Të krijuara nga droga dhe krimi, bllokohen 38 pasuri në Shqipëri

38 pasuri në emër të personave me të shkuar kriminale dhe të lidhur me njerëz të dënuar për krim të organizuar apo trafik droge, u konfiskuan dhe i kaluan në favor shtetit, raporton Klan. Mes të cilave, 3 prona dhe një makinë në emër të shtetasit Ahmet Isufaj, i cili është i dënuar për trafik të lëndëve narkotike. Ai është xhaxhai i Arben Isufajt, i njohur ndryshe edhe si Ben Qimja.

7 pasuritë e tjera të kaluara në pronësi të shtetit posedoheshin nga Zaim Tafa dhe njerëzit e tij të lidhur. Ato konsistojnë në toka dhe biznese në zonën e Patosit, një apartament në Sarandë dhe 3 makina. Tafa rezulton i hetuar për trafik të heroinës disa vite më parë.

Pasuria iu konfiskua edhe Lulzim Zefit, një të dënuar nga drejtësia angleze për trafik të narkotikëve. Në favor të shtetit kaluan 16 garazhe në Yzberisht dhe Kashar, si dhe një makinë.

10 pasuri të tjera të cilat rezultuan të blera në Shqipëri nga shtetasi Dries Lonneux, një personazh i arrestuar dhe hetuar në Belgjikë për trafik të lëndëve narkotike, janë sekuestruar nga Prokuroria e Posaçme, e cila prej disa muajsh po e heton atë në bazë të një letërporosie të sjell nga autoritetet belge.