Emira Ymeri, dizajnerja e modës që veshi Hindi Zahrën

Mjafton të shohësh Emirën në përditshmëri duket se moda për të nuk është një defile e një nate, por mënyrë jetese, mënyrë shprehjeje, mënyrë për të folur me të tjerët pa e thënë as edhe një fjalë. “Unë me ”farmerka” e pi veç kafen” – shprehet ajo, duke theksuar se veshja jep mesazhe, komunikojmë përmes saj, ndaj duhet të kemi kujdes se ç’flasim.  Sfilata e saj e fundit “Perëndeshat” i kishte në fokus femrat. Një bisedë e lehtë rreth sfilatave dhe veshjeve që ka dizajnuar vjen për lexuesit e Portalb.mk

Foto nga profili personal i Emirës
Foto nga profili personal i Emirës
Kreacion i Emirës
Kreacion i Emirës

“Femrat e saja” ishin si të dala nga romanet e Bukovskit, femra misterioze, të fuqishme, sensuale, te egra ,por edhe në të njëjtën kohë të brishta nga brenda. “Perëndeshat” e Emirës janë gra të panënshtruara, të forta, që gëlojnë nga vetëbesimi. Janë të lira, të vetmet pranga kanë aksesorët.

Emira është lindur dhe rritur në Kumanovë. Momentalisht është profesoreshë në “Universitetin Nënë Tereza”, por punon në shumë projekte teatrale dhe filmike si kostumografe. Nuhatja e saj dhe njohjet për personazhet dhe karakteret ka bërë që të futet dhe në botën e artit skenik dhe të jetë e pranueshme shumë mirë me botën e saj plot ngjyra.

Është e lumtur që së fundmi ka filluar t’i jepet rendesi profesionit të saj.

Sa sfilata ke bërë deri më sot?

Emira Ymeri: Tre sfilata: e para është koleksion i inspiruar nga vitet 50-ta dhe Divat që i përkasin asaj periudhe duke përzgjedhur me finesë ngjyrat dhe prerjet që karakterizojnë vitet e 50-ta. Ky koleksion ka qenë i prezantuar vetëm nëpërmjet foto sesionit, nga që është realizuar sapo kisha kryer studimet. Koleksioni i dytë është „HEYOKA“, koleksion i inspiruar nga amerikanët e veriut (Indianët). Gjithmonë më ka inspiruar kjo kulturë, veshja, detajet dhe aksesorët të cilët më frymëzuan që ta sfidoj veten dhe të krijoj një koleksion tjetër po me këtë kulturë. E them sfiduese, sepse koleksioni ka qenë i prezantuar në vitin 2017. Po në ketë sezon të gjitha shtëpitë më të mëdha botërore prezantonin koleksione eksperimentuese dhe stili Indian nuk zinte vend në këto koleksione. Fiks pasi prezantova koleksionin tim, sezonin e ardhshëm pashë qe DIOR ishte rikthyer fuqishëm duke u frymëzuar po nga Indianët e veriut. Pra, nuk isha e vetmja dizajnere që isha e pasionuar pas asaj kulture (qesh).

Koleksioni i tretë është „Perëndeshat“. Në ketë koleksion kam eksperimentuar më shumë me stilet. Eksperimentues ka qene i tërë koleksioni ngaqë si inspirim nuk e kisha një muze, por me shumë (femra), karaktere dhe personazhe të cilat me kanë frymëzuar. Si gjithmonë, aksesorët kanë qenë ato të cilat kanë bërë lidhshmërinë e kreacioneve edhe pse ka pasur më shumë stile.

Foto nga profili personal i Emirës
Foto nga profili personal i Emirës

Femër dhe dizajnere mode është sfiduese?

Emira Ymeri: Nuk është aspak. Gjinia jonë ka aftësi të shohë të bukurën në gjithçka. Nga imperfeksioni krijojmë perfeksion, qoftë edhe në imagjinatën tonë. Gjithë rrugëtimin si dizajnere e modës e shoh si bekim për arsye se pavarësisht adrenalinës që pësoj gjatë procesit të punës, finalizimi duke parë të bukurën në pasarelë, nuk paguhet me asgjë.

A flasin njerëzit me veshjet që mbajnë?

Emira Ymeri: Flasin, por nuk janë te vetëdijshëm sa „flasin“. Unë veshjen dhe stilin e perceptoj si reflektim të mendësisë dhe shpirtërores.

Hindi Zahra me veshjen e Emirës
Hindi Zahra me veshjen e Emirës

Ke veshur ndonjë njeri ‘’vip’’?

Emira Ymeri: Po. Është këngëtarja e jazz- soulit Hindi Zahra. Është interesante e gjithë ngjarja, ngaqë kjo këngëtare mua më kishte inspiruar shumë gjatë gjithë krijimit të koleksionit. Erdhi koha për ta prezantuar ketë koleksion dhe nuk më vinte në mend asnjë muzikë që do ishte e denjë dhe do përshtatej me temën. Disa ditë para eventit më erdhi në mendje kënga e Hindi Zahras-The Moon. Kjo kënge i dha edhe më shumë shpirt koleksionit. Pasi bëra prezantimin, kontaktuam me Hindi Zahra  dhe ia dërgova njërin prej kreacioneve të cilin e veshi në tre festivale të jazzit. Më tha se ndjehej shumë bukur në skenë dhe se fustani i jepte ndjesi të veçantë gjatë performancës. Madje, më ka ftuar të shkoj në vendlindjen e saj në Morocco e të me dërgojë ne vende ku do gjejë edhe me shumë inspirim për koleksionet e ardhshme. Kënga e Hindit me veshjen e Emirës.

“Perëndeshat” kush janë për ty?

Emira Ymeri: Është FEMRA e fortë dhe e guximshme e cila edhe shkëmbinjtë i mban mbi shpatulla, ama nuk e humbet balancën, bukurinë, buzëqeshjen, guximin e besimin në asnjë moment.

Kreacion i Emirës
Kreacion i Emirës

***

Kreacion i Emirës
Kreacion i Emirës

Për modën kanë shkruar njerëz të famshëm,  duke përfshirë filozofët, shkrimtarët, sociologët, antropologët, psikologët dhe semiotistët atëherë moda përfshinte gjithçka dhe nuk dallonte shumë nga dizajni dhe tendencat që janë mocione të reja dhe nuanca e kuptime që shkojnë larg modës. Hegeli, për shembull, e konsideronte modën si një lloj kotësie, për filozofin Kant nënkuptonte kënaqësinë e ndryshimit të vazhdueshëm, Walter Benjamin e përcaktoi atë si “kthimi i përjetshëm i së resë” dhe Mallarmé e quajti atë “perëndeshë e dukjes.  Për Bodlerin moda ishte “kalimtare, arratisje”. Për të gjithë, moda ishte as më shumë e as më pak se shenja e modernitetit.

Njihuni me modën si gjuhë dhe zbuloni mesazhet që komunikoni përmes veshjeve që zgjidhni të vishni çdo ditë. Shtoni një botë kuptimesh në veshjet tuaja!

“Moda është mjeti më i mirë për të na ndihmuar të ëndërrojmë” thoshte stilisti Giorgio Armani.