Të shtunën mbahen ‘’Karnavalet Ilire 2024’’ në fshatin Bozovcë, festa që flet për lashtësinë tonë

Karnavalet Ilire të malësisë së Sharrit do të mbahen këtë vikend më 20 prill, e shtunë, në fshatin Bozovcë dhe më 21 prill, e diel, në sheshin e Tetovës. Manifestimi tradicional që me vite festohet në mars, në fillimin e verës, sivjet shkaku i Ramazanit bartet në prill, njofton Portalb.mk.

Kjo traditë e vjetër paralajmëron për ardhjen e pranverës, gjurmët i ka të lashta dhe mësuesi dhe drejtuesi i këtyre karnavaleve Neshad Mehmedi e ruan ende me fanatizëm.

Dita e Verës tregon lashtësi dhe bile me krenari duhet festuar bashkë me gjyshet dhe nënat tona, pasi siç thotë thotë Konica kjo tregon se kemi festuar me grekët e vjetër dhe romakët.

Festat dionisiake kanë qenë pjesërisht siç janë dhe “Karnavalet ilire “. Në antikitet njerëz të maskuar me lëkurë kafshësh kryenin rite rreth një cjapi të flijuar. Prej këtu ka lindur dhe tragjedia si zhanër teatror (dragos- cjap) që synon katarsisin – pastrimin shpirtëror.

''Karnavalet Ilire 2024'' - afishe
”Karnavalet Ilire 2024” – afishe

Nëse e filloni numërimin nga marsi, prej ku ka nis viti i ri në paganizëm, muaji shtator i bie të jetë në muajin e shtatë, tetori në muajin e tetë, nëntori në të nëntin dhe dhjetori në muajin e dhjetë.

Një arsye më shumë pse duhet të festojmë.

Me këngë e valle, rite e doke, me shumë gëzim na pret Bozovca në ditën e parë dhe Tetova në ditën e dytë. Në faqen e Karnavaleve Ilire qëndron dhe ftesa e hapur për të gjithë:

“Ne jemi të lumtur të ju ftojmë të merrni pjesë në edicionin e këtij viti të Karnavaleve Ilire, një ngjarje që mbledh së bashku komunitetin për të festuar dhe për të promovuar kulturën dhe natyrën e bukur të Parkut Kombëtar Malet e Sharrit. Kjo ngjarje sinjalizon angazhimin tonë për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm dhe ofron një platformë për të ndarë dhe vlerësuar trashëgiminë kulturore dhe natyrore të zonës”.

Të pranishëm do të ketë mysafirë nga Shqipëria, Kosova e diaspora të cilët me shumë kureshtje e kënaqësi e përcjellin këtë festë motmoti që simbolizon ringjalljen a natyrës dhe pastrimin e shpirtrave.