Të hënën nuk do të ketë autobusë në Shkup, të punësuarit nuk e kanë marrë rrogën e dhjetorit

Të hënën autobusët e NTP “Shkup” nuk do të qarkullojnë për shkak se punëtorët e ndërmarrjes së qytetit nuk janë paguar për muajin dhjetor. As administrata dhe as shoferët nuk do të punojnë, transmeton Portalb.mk.

NTP “Shkup” nuk mund të ndajë pagë për shkak se vendimi për subvencione prej 11 milionë euro nga Qyteti i Shkupit nuk ka kaluar për shkak se nuk e kanë votuar këshilltarët nga VMRO-DPMNE.

“Afati ligjor për pagesën e pagave është 15 janari, sot është 18 janar dhe nuk kemi marrë rrogë, as nuk ka para që të shpërndahen sepse kompania nuk ka para. Kërkojmë që urgjentisht të thirret seanca dhe të ndahet paga”, thotë Miço Stojanovski nga Sindikata e NTP-së.

Nga sindikati i NTP-së thonë se nëse deri të dielën nuk caktohet seancë e jashtëzakonshme në të cilën do të ndahen subvencionet, të hënën do të pushojnë së punuari.

Kryetarja Danela Arsovska thotë se ka thirrur seancë të jashtëzakonshme, por pikën për subvencionet për NTP e ka hequr nga rendi i ditës kryetari i Këshillit, Trajko Sllaveski.

“Siç e shihni, ne kërkuam seancë të re të jashtëzakonshme, e cila ende nuk është thirrur deri më sot. Nëse duan të shkatërrojnë kompanitë me vetëdije, përgjegjësia është e tyre, ne kemi bërë gjithçka që kemi mundur. Jetesa e njerëzve varet nga sjellja e tyre, si dhe funksionimi i plotë i Shkupit”, tha Arsovska.

Kryetari i Këshillit të Qytetit të Shkupit Trajko Sllaveski thotë se Arsovska nuk ka ardhur në seancë të jashtëzakonshme dhe për këtë arsye kjo pikë nuk është futur në rend dite.

“Pika për subvencione do ta kisha vendosur pas seancës së jashtëzakonshme, por nuk u mbajt sepse nuk erdhi Arsovska, me sa duket kishte aktivitete partiake. Këshillat votojnë sipas bindjes së tyre, por komuna nuk mund të japë vazhdimisht para për NTP-në dhe nuk ka transparencë se si shpenzohen paratë”, thotë Sllaveski.

Edhe vitin e kaluar punëtorët e ndërmarrjes publike nuk dolën për të vozitur për shkak të vonesës në dhënien e pagave brenda afatit ligjor të NTP “Shkupi”, por pas zgjidhjes së problemit autobusët vazhduan të qarkullojnë nëpër rrugët e Shkupit.