Reagime për grisjen e flamurit të RMV-së, Prokuroria po merr masa për zbardhjen e ngjarjes

Gjatë festimit të mbrëmshëm të Ditës së Flamurit Shqiptar – 28 Nëntorit, në Shkup është grisur flamuri maqedonas, siç shihet nga videot e publikuara në rrjetet sociale. Pasi disa rrugë në disa pjesë të Shkupit u bllokuan mbrëmë nga autokolona automjetesh, nga të cilat valëviteshin flamujt shqiptarë, në videot e publikuara në rrjetin social X, në afërsi të Bit-Pazarit, në një makinë shihet një person duke grisur flamurin maqedonas dhe hedh mënjanë, transmeton Portalb.mk.

Pas incidentit, sot nga Prokuroria Publike kanë thënë se po ndërmerren veprime për zbardhjen e ngjarjes. “Është njoftuar prokurori publik, po ndërmerren veprimet për zbardhjen e ngjarjes”, njofton PTHP.

VMRO-DPMNE në pushtet dhe LSDM opozitare e dënuan incidentin.

LSDM-ja opozitare kërkoi nga ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski që të veprojë urgjentisht dhe MPB-ja të marrë të gjitha masat e nevojshme për sanksionimin e kryerësve të këtyre veprimeve të pamenduara dhe të dëmshme.

Partia në pushtet reagoi poashtu ndaj thirrjeve fyese. Sipas VMRO-DPMNE-së, veprimet e tilla kanë prapavijë politike, dhe krijuesit e tyre, përmes temave dhe ndarjeve etnike, duan të afirmohen në diskursin publik në mungesë të një oferte reale politike.

Еdhe Bashkimi Demokratik për Integrim dënoi aktin, siç thonë, individual, të djegies së flamurit shtetëror, që sipas BDI-së erdhi si reagim ndaj ndërhyrjes së panevojshme të policisë.

“Dënojmë ashpër ndërhyrjen e paprecedent  të policisë gjatë festimeve të Ditës së Flamurit Shqiptar, një ditë me rëndësi të jashtëzakonshme për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe në mbarë botën. Kjo ndërhyrje, në vend që të ruante rendin publik, provokoi tensione të panevojshme dhe krijoi një klimë konfrontimi, duke cenuar të drejtën për të festuar lirshëm këtë ditë simbolike. Në këtë kontekst, është e papranueshme dhe e turpshme që VMRO-DPMNE dhe forca të tjera politike po përpiqen të shfrytëzojnë këto incidente për të ndërtuar një narrativë të rreme që kriminalizon çdo pozicion shqiptar. Kjo tendencë për të përfaqësuar shqiptarët si mbështetës të agjendave kriminale është një sulm ndaj identitetit dhe dinjitetit tonë kolektiv dhe një përpjekje për të mbuluar agjendën e tyre të korruptuar”, thonë nga BDI.

Koalicioni VLEN, partner i VMRO-së në pushtet, vlerëson se rasti është inskenuar nga siç thonë ata qarqe të cilat dëshirojnë destabilizimin e vendit, duke dënuar ashpër aktin në fjalë.

Pas një dite festive si asnjëherë me parë më 28 Nëntor, teksa jehonte kënga e vallja shqipe gjithandej vendit, mesa duket kjo atmosferë festive nuk u shkoi përshtati atyre që u prish rahatia nga karriget e pushtetit. Në fund të ditës u lajmëruan këto qarqe të cilat dëshirojnë destabilizimin e vendit. Jo, se e duan shtetin, por se u mungon pushteti.  Koalicioni VLEN dënon ashpër këto akte të papranueshme që kanë ndodhur mbrëmë gjatë festës së Pavarësisë së Shqipërisë, ku janë përdhosur flamujt shtetërorë në mënyrë të turpshme, pamje që janë bërë sot publike nga mediat vendore.  Bëjmë thirrje për maturi dhe respekt të ndërsjellë, sepse ndezja e një flamuri është ndezje e marrëdhënieve ndëretnike në këtë shtet. Dhe, kjo gjë nuk i shërben as atyre që i nxisin, pra askujt tjetër, aq më pak qytetarëve”, thonë nga koalicioni VLEN.

Aleanca për Shqiptarët, krahu i Taravarit, kërkojnë që MPB të zbulojë edhe autorët e djegies së flamurit shqiptar, gjë të cilën VLEN, thonë nga ASh, nuk guxon as ta përmendë.

“I bëjmë thirje Ministrisë së Punëve të Brendshme që të veprojë me urgjencë dhe ashtu siç veproi me zbulimin e autorëve të flamurit shtetëror, me të njëjtën urgjencë të veprojë edhe ndaj atyre që dogjën flamurin shqiptar. Nëse ky veprim do të mungojë atëherë do të sillet edhe një herë në pah se ligji dhe organet ligjzbatuese janë selektive në këtë shtet dhe se ato veprojnë vetëm kur duhet të ndëshkohen shqiptarët. Ju bëjmë thirrje edhe humbësve në Qeveri, koalicionit vlen, që të angazhohen një herë të vetme në favor të shqiptarëve, në mbrojtje të flamurit kombëtar dhe në sjelljen e drejtësisë dhe barazisë së qytetarëve në vend. Është skandaloz reagimi i tyre ku nga fillimi deri në fund nuk nuk guxojnë as të përmendin djegien e flamurit kombëtar shqiptar. A thua vallë reagimet ua shkruan dikush tjetër dhe ata vetëm i përkthejnë!? Sjellja e këtillë selektive e institucioneve vetëm ndaj një bashkësie etnike, duke toleruar e priviligjuar një bashkësi tjetër i shërben vetëm thellimit të hendekut ndëretnik, rritjes së mosbesimit të qytetarëve ndaj shtetit dhe diskriminimit institucional”, thonë nga ASH.
Nga ana tjetër, partia Koncepti maqedonas madje, ngjarjet e djeshme i quan “kërcënim terrorist për rendin kushtetues dhe duhen trajtuar në përputhje me nenin 313 të KP”, i dënueshëm më së paku 10 vjet.

“Strukturat kriminale dhe bandat marksiste-leniniste të vendosura në vend gjatë periudhës komuniste janë promovues të shovinizmit etnik shqiptar, i cili është një katalizator për destabilizimin e NATO-s dhe parandalimin e zgjerimit të BE-së në Ballkan. Është e nevojshme të dënohet dhe sanksionohet edhe nga faktorë ndërkombëtarë. Presim një reagim nga BE-ja dhe NATO-ja në këtë drejtim, veçanërisht nga partneri strategjik SHBA”, thonë nga kjo parti.

U dogj edhe flamuri shqiptar

Një grup i njohur si “Shoqëria Patriotike” qëndroi në “mbrojtje të maqedonizmit dhe dogji flamurin shqiptar”.  Një profil i që shet nacionalizëm në rrjetet sociale, i cili shpesh merret me çështje ndëretnike në mbrëmje pas ngjarjeve dhe pas raportimeve në media, ka postuar një video në të cilën i vihet flaka edhe flamurit shqiptar.

Një hap i tillë i hodhi benzinë ​​zjarrit dhe u bë një provokim tjetër që jo vetëm minon mirëkuptimin ndëretnik, por inkurajon edhe gjuhën e urrejtjes dhe dhunën. Ajo që është karakteristike është se pothuajse asnjë media në gjuhën maqedonase nuk ka raportuar për djegien e flamurit shqiptar, e nga ana tjetër, mediat në gjuhën shqipe kanë raportuar për djegien e flamurit maqedonas. Të rralla ishin edhe mediat që përveç shkarkimit të videos, patën një vlerësim kritik të ngjarjes.

BDI dhe Aleanca për Shqiptarët, shprehën shqetësim për, siç thanë, “qasjen selektive dhe të njëanshme të policisë”, e cila ka marrë masa vetëm ndaj qytetarëve shqiptarë të përfshirë në incidente.

“Kjo ndërhyrje, në vend që të ruante rendin publik, provokoi tensione të panevojshme dhe krijoi një klimë konfrontimi, duke cenuar të drejtën për të festuar lirshëm këtë ditë simbolike”. thanë nga Aleanca, krahu i Selës.

“I bëjmë thirrje institucioneve të veprojnë me maturi, profesionalizëm dhe paanshmëri, pa dallim, dhe duke garantuar të drejtën e qytetarëve për të shprehur lirshëm identitetin dhe kulturën e tyre. Në të njëjtën kohë, ftojmë qytetarët shqiptarë dhe të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut që të ruajnë qetësinë, dinjitetin dhe unitetin, duke mos rënë pre e provokimeve dhe manipulimeve të atyre që synojnë të përçajnë dhe të destabilizojnë vendin”, u tha në reagimin e BDI-së.

Kreu i Kuvendit, Afrim Gashi në pyetjen e gazetarëve se si e komenton arrestimin e personave të mbrëmshëm pas ngjarjeve që ndodhën në Ditën e Flamurit, e mos ndërmarrjen e asnjë mase për kryerësit që dogjën flamurin shqiptar, thotë se nuk i di detajet, por e dënon rastin.

“Nuk jam në rrjedha për detajet, vetëm e di në parim. Mund të ju them se djegia e flamujve nuk ju shërben askujt, qoftë shqiptar apo maqedonas, turk, vlleh apo çkadoqoftë. Ndjenjat e patriotizmit duhet t’i kemi drejt shtetit të cilit jetojmë, duke i kultivuar dhe respektuar flamujt tanë. Mund të shfaqim ndjenjë të patriotizmit, mirëpo duke denigruar, shkelur apo djegur flamuj të tjerë, kjo flet keq për secilin që e bën një veprim të atillë. Dhe unë jam kundër kësaj dhe mendoj se një njeri që e bën një veprim të atillë është në kundërshtim me interesat e këtij shteti, me interesat kombëtare, qoftë shqiptare apo maqedonase, por edhe të komuniteteve të tjera”, tha Gashi.