Drejtimi i “Alta Bank”, BDI: Premtuan bankë shqiptare, po sjellin bankë serbe

Bashkimi Demokratik për Integrim ka akuzuar për përshpejtimin e penetrimit të “Botës Serbe” në Maqedoninë e Veriut, që sipas tyre pas Telekomit Serb, po hyn fuqishëm edhe në sektorin bankar përmes “Alta Bank”. “Ky nuk është një investim i zakonshëm financiar, por një operacion i strukturuar politik dhe ekonomik i Beogradit për të siguruar kontroll strategjik mbi institucionet kyçe të vendit, me përfshirje aktive të partnerëve qeveritarë, përfshirë VLEN-in”, thonë nga BDI, transmeton Portalb.mk.

“Burime nga Banka Popullore bëjnë të ditur se drejtimin e “Alta Bank” në Maqedoni pritet ta marrë ish-anëtarja e Kryesisë së VMRO-DPMNE-së dhe ish-zëvendësguvernatore, Maja Kadievska Vojnoviq, bashkëpunëtore e ngushtë e kryeministrit në fushën e ekonomisë. Emërimi i saj vjen si rezultat i lobimit personal të Mickoskit tek Aleksandar Vuçiq, duke e lidhur drejtpërdrejt bankën me strukturat politike të Serbisë. Sipas burimeve të brendshme, një nga arsyet e emërimit të Trajko Slavevskit si guvernator ka qenë premtimi i tij se do të eliminojë çdo pengesë për hyrjen e “Alta Bank” në tregun vendor, pavarësisht paralajmërimeve të profesionistëve të Bankës Popullore për rreziqet që kjo sjell për reputacionin financiar të vendit në sytë e autoriteteve evropiane”, thonë nga BDI.

Kjo ndërhyrje është pjesë e së njëjtës strategji që siç thonë nga BDI e kanë denoncuar më herët: prioritetizimi i lidhjeve me Beogradin dhe boshtin lindor, vizitat e figurave me qendrime proruse si Millorad Dodik, promovimi i Korridorit 10 në vend të Korridorit 8, përfshirja e figurave fetare serbe në aktivitete shtetërore dhe donacionet me prejardhje serbe në vend.

“Tani, me kapjen e sektorit bankar, “Bota Serbe” do të ketë mundësinë të financojë bizneset e afërta me qeveritarët, duke i futur ata në skema edhe më të mëdha korruptive dhe duke i bërë të varur nga interesat e Beogradit. Institucionet që duhet të mbronin sigurinë kombëtare po heshtin ose janë bërë pjesë e këtij procesi. Agjencia e Inteligjencës dhe Agjencia për Siguri Kombëtare, që duhet të alarmonin për rreziqet, janë shndërruar në struktura inerte ose të kontrolluara politikisht. Presidentja dhe kabineti i saj, në vend që të mbrojnë interesin shtetëror, po minimizojnë ose shpërndajnë lajme të rreme për të maskuar natyrën e vërtetë të këtij operacioni”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Rreth kësaj çështje reagoi VLEN nga ku thonë se “partia e “Botës serbe” BDI, është parti në mandatin e së cilës kufijtë me Serbinë u hapën gjerësisht, u vendosën korsi të shpejta dhe lehtësim i qarkullimit, ndërsa me Kosovën, fqinjin tonë më të afërt, mbetën të mbyllur për bashkëpunim të vërtetë ekonomik dhe politik”.

“Në vitet kur BDI ishte pjesë e të gjitha qeverive, u vendosën dhe u mirëmbajtën linja të drejtpërdrejta të përditshme me Beogradin – ekonomike, politike, madje edhe të sigurisë. Ndërkohë, me Kosovën, me të cilën ndajmë bashkësi, gjuhë, kulturë dhe një të ardhme të përbashkët në integrimet euroatlantike, lidhjet u neglizhuan, mbetën formale dhe pa mbështetje strategjike. BDI e ktheu Beogradin në adresën e parë për bisedime dhe marrëveshje, ndërsa Prishtinën e la në margjinat e politikës. Në vend që të hapnin korridoret ekonomike drejt Kosovës, ata i hapën drejt Serbisë; në vend që të intensifikonin shkëmbimin tregtar dhe afarist me Kosovën, ata lejuan që kapitali serb dhe bizneset e dyshimta të dominonin në tregun tek ne. Të rregullta ishin drekat dhe darkat ku Ali Ahmeti dhe Bujar Osmani priteshin mirë nga Presidenti serb Vuçiq. Është e qartë për të gjithë se kjo politikë nuk është e rastësishme. Ajo është rezultat i vendimeve dhe zgjedhjeve të ndërgjegjshme të Ali Ahmetit, Bujar Osmanit dhe BDI-së, të cilët në vazhdimësi e kanë forcuar “botën serbe” në Maqedoni, duke e lënë pas dore bashkëpunimin natyror dhe të domosdoshëm me Kosovën. “Ballkani i Hapur” ishte nisma më e rëndësishme e tyre në politikën e jashtme”, thonë nga VLEN.

Kujtojmë se raporti i ri i BE-së, i cili u miratua nga Parlamenti Evropian, paralajmëroi për rritjen e ndikimit të Rusisë dhe Kinës dhe dënon promovimin e konceptit të një “bote serbe” nga zyrtarët e Maqedonisë së Veriut. 

“PE shpreh shqetësimin e saj në lidhje me të ashtuquajturin projekt ‘bota serbe’ dhe se disa përfaqësues të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut po e mbështesin dhe promovojnë këtë koncept; PE dënon pjesëmarrjen në takime që synojnë të krijojnë një sferë ndikimi që minon sovranitetin e vendeve të tjera dhe stabilitetin e rajonit”, thuhet në raport.