Tetova përballë një tjetër beteje urbane, Kasami e la të hapur shitjen e parcelave komunale (Video)

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami e ka lënë të hapur mundësinë që komuna të shesë toka publike për të financuar projekte komunale, duke hapur debate të reja për menaxhimin e pasurisë së qytetit. Derisa ai e paraqet shitjen si një nga opsionet për sigurimin e mjeteve, opozita dhe shoqëria civile e akuzojnë se po vë në rrezik interesin publik dhe po hap rrugë për tjetërsimin e pronës së qytetarëve. Ata kërkojnë që komuna të heqë dorë nga planet për shitjen e parcelave publike dhe të gjejë forma të tjera financimi, shkruan Portalb.mk.

Në seancën e mbajtur më 18 maj 2026, shumica e Këshillit Komunal në Tetovë, e përbërë nga VLEN dhe VMRO-DPMNE votuan plotësimin dhe ndryshimin e Programit për menaxhimin me tokën ndërtimore në Komunën e Tetovës.

Kjo nuk do të thotë domosdoshmëritsht se komuna do t’i shesë tokat megjithatë në plan për shitje janë parcelat si për shembull: dy te EVN-ja, parkingu te VERO, tokë te Qendra Sportive, parcelë pas One Hospital, tokë në fshatin Saraqinë, tokë afër lumit Shkumbin, disa parcela në Reçicë të Vogël.

I pyetur nga Portalb.mk se a do t’i shesë këto toka ose jo, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami nuk e përjashtoi si mundësi, nuk e tha direkt, por mes rreshtash e konfirmoi se nuk e ka problem t’i shesë tokat e komunës, duke u arsyetuar se më të rëndësishme e ka të realizojnë projekte nga këto mjete.

“Për ne prioritet është realizimi i projekteve dhe sigurisht që këtu analizohen të gjitha burimet e financimit të këtyre projekteve, një ndër ta është dhe shitja e tokës ndërtimore”, tha Kasami.

Ai akuzoi opozitën (BDI-në) se sheh ëndrra se komuna ka shitur toka, pasi siç tha, ata po e tregojnë si akt të kryer, ndërkaq thotë se lokacionet të cilat opozita i ka përmendur nuk janë shitur.

“Ajo që është indikative, kritika e pabazë që ata prona mund të shiten me çmime simbolike që nuk qëndron aspak, të gjitha proceduar do jenë në bazë të ligjit dhe sigurisht në bazë të procedurës për furnizime publike që është ligj i veçantë”, tha Kasami.

Ai theksoi se analizojnë mundësitë që tokat e komunës të jenë edhe burime të financimit të realizimit të projekteve si ndërtimi i stadiumit të Tetovës dhe terreneve sportive te qendra sportive.

“Kështu që ne do të shfrytëzojmë të gjithë burimet e financimit për realizimin e këtyre projekteve, një ndër ata mund të jetë edhe shitja e tokës ndërtimore në kuadër të Komunës së Tetovës. Nuk përjashtoj asnjë mundësi të shfrytëzimit të burimeve për realizimin e projekteve, nuk ka ndodhur asnjë shitje e tillë deri tash dhe nuk do të ndodhë në kundërshtim me ligjin”, tha Kasami.

Lidhur me këtë, përmes një deklarate për Portalb.mk Arbresha Neziri nga BDI tha se Kasami vetë e pranoi se shitja e pronës publike mbetet si opsion.

“Pra, kjo nuk është një “ëndërr e opozitës”, por një rrezik real për Tetovën, i konfirmuar nga vetë kryetari. Prona publike nuk është burim për të mbuluar projekte të keqplanifikuara. Ajo është pasuri e qytetarëve dhe duhet të ruhet për parqe, çerdhe, kënde lojërash dhe hapësira publike, e jo t’u shitet investitorëve të afërt me pushtetin, me qëllim realizimin e përfitimeve personale”, tha Neziri.

Ajo përmendi shitjen e Monopolit dhe parkingut pranë NPK Tetova të cilat u shitën me çmime shumë më të ulëta se nga vlera reale.

“Bilall Kasami e ka dëshmuar veten si tregtar dhe tjetërsues të pronës publike. Prandaj, alarmi që po ngremë sot bazohet në veprimet e tij në të kaluarën e afërt, për të cilat ai do të përgjigjet përpara ligjit. Ne kërkojmë që Bilall Kasami dhe Adnan Azizi të tërhiqen menjëherë nga çdo plan për shitjen e këtyre pronave”, tha Neziri.

Nga ana tjetër, këshilltari i pavarur nga Më Mirë për Tetovën, Agron Arifi i tha Portalbit se mundësia e financimit të komunës nga shitja e tokës ndërtimore nuk duhet të shërbejë si argument për shitjen e parcelave të parapara në planin për menaxhimin me tokën ndërtimore.

“Ka disa parcela të cilat mendoj se më shumë mund t’ju shërbejnë qytetarëve me destinime tjera, një nga ato parcela është kjo e cila gjendet prapa nesh (pas One Hospital), e cila gjendet mes blloqesh ndërtesash”, tha Arifi.

Në ndërkohë, banorët të cilët jetojnë në ndërtesat te One Hospital dhe ndërtesat prapa këtij objekti, kanë dorëzuar një peticion në Komunën e Tetovës, konkretisht deri te kryetari i komunës, kryetari i Këshillit dhe Sektori për Urbanizëm, si dhe në disa institucione qendrore si: Inspektorati Shtetëror për Ndërtimtari dhe Urbanizëm, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Avokati i Popullit, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Ata kanë dorëzuar kundërshtim formal ndaj procedurës për shitjen e parcelës PN.T.60.4 (parcela nr.3165/1 KK Tetova 1) dhe dhënies së lejes për ndërtim banesor.

“Ne, banorët dhe qytetarët e kësaj zone, duke vepruar në mbrojtje të interesit publik, kushteve elementare të jetesës urbane dhe të drejtës së qytetarëve për pjesëmarrje në proceset vendimmarrëse, paraqesim këtë peticion dhe kundërshtim formal ndaj procedurave për urbanizimin shitjen dhe shitjen e parcelës PN.T.60.4. (parcela nr.3165/1 KK Tetova 1). Nga dokumentacioni urbanistik i publikuar nga Komuna e Tetovës rezulton se për parcelën në fjalë është paraparë destinim A2 – banim kolektiv, me: sipërfaqe ndërtimi prej 664 m²; bruto sipërfaqe të zhvilluar prej 4649.33 m²; koeficient shfrytëzimi 2.45; lartësi të lejuar P+5+PK. Vlerësojmë se realizimi i këtij projekti në këtë hapësirë do të shkaktojë pasoja serioze urbanistike, infrastrukturore dhe sociale për banorët ekzistues, duke cenuar standardet minimale të jetesës dhe funksionalitetin urban të zonës”, thuhet në letër.

Ata kërkojnë: Ndërprerjen e menjëhershme të procedurës për shitjen ose tjetërsimin e parcelës PN.T.60.4. (parcela nr.3165/1); pezullimin e çdo procedure administrative për dhënie të lejes për ndërtim deri në shqyrtimin e plotë institucional të rastit; organizimin e debatit publik dhe konsultim të drejtpërdrejtë me banorët e zonës; publikimin dhe qasjen e plotë në dokumentacionin urbanistik, procedural dhe pronësor lidhur me parcelën; kryerjen e mbikëqyrjes inspektuese dhe verifikimin e ligjshmërisë së procedurës nga institucionet kompetente; respektimin e standardeve urbanistike, të drejtës së qytetarëve për mjedis të shëndetshëm dhe mbrojtjen e interesit publik. ndryshimi i destinimit të parcelës në park publik dhe hapësirë të gjelbër.

Portalb.mk ka biseduar me disa nga banorët, ata thonë se fillimisht do të presin përgjigje nga institucionet, nëse nuk pranohet kërkesa e tyre do të vazhdojnë edhe me masa më radikale si protesta apo të ngjashme.

Edhe këshilltari Agron Arifi tha se do të propozojë në këshillin komunal që të ndryshohet destinimi i parcelës prapa One Hospital dhe të bëhet park.

Ai thotë se komuna duhet ta mbrojë interesin publik jo të mbështesë investimet private të cilat janë në dëm të interesit publik.

“Disa nga parcelat të cilat janë në programën për shitje janë në kundërshtim me interesin publik. Do japim maksimumin që kjo mos të ndodhë. Është politikë e kryetarit aktual të komunës që edhe ndërmarrjet komunale t’i japë me partneritet publiko-privat. Disa nga këto parcela që janë në programin për shitje janë me destinim për garazhe në kate, kjo është mundësi e mirë që nëse komuna vetë nuk mund të investojë, mund të bëjë partneritet publiko-privat për të zgjidhur kaosin me parkingjet në qytet”, tha Arifi.

Ndërkaq lidhur me çmimoren me të cilën shiten tokat ndërtimore dhe për të cilat BDI-ja vazhdimisht ka reaguar ditëve të fundit, ai thotë se është e habitshme që ata reagojnë për diçka që është miratuar në kohën kur BDI ka qenë në Qeveri.

“U krijua shumë bujë në opinion për çmimoren me të cilën shiten tokat ndërtimore, çmimorja caktohet nga Qeveria, është caktuar që nga koha kur BDI-ja ishte pjesë e pushtetit, është e çuditshme kjo pjesa se pse ata reagojnë për të njëjtën çështje. Është e vërtetë se çmimet të cilat parashihen për shitjen e parcelave janë shumë të ulëta. Në opinion qarkullojnë dezinformata se kjo është bërë me qëllime të përfitimeve materiale jashtainstitucionale, fillimisht dakordësohet me blerësin e mundshëm një çmim tjetër dhe pastaj zhvillohet ai ankandi elektronik, edhe pse në Tetovë asnjëherë nuk ka pasur ankand elektronik për shitjen e tokës ndërtimore”, tha Arifi.

Kujtojmë se vitin e kaluar opinioni mësoi se Komuna e Tetovës në mënyrë jotransparente e ka lejuar shitjen e tokës shtetërore te ish-Monopolli prej 6,817 metër katrorë për 70 denarë metër katrori, dhe se aty do të ndërtohen ndërtesa. 

Hulumtimi i Portalb-it tregoi se e gjithë kjo procedurë pati filluar në vitin 2019 kur në krye në komunës ka qenë Teuta Arifi. 

Ky bllok edhe pse ishte i paraparë si zonë industriale, Këshilli Komunal i përbërjes 2021/25 i Tetovës, shumicën e të cilit e përbënin Lëvizja Besa dhe VMRO-DPMNE, në nëntor 2024 e kthyen në zonë banimi, me çka u dha drita e gjelbër që në këtë zonë mund të ndërtohet.mPra, ka qenë në dorën e udhëheqësisë aktuale të Komunës së Tetovës që të vendosë nëse tek ish-Monopolli do të ndërtohen banesa ose jo.

Kryetari i komunës Bilall Kasami nuk është treguar tërësisht i sinqertë kur thotë se gjithçka është ‘gatuar’ më herët. Ai gjithashtu ka pasur mundësi të pezullojë Planin Detal Urbanistik e përgatitur në kohën e Teuta Arifit ose të privatizojë tokën shtetërore pas ri-destinimit në zonë për banim kolektiv.