti kaq të rëndësishëm mjedisor kanë nga organizata ekologjike “Eco Guerila”. Nga atje për Portalb.mk thonë se edhe Bashkimi Evropian ka rënë në hall nga paaftësia e institucioneve të vendit për t’i realizuar projektet në terren.

“Sot jemi në vitin 2023, qytetarët janë lodhur nga debatet, prezantimet e bukura me shumë fjalë dhe pa asnjë realizim konkret. Nuk e dimë si mundet një shtet që akoma nuk e ka zgjidhur këtë problem shumë të rëndësishëm mjedisor do të fillojë negociatat për BE. Udhëheqja e institucioneve nga kuadro joprofesioniste dhe të paafta partiake, që nuk dinë të shkruajnë e implementojnë projekte është duke u kushtuar shtrenjtë si qytetarëve ashtu edhe mjedisit jetësor, posaçërisht lumenjve”, theksojnë nga “Eco Guerila”.

Me realizimin e këtij projekti, pritet që ujërat fekale të mos lëshohen në lumin Vardar. Kështu, do të realizohet një nga reformat e nevojshme në sektorin e ekologjisë, sektor ky që përfshin disa nga reformat më të ndërlikuara që duhet ti zbatojë RMV-ja në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

Eco Guerila, foto nga faqja e tyre zyrtare në Facebook
Eco Guerila, foto nga faqja e tyre zyrtare në Facebook

Projekti u promovua disa herë por pa rezultat

Ndërtimin e stacionit të pastrimit të ujërave të zeza në fshatin Falisht e promovoi edhe kryetarja paraprake e Komunës së Tetovës – Teuta Arifi gjatë mandatit të dytë. Në korrik të vitit 2019 u pastrua lokaliteti ku duhej të ndërtohej stacioni, i cili asokohe duhej të fillonte vitin e ardhshëm (2020), por që nuk u bë.

Në vend që të nënshkruhet kontrata me ofertuesit më të përshtatshëm dhe fillim të ndërtimit, në vitin 2021 pasoi revidim i dokumentacionit teknik dhe tenderues dhe përgatitje për shpallje të tenderit të ri ndërkombëtar.

Më pas, në tetor të vitit 2022, kryetari aktual i Komunës së Tetovës – Bilall Kasami e riaktualizoi këtë temë, i cili përmendi se do të angazhohen që ky projekt sa më shpejtë të përfundojë.

Ndërkaq në shkurt të vitit 2023 në komunë u organizua debati publik pikërisht për këtë ku projekti u prezantua në detaje.