Paga mesatare neto në qershor në RMV arriti në 36.527 denarë

Paga mesatare neto për të punësuarit në vend në qershor 2023 ishte 36.527 denarë dhe është rritur për 14,6 përqind në krahasim me muajin e njëjtë të vitit të kaluar, njoftoi sot Enti Shtetëror i Statistikave, transmeton Portalb.mk.

Kjo rritje ka ardhur si rezultat i, para së gjithash, rritjes së pagës mesatare mujore neto për të punësuarit në sektorët: Ndërtimtaria (19.6%), Informimi dhe komunikimi (17.9%) dhe Arsimi (17.5%).

Rritje e pagës mesatare mujore neto për të punësuar, krahasuar me muajin paraprak, është vënë re në sektorët: Tregtia me shumicë dhe me pakicë; riparimi i automjeteve dhe motorçikletave (6.3%), Minierat dhe guroret (industria nxjerrëse) (5.7%) dhe Akomodimi dhe shërbimi ushqimor (3.2%).

Si edhe më parë, të punësuarit në sektorin e programimit kompjuterik, konsulencës dhe shërbimeve të ngjashme kanë të ardhurat më të larta mujore në RMV, ku në qershor paga mesatare neto ishte 95.257 denarë. Paga më e ulët neto prej 18.800 denarë në qershor 2023 është paguar në veprimtaritë e sigurisë dhe të hetimit.

Paga mesatare mujore bruto për të punësuarit, gjatë muajit qershor 2023, ishte 54.720 denarë.