Të premten do të ketë marsh protestues në Likovë për zhvillimet e fundit në Hagë

Në sheshin e fshatit Sllupçan, Komuna e Likovës, pritet të mbahet marsh protestues kundër zhvillimeve të fundit në Gjykatën Speciale të Hagës, ku u dënuan Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, transmeton Portalb.mk.

Marshi do të fillojë prej orës 18:00 në sheshin “Beqir Sadiku”.

“Për drejtësi. Për dinjitet. Për kujtesën. Një tubim qytetar në mbështetje të Çlirimtarëve e UÇK-së. JO NË EMRIN TIM!  JO NË EMËR TË POPULLIT SHQIPTAR”, njoftoi kryetari i Komunës së Likovës, Erkan Arifi.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës më 28 shtator ka miratuar deklaratën për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Dhoma e Specializuar e Hagës më 16 shtator dënoi me burgime shumëvjeçare ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) – Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe Kadri Veselin, duke i shpallur fajtorë për krime lufte të kryera gjatë luftës në Kosovë. Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burg, Kadri Veseli me 18 vjet burg, ndërsa Rexhep Selimi u dënua me 13 vjet burg.

Përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian dhe Mbretërisë së Bashkuar bënë thirrje që të pranohet dhe respektohet aktgjykimi i Hagës, me të cilin drejtuesit e ish-UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, u dënuan me burgime të gjata për krime lufte të kryera gjatë luftës së Kosovës për pavarësi në vitet 1998 dhe 1999.