Të mësuarit dhe rrjetëzimi ishin qëllimet e konferencës ndërdisiplinore studentore në Ohër

Edukimi financiar, aspektet e planifikimit urban, terapia muzikore, të folurit në publik, avancimi i aftësive në karrierë dhe ndërtimi i brendit tuaj ishin vetëm disa nga temat e seminarit që studentët patën mundësinë të merrnin pjesë këtë fundjavë si pjesë e një konference studentore ndërdisiplinore. Më shumë se 300 të rinj vizituan Ohrin këtë fundjavë në konferencën e organizuar nga Parlamenti Studentor Universitar i Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”, transmeton Portalb.mk.

Në ditën e parë, studentët morën pjesë në 2 punëtori interaktive që ata i zgjedhin sipas interesave të tyre, ndërsa në ditën e dytë u mbajtën 2 panel diskutime në Qendrën e Kulturës Grigor Prliçev. Në panelin e parë me titull “Kërkimi i vlerave më të larta në botën moderne” folën përfaqësues nga fakultetet sociale, ndërsa në diskutimin e dytë me titull “Bota e re e IA” folën ekspertë të temës së inteligjencës artificiale.

Hapja zyrtare e konferencës filloi me fjalimin e studentes Ivona Todorova në Fakultetin Juridik “Justiniani I”, e cila bëri thirrje për bashkim dhe veprim të përbashkët të studentëve.

Gjatë fjalëve hyrëse, rektorja e UKM-së, Biljana Angelova, tha se universiteti së bashku me studentët e tij po zhvillohet duke ndjekur trendet e reja zhvillimore të arsimit të lartë në hapësirën evropiane dhe më gjerë dhe po i avancojnë kurrikulat në drejtimin krijimit të personelit të arsimit të lartë në të gjitha fushat në përputhje me programet më të larta ndërkombëtare.

“Sistemi arsimor është dinamik dhe mundëson lëvizshmëri të studentëve dhe stafit mësimdhënës, prani më të madhe të mësimdhënies në gjuhët botërore dhe përditësim të vazhdueshëm të programeve mësimore dhe lëndore në përputhje me tregun e punës”, tha Angelova.

Para të pranishmëve foli drejtua edhe Jasmina Toniq Ribarska, udhëheqëse e Qendrës për Karrierë në UKM, e cila tha se njohuritë akademike janë baza e kompetencave kyçe që kërkon tregu i punës, por që sot nuk mjafton vetëm kjo.

“Balanci ndërmjet njohurive akademike dhe njohurive praktike, si dhe shkathtësive të buta duhet të jenë specifike për secilin program arsimor pavarësisht nga fusha shkencore, kompetencat e synuara nga vendet e synuara e kështu me radhë”, thotë Ribarska.

Kryetarja e Qendrës për Karrierë tha gjithashtu se shërbimet e mbështetjes së karrierës të integruara në arsim janë thelbësore për t’u ofruar të rinjve një pamje objektive të mundësive të punës, duke i inkurajuar ata të ndërtojnë në mënyrë proaktive karriera përmbushëse në botën e punës që ndryshon gjithnjë e më shpejt.

Ajo përshëndeti iniciativën dhe entuziazmin me të cilin studentët po veprojnë së fundmi drejt realizimit dhe pjesëmarrjes së të gjitha aktiviteteve që çojnë në zhvillimin e tyre personal dhe në karrierë.

Aleksandar Nikolovski, kryetari i Parlamentit Studentor Universitar thotë për Meta.mk se kjo ngjarje u dha studentëve mundësinë që të mësojnë nga profesorët dhe ekspertët cilësorë në sektorin e biznesit, duke përvetësuar njohuri dhe aftësi të reja që mund t’i ndihmojnë studentët pas diplomimit, por edhe se konferenca ishte një mundësi për shoqërim mes studentëve.

“Pas pandemisë së Covid-it, synimi ynë shtesë ishte që studentët të lidhen, të miqësohen dhe të njihen me njëri-tjetrin, sepse kështu mund të arrihen bashkëpunime jashtëzakonisht të mira. Duke u bashkuar arrijmë sinergji për ndryshime shoqërore”, thotë Nikolovski.

Ai shton gjithashtu se mungesa e ngjarjeve të tilla është një motiv që parlamenti studentor të punojë sërish në evente të ngjashme dhe se theksi vihet te aktivitetet argëtuese dhe sportive.

Në konferencë morën pjesë edhe disa studentë të huaj që studiojnë në Maqedoni përmes programeve të shkëmbimit të studentëve. Qëllimet e këtij tubimi akademik ishin gërshetimi i njohurive dhe ideve si dhe zhvillimi i studentëve, dhe është njëra nga konferencat më të mëdha studentore deri më tani në Maqedoni.