Teatri i Gostivarit luajti në “Moisiu” me shfaqjen “Marrëdhëniet” të Bernard Shos

Mbrëmë në Prishtinë u zhvillua nata e katërt e festivalit “Moisiu”. Në natën e katërt u shfaqën dy shfaqje të ndryshme në stil dhe frymë, “Babai”, nga Teatri Eksperimental “Kujtim Spahivogli, pjesë e kësaj nate ishte edhe Teatri i Gostivarit me shfaqjen “Mardhëniet” nga Xhorxh Bernard Sho, në regji të Fatos Berishës, shkruan Portalb.mk.

Regjisori Fatos Berisha për Portalb.mk tha se në thelb, është një reflektim mbi mënyrën se si njerëzit e manipulojnë apo e menaxhojnë dashurinë, fuqinë dhe pritshmëritë.

“Në fakt janë 3 njëaktëshe nga George Bernard Shaë të cilat i bëra bashkë në një shfaqje. Zgjedhja e këtyre tri njëaktësheve nuk ka qenë rastësore. Të gjitha flasin për marrëdhëniet njerëzore në forma të ndryshme, marrëdhëniet në çift, marrëdhëniet mes burrit dhe gruas, e deri tek raporti me të vërtetën dhe konvencionet shoqërore. Në thelb, është një reflektim mbi mënyrën se si njerëzit e manipulojnë apo e menaxhojnë dashurinë, fuqinë dhe pritshmëritë. Titullin “Marrëdhëniet” i’a kam vënë unë pikërisht për ta theksuar këtë fije lidhëse mes 3 pjesëve”, tha Berisha.

Foto nga pjesëmarrja e Teatrit të Gostivarit në festivalin “Moisiu”. Foto: Festivali Moisiu (Facebook)
Foto nga pjesëmarrja e Teatrit të Gostivarit në festivalin “Moisiu”. Foto: Festivali Moisiu (Facebook)

Ai edhe më tej shtoi se temat e kësaj vepre janë ende aktuale për shoqërinë tonë sot.

“Po. Autori Shaw ka një ironi brilante në trajtimin e temave që nuk plaken kurrë, si hipokrizia, moralizimi, shtypja e grave apo kontradiktat brenda dashurisë dhe martesës. Pavarësisht se janë shkruar mbi një shekull më pare, këto tekste i flasin realitetit tonë të sotëm. Madje ndonjëherë duket sikur janë shkruar enkas për kohën në të cilën jetojmë”, tha Berisha.

Në shfaqje luajtën aktorët: Afrodita Xhaferi Krasniçi, Ajshe Useini, Arian Ejupi, Arta Zejneli, Bereda Reshit, Besnik Rushiti, Driton Lazami, Kujtime Ahmeti dhe Vullnet Ismani.

Nesër më 27 dhjetor, mbahet edhe nata e fundit e festivalit, ku dhe do të përmbyllet cikli i parë i rotacionit Shkup–Tiranë–Prishtinë.

Foto nga pjesëmarrja e Teatrit të Gostivarit në festivalin “Moisiu”. Foto: Festivali Moisiu (Facebook)
Foto nga pjesëmarrja e Teatrit të Gostivarit në festivalin “Moisiu”. Foto: Festivali Moisiu (Facebook)