Tentativë e re për shitjen e apartamenteve të Gruevskit, një vit pa konfiskim të pronave nga lëndët e mëdha (Infografik)

Agjencia e Menaxhimit të Pasurisë së Konfiskuar në një procedurë të përsëritur do të përpiqet të shesë një pjesë të pronës së konfiskuar të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk.

Kjo pronë ndodhet në rrugën “Todor Aleksandrov” në kompleksin “Panorama Residence” në Vodno – Shkup dhe iu konfiskua me vendimin për rastin “Parcelat në Vodno”.

Në shpalljet e publikuara më 4 dhjetor Agjencia për herë të dytë do të shesë gjithsej gjashtë prona të konfiskuara nga Gruevski përmes tre ankandeve të ndryshme publike, nga një apartament dhe një mjedis ndihmës. Sipërfaqja e përgjithshme e apartamenteve arrin në 554 metra katrorë, ndërsa ajo e mjediseve ndihmëse është 191 metra katrorë.

Shitja e pronës së konfiskuar do të bëhet përmes ankandit publik elektronik me një çmim fillestar të shitjes të përcaktuar nga Byroja për Vlerësime pranë Ministrisë së Drejtësisë.

Shuma e përgjithshme e tre shitjeve të parashikuara është rreth 1.843.000 euro dhe kjo është shuma minimale fillestare që Agjencia do të përpiqet të realizojë nëse procedura është e suksesshme. Paratë nga shitja do të përfundojnë në buxhetin e shtetit.

Në vitin 2025 nuk është konfiskuar pasuri nga raste të profilit të lartë

Në vitin që po kalon nga Agjencia e Menaxhimit të Pasurisë së Konfiskuar thonë se nuk kanë “konfiskuar pasuri apo përfitim pasuror, as nuk kanë sekuestruar gjësende nga ndonjë vendim i miratuar nga ndonjë rast i profilit të lartë”.

Por, Agjencia megjithatë në dhjetë muajt e parë të vitit arriti të arkëtojë 2.260.150 euro nga shitje të tjera të pasurive të tundshme dhe të patundshme dhe në bazë të vendimeve nga procedurat penale dhe kundërvajtëse.

Nga atje thonë se të ardhurat deri në fund të tetorit janë rritur për 65 përqind krahasuar me të gjitha të ardhurat e realizuara dhe të derdhura në buxhet në vitin paraprak 2024.

Ilustrim: Fisnik Xhelili/Portalb.mk. Burimi: Radio Evropa e Lirë
Ilustrim: Fisnik Xhelili/Portalb.mk. Burimi: Radio Evropa e Lirë

Në vitin 2025, Agjencia ka konfiskuar prona të fituara në mënyrë të paligjshme, duke përfshirë këtu: pasuri të patundshme, para, automjete, cigare, duhan dhe alkool, armë, municion dhe material shpërthyes, narkotikë, substanca psikotrope dhe prekursorë, monedha/kartëmonedha, artefakte arkeologjike, metale/objekte të çmuara, bagëti të gjallë.

Nga të gjitha këto sekuestrime në vitin që po përfundon Agjencia ka realizuar tetë shitje me ankand publik – përkatësisht tre procedura për shitjen e pasurive të patundshme, katër për shitjen e automjeteve dhe një procedurë për shitjen e hekurit të vjetër.

Komisioni Evropian pret proaktivitet

Këto rezultate të Agjencisë së Menaxhimit të Pasurive të Konfiskuara janë arrirë në kushte të funksionalitetit të përgjysmuar në aspektin e ekipimit të institucionit.

Sipas Agjendës së Reformave të Maqedonisë së Veriut 2024-2027 Agjencia e Menaxhimit të Pronave të Konfiskuara duhej t’i plotësonte të gjitha vendet vakante deri në qershor të vitit 2025, si një hap konkret për përforcimin e kapaciteteve institucionale. Por, në Raportin e Komisionit Evropian është theksuar se kjo vazhdon të jetë një çështje e pazgjidhur.

“Agjencia e Menaxhimit të Pasurive të Konfiskuara duhej të rekrutonte staf të mjaftueshëm për të siguruar funksionimin e saj të plotë deri në qershor të vitit 2025, në përputhje me Agjendën e Reformave të Maqedonisë së Veriut. Por, Agjencisë ende i mungojnë personeli dhe burimet financiare të mjaftueshme, hapësirat për ruajtje, pajisjet dhe buxheti, si dhe një sistem efikas për menaxhimin e lëndëve, prandaj nuk është plotësisht funksionale,” thuhet në raport.

Kryeministri Hristijan Mickoski pak kohë më parë në një konferencë për shtyp me gazetarët informoi se ndër aktivitetet që duhet të përfundohen deri në fund të vitit në kuadër të obligimeve rreth agjendës së reformave, janë edhe ato që kanë të bëjnë me Agjencinë e Menaxhimit të Pasurive të Konfiskuara.

Siç theksoi Mickoski, ajo që kërkohet nga shteti në lidhje me Agjencinë është që të sigurojë më shumë punësime.

Nga Agjencia për REL thanë se edhe pse buxheti as për vitin që po përfundon e as për vitin e ardhshëm 2026 nuk është i mjaftueshëm për funksionalitet të plotë, sërish, së bashku me Qeverinë synojnë t’i realizojnë të gjitha hapat e parashikuar në Agjendën e Reformave sipas maturimit të obligimeve. Edhe pse konfirmojnë se për shkak të mungesës së parave ato nuk janë realizuar.

“Meqenëse afati për zbatimin e obligimeve sipas këtyre hapave është shtyrë për në muajin qershor të vitit 2026 (për punësime) dhe për në muajin dhjetor të vitit 2027 (për ndërtimin e një magazine dhe blerjen e një regjistri elektronik), Agjencia, nëpërmjet Ministrisë së Financave është në procedurë të sigurimit të mjeteve shtesë për punësim dhe përgatitjen e projektit për ndërtimin e hapësirave për ruajtje nga buxheti për vitin 2026,” thanë nga Agjencia.

Por, Komisioni Evropian kërkon nga Maqedonia e Veriut që në vitin 2026 të ketë rezultate edhe në segmente të tjera.

“Të përmirësohet evidenca për hetimet, ndjekjet penale dhe dënimet në të gjitha fushat e krimit të rëndë dhe të organizuar, rastet e pastrimit të parave dhe krimit financiar me fokus në kthimin e aseteve dhe konfiskimin e të ardhurave nga veprat penale”, thuhet në raport.

Dënimet e gjata gjyqësore i “transformojnë” magazinat në “deponi”

Për momentin Agjencia ka në dispozicion pesë magazine për ruajtjen e mallrave të ndryshme dhe dy magazina për armëve e armëve dhe drogës. Në pesë magazinat e para vendosen të gjitha pronat e tundshme – automjetet dhe gjësendet, si dhe mallrat e ndryshme që janë konfiskuar në procedurat penale, kundërvajtëse dhe administrative.

Gjësendet dhe mallrat e ndryshme të konfiskuara përfundimisht e të vendosura në magazina, Agjencia i pastron përmes shitjes, dhënies së tyre organeve shtetërore, shoqatave dhe institucioneve, si dhe përmes asgjësimit të mallrave të konfiskuara. Por, mallrat për të cilat nuk ka vendime përfundimtare i mbingarkojnë magazinat. Këtë e thekson në raportin e tij edhe Komisioni Evropian.

“Për shkak të ngadalësisë së sistemit gjyqësor dhe marrjes së vendimeve, magazinat e Agjencisë janë shndërruar në ‘deponi’ dhe nuk ka kapacitete të mjaftueshme për të menaxhuar me konfiskimet, prandaj i përdor shërbimet dhe burimet e institucioneve të tjera shtetërore,” thuhet në raport.

Nga institucioni thonë se shumica e këtyre procedurave gjyqësore zgjasin për periudha të gjata dhe meqenëse bëhet fjalë për mallra dhe gjësende të konfiskuara përkohësisht, Agjencia është e detyruar t’i ruajë ato deri në përfundimin e procedurës.

“Por, për shkak të hapësirës së pamjaftueshme për vendosjen e automjeteve, Agjencia propozoi ndryshimin e Ligjit që tashmë është në fuqi, e që ka të bëjë me shitjen e pronave të konfiskuara përkohësisht dhe gjësendeve të konfiskuara përkohësisht – automjeteve, gjithçka me qëllim që të mos ulet vlera e pronës së konfiskuar dhe njëkohësisht të ulen shpenzimet për ruajtjen e tyre, të zvogëlohet numri i automjeteve dhe të lirohet vend për pranimin e automjeteve të reja të konfiskuara,” thonë nga Agjencia.

Komisioni Evropian thekson gjithashtu edhe se niveli i sekuestrimit dhe konfiskimit të drogës është rritur pak, por ka mbetur shumë i ulët në vitin 2024.

Më 15 shtator të vitit 2025 Agjencia e Menaxhimit të Pasurive të Konfiskuara asgjësoi më shumë se 4.000 tonë marihuanë, 18.000 bimë marihuanë, 79 kilogramë lule dhe më shumë se 21 kilogramë droga të tjera, përfshirë këtu amfetamina, kokainë dhe heroinë, të konfiskuara gjatë procedurave penale tashmë të përfunduara. Ky është asgjësimi i parë që nga viti 2023.