BDI akuzoi Komunën e Tetovës se po planifikon shitjen e pronës publike

Nën moton“Ekspozita e turpit – Tetova shitet për 1 euro”, Bashkimi Demokratik për Integrim dega Tetovë, organizoi një aksion simbolik, për t’ua paraqitur qytetarëve sip thanë, vjedhjen më të madhe të pronës publike që po i përgatitet Tetovës për vitin 2026, transmeton Portalb.mk.

Nga kjo parti thanë se, kanë detektuar dhe po e paraqesin para opinionit “planin ogurzi dhe urbanocidin” që i kanoset Tetovës.

“Siç kemi njoftuar edhe më herët, bëhet fjalë për mbi 56 mijë metra katrorë pronë të qytetarëve të Tetovës, e cila, përmes skemave tashmë të njohura për opinionin, si ajo e Monopolit, tentohet t’u “falet” njerëzve të afërt me pushtetin. Motivi kryesor janë përfitimet e majme materiale të udhëheqësisë aktuale dhe rrethit të ngushtë pranë tyre. Sot po ju paraqesim disa nga lokacionet kyçe që janë në këtë listë të zezë, duke e ilustruar qartë atë që duan ta bëjnë kumbari i shitjes së pronës publike, Adnan Azizi, dhe ekzekutori e nënshkruesi i këtij plani, Bilall Kasami”, thanë nga kjo parti.

 

BDI Dega Tetovë
BDI Dega Tetovë

 

Më 18 maj, plotësimi dhe ndryshimi i Programit për menaxhimin me tokën ndërtimore në Komunën e Tetovës ka nxitur debat dhe protestë brenda sallës së Këshillit Komunal. Opozita akuzoi se komuna do të shesë disa parcela me çmim prej 1 euro metër katror, ndërsa nga komuna thonë se kjo nuk do të ndodhë, këshilltari i Më Mirë për Tetovën i tregoi se cilat parcela janë në plan për tu shitur.

Kujtojmë se vitin e kaluar opinioni mësoi se Komuna e Tetovës në mënyrë jotransparente e ka lejuar shitjen e tokës shtetërore te ish-Monopolli prej 6,817 metër katrorë për 70 denarë metër katrori, dhe se aty do të ndërtohen ndërtesa. 

Hulumtimi i Portalb-it tregoi se e gjithë kjo procedurë pati filluar në vitin 2019 kur në krye në komunës ka qenë Teuta Arifi. 

Ky bllok edhe pse ishte i paraparë si zonë industriale, Këshilli Komunal i përbërjes 2021/25 i Tetovës, shumicën e të cilit e përbënin Lëvizja Besa dhe VMRO-DPMNE, në nëntor 2024 e kthyen në zonë banimi, me çka u dha drita e gjelbër që në këtë zonë mund të ndërtohet.mPra, ka qenë në dorën e udhëheqësisë aktuale të Komunës së Tetovës që të vendosë nëse tek ish-Monopolli do të ndërtohen banesa ose jo.

Kryetari i komunës Bilall Kasami nuk është treguar tërësisht i sinqertë kur thotë se gjithçka është ‘gatuar’ më herët. Ai gjithashtu ka pasur mundësi të pezullojë Planin Detal Urbanistik e përgatitur në kohën e Teuta Arifit ose të privatizojë tokën shtetërore pas ri-destinimit në zonë për banim kolektiv.