Të shtëna me armë zjarri në një shtëpi në Tetovë, u gjetën 30 gëzhoja nga një armë automatike
Në Tetovë mbrëmë rreth orës 21:15, është shtënë me armë automatike në një shtëpi në rrugën “111” në lagjen “Teqe”, informoi SPB Tetovë. Siç shtojnë ata, nuk ka pasur të lënduar në këtë incident, transmeton Portalb.mk.
“Është raportuar se persona të panjohur, të cilët udhëtonin me motoçikletë-skuter, kanë qëlluar me një pushkë automatike në shtëpinë në pronësi të M.T. nga Tetova dhe kanë ikur. Menjëherë është vepruar sipas raportit dhe është vërtetuar se nuk ka pasur të lënduar dhe në vendngjarje janë gjetur rreth 30 gëzhoja nga një armë automatike. Në kohën e të shtënave, pronari dhe familja e tij ndodheshin në shtëpi dhe janë vërejtur dëme në shtëpi”, informoi Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB Tetovë.
Prokurori publik është njoftuar për rastin dhe po ndërmerren masa dhe aktivitete për gjetjen e autorëve dhe zbardhjen e rastit, ndërsa një ekip nga SPB Tetovë po kryen hetime.