Të rikthehet dinjiteti i arsimit të lartë

Numri i studentëve në Maqedoni zvogëlohet për 1000 çdo vit! Mungesa e cilësisë në universitete është arsyeja kryesore pse maturantët dëshirojnë të studiojnë jashtë vendit.

Shkruan: Zenel Miftari (foto e përdorur me leje nga Respublica)
Shkruan: Zenel Miftari (foto e përdorur me leje nga Respublica)

Sipas teoricienit britanik Ernest Gellner, arsimi është një nga shtyllat kryesore të zhvillimit të shtetit dhe shoqërisë, ai rendit tre elementë që e bëjnë një komb të fortë. Një nga këto elemente, sipas tij, është një sistem arsimor i fortë i rregulluar në mënyrën më të mirë të mundshme, dy elementët e tjerë që përmend Gellner janë ekonomia (industria) dhe ushtria.

Por edhe pse vendi ynë ka rreth dy milionë banorë dhe rregullimi i arsimit mund të bëhet në mënyrë më të lehtë, nuk arrin të formojë një strategji të përshtatshme dhe të përmirësojë situatën në të cilën ndodhet arsimi i lartë. Kjo është pasojë e klasës politike e cila që nga shpallja e pavarësisë së vendit nuk i ka kushtuar rëndësinë e duhur arsimit dhe shkencës. Gjeneratat e reja paguajnë faturën për mosangazhimin e klasës politike, e cila nuk e kishte në agjendën kryesore rritjen e cilësisë së arsimit.

Pra, gjeneratat e reja nga Maqedonia, pa arsim adekuat dhe pa mundësi të barabarta me bashkëmoshatarët e tyre nga rajoni, mbeten prapa në teste ndërkombëtare, kërkime shkencore… Dhe, në rastin më të vogël, shkojnë për të studiuar jashtë vendit. Këtë e tregon një studim i kryer këtë vit, sipas të cilit, 21 për qind e maturantëve do të studionin jashtë vendit nëse do t’u jepej mundësia. Sipas të njëjtit hulumtim, vendet më tërheqëse për maturantët nga vendi ynë janë Sllovenia dhe Bullgaria.

Vlerësohet se arsyet e mungesës së cilësisë në arsim janë të ndryshme: stafi, tekstet joadekuate, mungesa e digjitalizimit në universitete, mungesa e udhëzimeve për të studiuar në gjuhën angleze, si dhe një sërë çështjesh të tjera. Kjo është arsyeja pse maturantët e shohin rrugëdaljen për zhvillimin e tyre profesional dhe aftësimin në cilindo nga universitetet jashtë vendit.

I gjithë kaosi dhe mosinteresimi i studentëve ekselentë për të studiuar në vendin e tyre vjen si pasojë e neglizhencës së krijimit të politikave të mira arsimore nga qeveritë ndër vite.

Në 30 vjet – 20 ministra të arsimit

Kujtojmë se Ministria e Arsimit dhe Shkencës ishte shpeshherë “guri i artë” i shkëmbimit të ministrive në koalicionet paszgjedhore apo kur bëheshin akrobaci në mazhorancën qeveritare. Pra, që nga shpallja e pavarësisë së vendit e deri më sot, vendi ynë ka ndërruar rreth 20 ministra arsimi.

Sipas analizës së ekonomistit Zoran Jovanovski, në 30,5 vitet e fundit, ministri i arsimit ndërrohet mesatarisht çdo 1,6 vjet. Sipas tij, vetëm një ministër ka kryer mandatin e plotë katërvjeçar. Ndërkaq, gjatë gjithë periudhës nga viti 1991 e deri më tani, thotë ai, mosha mesatare e ministrave të arsimit në kohën kur ata morën detyrën ishte 40.4 vjeç. Që nga viti 2000 nuk ka asnjë ministër arsimi që të ketë qenë mbi 45 vjeç kur kanë marrë detyrën, kurse 8 prej tyre ishin rreth të 30-tave.

Pothuajse secili prej tyre kishte strategjinë e vet për zhvillimin dhe përmirësimin e cilësisë së arsimit, veçanërisht arsimit të lartë. Një nga reformat që la gjurmë më të mëdha ishte reforma e Bolonjës në arsimin e lartë në periudhën e ish-ministrit Pançe Kralev. Gjatë këtyre viteve ka pasur shpesh futje të sistemeve dhe strategjive të ndryshme në universitete, të cilat shpeshherë kanë ngatërruar stafin akademik.

Universitetet maqedonase po fundosen në renditje

Por strategjitë e asnjërit prej ministrave nuk duket se kanë dhënë rezultatet e pritura. Universiteti më i vjetër – UKIM, vazhdon të bjerë çdo vit në renditjen botërore të universiteteve, ndërsa e njëjta situatë është edhe me Universitetin e Tetovës dhe me Universitetin e Evropës Juglindore. Fatkeqësisht, asnjë nga universitetet maqedonase nuk është renditur në 1000 universitetet e para më të mira në botë sipas renditjes së fundit.

Ndërkohë, në listën e Shangait, ish-republikat jugosllave – Sllovenia, Serbia dhe Kroacia mund të mburren me rezultate shumë më të mira se Maqedonia. Në 500 universitetet e para ka vend për universitetet e Lubjanës, Beogradit dhe Zagrebit. Nga rajoni, Universiteti i Athinës është renditur si më i miri dhe është në mesin e 400 universiteteve më të mira në botë.

Largimi i studentëve nga vendi ndikoi edhe në uljen e numrit të studentëve në universitetet tona. Sipas të dhënave të publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave (ESSH), në vitin 2010 në të gjitha universitetet e vendit kanë qenë gjithsej rreth 63 mijë studentë, ndërsa këtë vit kemi rreth 51 mijë studentë. Pra, në 12 vjet – numri i studentëve ka rënë në 12,000 studentë.

Kjo shifër është shqetësuese dhe alarmante dhe duhet të bëhet temë diskutimi në rrethet intelektuale, por fatkeqësisht deri më tani nuk ka pasur asnjë veprim as nga institucionet kompetente dhe as nga intelektualët.

Alarm për reforma urgjente

Rënia e numrit të studentëve duhet të shërbejë si alarm për politikanët dhe të gjithë aktorët politikë që ta marrin më seriozisht situatën në arsimin e lartë dhe të fillojnë të mendojnë se si ta përmirësojnë atë. Është e nevojshme t’i rikthehet dinjiteti universiteteve dhe profesorëve. Situata e krijuar në universitetet tona duhet të shërbejë si pikënisje për krijimin e një strategjie shtetërore afatgjatë për përmirësimin e cilësisë së arsimit.

Por strategjia nuk duhet të jetë partiake, që në momentin që qeveria të ndryshojë të bjerë në ujë. Pra, ne kemi nevojë për një konsensus në krijimin e një strategjie për arsimin e lartë. Vetëm në këtë mënyrë mund të garantohet e ardhmja, sepse me këtë “përparim” – gjendja vetëm sa përkeqësohet dhe e ardhmja mbetet në duart e fatit.

Gjithashtu, vlen të theksohet se një nga faktorët e tjerë që ndikoi në uljen e cilësisë së arsimit dhe rënien e renditjes botërore është ulja e buxhetit për shkencën nga Qeveria ndër vite.

Pra, vëmendja e Qeverisë në vitet e fundit nuk ka qenë e drejtuar në avancimin e shkencës dhe arsimit. Në fund të fundit, edhe sipas metodologjisë së renditjes universitare – si kritere të rëndësishme merren punimet kërkimore-shkencore të profesorëve universitarë, punët që studentët marrin pas diplomimit dhe cilësia e arsimit në universitet.

Por as arsimi fillor dhe as i mesëm nuk është në gjendje më të mirë. Mënyra se si të përmirësohet cilësia e arsimit fillor dhe të mesëm është shumë e thjeshtë. Na duhet vetëm të analizojmë rezultatet e testeve ndërkombëtare të nxënësve tanë. Nga të gjitha testet e bëra deri më tani, Maqedonia ishte në fund të listave. Për shembull, në studimin e PISA-s, nxënësit nga vendi ynë gjithmonë kanë pasur rezultate negative. PISA është një studim ndërkombëtar i të kuptuarit të leximit, matematikës dhe shkencës që mat njohuritë dhe aftësitë e studentëve 15-vjeçarë. Nga 77 shtete, Maqedonia është në vendin e 67-të në lexim të kuptuar dhe matematikë, ndërsa në shkencat natyrore në vendin e 63-të.

Për të dalë nga kjo situatë, Maqedonia duhet të marrë shembull nga metodat e vendeve të tjera që kaluan në tranzicion – për shembull, Sllovenia, Kroacia dhe Bullgaria. Për shembull, pak më pak se dy dekada më parë, sistemi slloven i arsimit të lartë u përball me një sërë ndryshimesh legjislative dhe iu desh të balanconte cilësinë e procesit të studimit me një numër të madh studentësh në nivel universitar. Në vitin 1996, Sllovenia prezantoi arsimin e lartë profesional me cikël të shkurtër (višje strokovne šole), i cili u bë pjesë e veçantë e sistemit të arsimit të lartë dhe aktualisht organizohet nga Ministria e Arsimit. Studimi është për një periudhë dyvjeçare dhe është vlerësuar me 120 pikë krediti. Drafti i Planit Kombëtar për Arsimin e Lartë 2011–2020 (NPZO) merr një vështrim holistik të të gjithë fushës së arsimit të lartë. Programi përfshin gjithashtu integrimin me shkencën, kërkimin shkencor dhe politikën shkencore. Për sa i përket kësaj të fundit, kjo është plotësuese me draftin e ri të Strategjisë së Kërkimit dhe Inovacionit për Slloveninë 2011–2020 (tetor 2010).

Pra, për të arritur në këtë pikë, Sllovenia ka pasur dekada të tëra strategjish që i ka zbatuar vazhdimisht për të tërhequr studentë të huaj vit pas viti.

Propozimi parashikon gjithashtu krijimin e një kuadri kombëtar të kualifikimeve që do të lejojë transparencë më të madhe në lidhje me arritjet arsimore dhe aftësitë e nevojshme për individët për të hyrë në tregun e punës ose për arsimim të vazhdueshëm.

Gjatë hartimit të strategjisë së arsimit, bashkëpunimi me shoqërinë civile dhe konsultimi me ekspertë vendas dhe të huaj është i domosdoshëm dhe i pashmangshëm, i cili do të sjellë ndryshime pozitive dhe të nevojshme për studentët e vendit tonë. Ndryshimi i kësaj situate të paktën do t’i pengojë studentët tanë të shkojnë për të studiuar jashtë vendit.

Reformat duhet të nisin me digjitalizimin e shërbimeve studentore, përmirësimin e cilësisë së arsimit, futjen e programeve të studimit në gjuhën angleze për të tërhequr studentë nga vendet e rajonit, krijimin e më shumë qendrave studentore ku mund të shkëmbehen idetë dhe përveç kësaj – të ketë hapësira ku mund të organizohen ngjarje të ndryshme shkencore dhe kulturore për studentët.

Burimi: Respublica