Të barabartë në shpenzime, të përjashtuar në politika

Shkruan: Refik Ajeti

Shpesh po lexoj lajme paralajmëruese për rritjen e pagës minimale në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Deri këtu gjithçka është në rregull, sepse sigurisht që kjo është në të mirë të punëtorëve, të cilët janë kryefamiljarë.

Por, një gjë më ka rënë në sy gjatë kësaj periudhe. Si përfitues i shtesës Мобилност dhe туѓа и њега, sipas shtetit duket se kjo kategori nuk është pjesë e kësaj shoqërie dhe nuk duhet të jetë prioritet i asnjë iniciative për rritjen e këtyre pensioneve. Edhe përtej faktit të pamohueshëm se këto pensione nuk janë rritur, fakti tjetër është se shpenzimet janë rritur në vlerë të njëjtë edhe për ne, ashtu si për kategoritë e tjera të shoqërisë.

një shtet që e kujton këtë kategori të margjinalizuar vetëm një herë në katër vite, madje duke dërguar përfaqësues komunalë e shtetërorë vetëm për t’ua mundësuar të drejtën e votës. I njëjti shtet i privon nga mikrofoni, nga protesta dhe nga ngritja e zërit; nuk i merr parasysh nevojat e kësaj kategorie, sepse vlerëson dhe konsideron se kjo kategori duhet të mjaftohet me mbijetesë, dhe jo të gëzojë një jetë më të mirë e me të ardhura dinjitoze.

Sa i përket punësimit të kësaj kategorie, kërkohen nivele të caktuara akademike, ndërsa në anën tjetër disa personave fizikisht të aftë ua mundësojnë postet më të larta, edhe në qoftë se diplomat i kanë të blera nëpër kafene apo zyra të ndryshme.

Meqë nuk jemi pjesë e planit për përmirësimin e kushteve duke na mundësuar punësim sipas aftësive intelektuale dhe duke na i rritur pensionet të cilat i gëzojmë me shumë mundime, madje ndonjëherë edhe me intervenime, atëherë nuk duhet ta kemi të drejtën të jemi përcaktues i zërit të popullit duke votuar përfaqësues në parlament. Para se të na vizitoni një herë në katër vite, lëshojani një sy së pari gjendjes së pensioneve në të cilën na keni lënë.