Teatri i Tetovës me komedinë “Dredhit e Patukut” u shpërblye me dy çmime në Festivalin Tradicional të Komedisë “MITTRIXfest”

Teatri i Tetovës me komedinë “Dredhit e Patukut” në regji të Kushtrim Bekteshit, u shpërblye me dy çmime në Festivalin Tradicional të Komedisë “MITTRIXfest” i cili u mbajt në Mitrovicë. Teatri i Tetovës shkëlqeu me komedinë “Dredhit‘ e Patukut”. Shfaqja trajton me satirë dhe humor tema universale si koprracia e të moshuarve, jeta e shthurur e të rinjve, intriga dhe miqësia, duke i ndërthurur me elemente të traditës shqiptare dhe frymën e commedia dell’arte italiane. Publiku u përfshi nga të qeshurat dhe e shpërbleu trupën me duartrokitje të gjata, shkruan Portalb.mk.

Juria profesionale, e përbërë nga: Arta Muçaj, Meli Qena dhe Armond Morina, për Teatrin e Tetovës ndanë çmimet:

Çmimin “Aktori më i mirë protagonist” e rrëmbeu Arsim Fazlija dhe

Çmimin “Kostumografia më e mirë” e fitoi Emira Ymeri

Edicioni i 15-të i Festivalit Tradicional të Komedisë “Mittrix Fest”, është një nga ngjarjet më të rëndësishme teatrore në Kosovë, duke sjellë në skenën e Teatrit “Muharrem Qena” shfaqje të shumta komedie nga trupa teatrore vendore dhe rajonale.

Përveç shfaqjeve konkurruese, MittrixFest XV ofroi edhe punëtori të udhëhequra nga profesionistë të teatrit dhe kulturës, të cilat synojnë zhvillimin profesional të aktorëve, regjisorëve dhe të rinjve të pasionuar pas artit skenik.

Për pesë ditë me radhë, publiku pati mundësi të shijojë një program të pasur me shfaqje që sollën humorin, artin dhe mesazhe të fuqishme sociale, duke e kthyer qytetin në një qendër të gjallë të kulturës.

Festivali u pasurua edhe me disa aktivitete të ndryshme si ekspozita artistike, vizita turistike promovuese të qytetit dhe trashëgimisë kulturore, eksplorime në Muzeun e Qytetit etj.