Teologët dhe medresantët presin përgjegjësi nga deputetët

Çështja “historike” e akreditimit të shkollave të mesme fetare nga shteti mbetet e pazgjidhur. Ndonëse në tre vitet e fundit është bërë progres i dukshëm në përafrimin e qeverisë dhe dy komuniteteve fetare me shkollat e mesme (KOM-AO dhe BFI), bllokada në Kuvend ka një vit të tërë që vazhdon. A do ta kalojnë përfundimisht deputetët Projektligjin për Akreditimin para zgjedhjeve të vitit 2024?

Shkruan: Samet Shabani. Foto nga Respublica (e përdorur me leje)
Shkruan: Samet Shabani. Foto nga Respublica (e përdorur me leje)

Pas konfliktit të armatosur të vitit 2001, Maqedonia njihet si shtet mesatarisht i avancuar në fushën e lirisë fetare. Institucionet avokojnë në mënyrë aktive për miratimin e standardeve ndërkombëtare në garantimin e kësaj të drejte universale të njeriut.

Për shembull, Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve, me kërkesë të një të burgosuri, ofron ushqim sipas standardeve fetare (hallall, kosher, etj.). Në bashkëpunim me komunitetet fetare, institucionet po bëjnë progres në futjen e kapelanisë ushtarake (military chaplaincy) si standard në të gjitha vendet anëtare të NATO-s. Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për vitin 2022 mbi lirinë fetare ndërkombëtare vë në dukje bashkëpunimin midis qeverisë dhe komuniteteve fetare për shumë çështje të ndërlidhura.

Megjithatë, akreditimi i shkollave të mesme fetare (Shkolla Teologjike “Shën Kliment Ohridski“ dhe Medreseja „Isa Beu“) mbetet një plagë e hapur që nuk është duke u shëruar me dekada. Raporti i Departamentit të Shtetit e përshkruan këtë plagë në detaje.

Paradoksi është se Ligji për statusin juridik të një kishe, komuniteti fetar dhe grupi fetar lejon themelimin e shkollave të mesme nga subjektet fetare të regjistruara, por nga ana tjetër, ato nuk janë (ende) të akredituara si shkolla të mesme nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Kështu, teologët dhe medresantët që përfundojnë një plan mësimor në shkollat ​​e mesme fetare janë të diskriminuar dhe nuk mund të vazhdojnë shkollimin në asnjë drejtim në universitetet e vendit tonë.

Të kufizuar në zgjedhje

Ata detyrohen të zgjedhin një nga tre “fatet” e mundshme:

1. Të vazhdojnë në fakultetet teologjike në vend (П Fakulteti Teologjik Ortodoks “Shën Kliment Ohridski” Fakulteti Teologjik Ortodoks “Shën Kliment Ohridski” – Shkup ose Fakulteti i Shkencave Islame);

2. Të vazhdojnë në ndonjë drejtim në disa prej universiteteve në rajon, Turqi apo Lindjen e Mesme (të gjitha të themeluara kryesisht nga fondacione fetare);

3. Të mos vazhdojnë fare shkollimin (që është më së shumti rasti për studentet femra, prandaj hasin vështirësi në lëvizjen në Shkup ose jashtë vendit).

Për t’u diskriminuar edhe më shumë, ata që marrin diplomë nga studimet universitare ose pasuniversitare jashtë vendit (rajoni, Turqia apo Lindja e Mesme) përballen me mosnjohjen e studimeve pas kthimit në vend, domethënë Ministria e Arsimit nuk lejon nostrifikimin e diplomave të fituara.

Për t’i dhënë fund diskriminimit sistematik të “gjimnazistëve fetarë”, përfaqësuesit e qeverisë dhe të komuniteteve fetare punuan intensivisht në harmonizimin e kurrikulës, e cila në versionin përfundimtar parashikon 55% kurrikulë gjimnazi (natyrore, matematikore dhe shkencat sociale) dhe 45% mësimdhënie fetare (njohuri themelore për krishterimin dhe islamin).

Ky proporcion ofron bazën që institucionet publike të akreditojnë të dyja shkollat ​​e mesme. Pas një sërë negociatash në tre vitet e fundit, dhe pas integrimit të pikave të miratuara, 11 deputetë të BDI-së kanë dorëzuar në korrik të vitit 2022 një Projektligj që do të mundësonte akreditimin.

Në këtë mënyrë, nxënësit e diskriminuar të këtyre shkollave të mesme do të mund të marrin një diplomë të akredituar dhe të mund të regjistrohen në çdo program të shkencave sociale dhe humane në universitetet e vendit (neni 7 i projektligjit).

Propozimi ka marrë opinion pozitiv nga Qeveria, duke theksuar se “ka nevojë për miratimin e këtij ligji”. Megjithatë, fati i mijëra studentëve vazhdon të jetë “lojëra pa kufij”. Komisioni për Arsim, Shkencë dhe Sport në Kuvend vazhdimisht i shtyn seancat për veprim të mëtutjeshëm lidhur me propozimin. Komisioni është një nga tre më të mëdhenjtë në Kuvend, gjegjësisht ka gjithsej tridhjetë anëtarë nga radhët e LSDM (11), VMRO-DMNE (11), BDI (4), Aleanca për Shqiptarët (2) dhe deputetë të pavarur (2).

Për ta bërë edhe më ironike, qeveria dhe opozita shprehin mbështetje për miratimin e ligjit dhe në të njëjtën kohë fajësojnë njëra-tjetrën për ngecjen e procesit.

Cili është skenari i mëtejshëm i mundshëm

Deputetët nisin pushimet verore dymujore nga 1 korriku deri në fund të gushtit. Prej shtatorit fillon mosfunksionimi tradicional i Kuvendit para zgjedhjeve të planifikuara për vitin e ardhshëm.

Kështu, procedura e akreditimit përballet me sfidën e shtyrjes së paku edhe për një vit. Gjithashtu, përgatitjet për aplikimin e akreditimit mund të zgjasin më shumë. Kjo do të thotë se në rastin më të mirë do të ketë edhe dy breza të diskriminuar të shkollave të mesme fetare.

Deputetët duhet ta zgjidhin këtë problem që prek fatin e mijëra të rinjve (523 aktualë dhe 4068 maturantë) si dhe vetë stafit në shkolla. Zgjidhja është e shkurtër dhe e qartë: Kryetarja e Komisionit për Arsim, Shkencë dhe Sport mbledh seancë, projektligji kalon në lexim të parë, diskutohet, miratohet në seancë plenare dhe votohet.

Deputetët janë përgjegjës për të ndërmarrë një hap sa më shpejt që nxënësit e shkollave të mesme fetare të gëzojnë të drejta të barabarta me bashkëmoshatarët e tyre. Ndryshe, kjo mospërputhje mund të jetë edhe arsyeja që disa nga të rinjtë të planifikojnë të ardhmen e tyre jashtë Maqedonisë.

Burimi: Respublica