“Treshja”, “rrezitja” e Lajçakut me Kurtin në Greqi dhe telefonata e refuzuar

Publikimi i dosjeve të fundit që implikojnë ish-Emisarin e Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në komunikime me Jeffrey Epstein ku mes tjerash shpreh admirim për ministrin e jashtëm rus, Sergey Lavrov, nxitën reagime të shumta. Për Kosovën, dyshimet për aleancë me Serbinë e Rusinë kundër Kosovës, nuk janë produkt i skandalit në mijëra dosjet e publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i ShBA-së. Ato kanë qenë të pranishme prej vitesh, në shumë raste të shpërfaqura hapur nga liderë institucionalë e politike që shfaqnin mungesë besimi në neutralitetin dhe rolin e ndërmjetësit, shkruan Sbunker.

Akuza për koordinim me Vuçiqin

Kryeministri Albin Kurti që dikur e lartësonte figurën e Lajçakut dhe shfaqte pritje për sukses në dialogun e ndërmjetësuar prej tij, në 2023-ën, kur procesi po kalonte momente kritike, ai bëri një akuzë direkte dhe të pazakontë për gjuhën diplomatike.

Pas takimit në Bruksel në shtator 2023, Kurti e kishte akuzuar Miroslav Lajçakun për koordinim me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në dëm të Kosovës. Sipas Kurtit, emisari Lajçak e Vuçiqi kishin qëllim që marrëveshja bazike në mes të Kosovës dhe Serbisë të mos zbatohej në plotni, por vetëm pjesa për Asociacionin.

“Unë nuk do të thosha që BE ka pasur një koordinim me Serbinë, por emisari special evropian ka pasur një koordinim me presidentin e Serbisë”, kishte deklaruar Kurti.

Ky perceptim u përforcua edhe më shumë kur Bashkimi Evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës për shkak të përshkallëzimit të situatës në veri të vendit, që sipas Brukselit fajtore ishte Prishtina zyrtare. Serbia mbeti e pandëshkuar, pavarësisht moszbatimit të obligimeve nga Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit, si dhe konfirmimeve të mëvonshme të institucioneve të Kosovës për përfshirjen e strukturave tw Serbisw në planifikimin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023.

Gjatë qeverisjes së Kurtit, Lajçak më nuk shfaqej si ndërmjetës i paanshëm por si figurë që me vetëdije ose jo, prodhonte presion selektiv mbi Kosovën.

Kur Thaçi fliste për treshen Kurti-Lajçak-Borrell

Mosbesimi ndaj Miroslav Lajçakut nuk ishte ekskluzivitet i një lideri.

Ish-presidenti Hashim Thaçi e kishte shprehur hapur mosbesimin e thellë ndaj diplomatit sllovak, duke refuzuar madje të shkonte në negociatat e udhëhequra prej tij. Për Thaçin, dialogu nën drejtimin e Lajçakut jo vetëm që ishte i paqartë por potencialisht i dëmshëm për interesat strategjike të Kosovës.

Thaçi, i cili në atë kohë propozoi korrigjim të kufijve me Serbinë dhe kërkoi rol më të madh të SHBA-së në dialog, e shihte Lajçkun si përfaqësues pa unitet dhe pa vizion të qartë brenda BE-së për përfundimin e procesit.

Ai refuzonte të negocionte me dy diplomatë që nuk e njohin Kosovën si shtet, duke iu referuar ish Përfaqësuesit të Lartë, spanjollit Joseph Borrell dhe sllovakut Lajçak. Thaçi i mëshonte argumentit se Lajçaku kishte votuar edhe kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.

Në këtë fazë, figura e Lajçakut ishte shndërruar edhe në instrument të betejave të brendshme politike, veçanërisht pas ndryshimeve në lidership, kur Albin Kurti ishte zgjedhur kryeministër dhe Vjosa Osmani kryeparlamentare.

Z.Kurti është në kontakt me të që 3 muaj, dhe nuk e di sa larg kanë shkuar treshja Kurti-Lajçak-Borell” , pati deklaruar Thaçi në maj të 2020-ës.

Për Thaçin, kjo treshe simbolizonte një qasje pa vizion të qartë dhe pa garanci për përfundimin e procesit me njohje reciproke.

E Vjosa Osmani, si ushtruese e detyrës së presidentes në një konferencë të përbashkët me Miroslav Lajçakun më 2 mars 2021, e pati thumbuar Thaçin. Ajo proklamonte se me qeverinë e re do të ketë qasje të re në dialog dhe se nuk do të vendosej në tavolinë çështja e kufijve.

Refuzimi i bisedës telefonike

Në vitin 2021, ish kryeministrit Ramush Haradinaj zgjodhi një formë tjetër për të shprehur mosbesimin ndaj Lajçakut. Ai e kishte refuzuar ftesën e emisarit evropian për bisedë telefonike duke e cilësuar të panevojshme. Në diplomaci, shpesh heshtja flet më shumë se fjalët – dhe ky ishte një nga ato raste.

Konteksti ishin përpjekjet për rifillimin e dialogut në Bruksel, i ndërprerë pas vendosjes së tarifës 100 për qind ndaj mallrave serbe në nëntor të vitit 2018 si përgjigje ndaj fushatës së çnjohjeve nga shteti i Serbisë. Për Haradinajn që ishte dorëhequr nga posti i kryeministrit periudhën kur po ballafaqohej me presione për heqjen e taksës, “dialogu kishte devijuar nga temat e rëndësisë substanciale duke rrezikuar të arriturat e Kosovës dhe dëmtuar seriozisht kredibilitetin e BE-së për ta ndërmjetësuar procesin në të ardhmen”. Refuzimi për të folur me të, qoftw edhe nw telefon, ishte sinjal se ndërmjetësi nuk gëzonte kredibilitet politik.

“Kurti është rrezitë me Lajçakun në Greqi”

Diskursi kritik ndaj Lajçakut nuk kufizohej në nivel liderësh institucional. Ai përmendej edhe nga deputetë opozitarë, duke e portretizuar afërsinë e tij me kryeministrin Kurti si të rrezikshme dhe të dyshimtë. Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, pati tërhequr analogji mes raportit të Kurtit me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, duke e futur në mes Lajçakun.

Nuk mundet me kanë ma mik i mirë Greqia sesa Shqipëria, z.Kurti është rrezitë me Lajçakun në Greqi, ndërsa me kryeministrin Edi Rama, gjak e lak shkojnë”, pati deklaruar Haradinaj.

Greqia është ndër vendet ku Kurti ka zhvilluar takime me Emisarin Lajçak në margjina të forumeve të ndryshme.

Në këtë mënyrë, Lajçak shihej jo vetëm si ndërmjetës evropian por edhe aktor me ndikim të drejtpërdrejtë në dinamikat e brendshme të Kosovës.

Trashëgimia e Lajçakut

Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit përfaqësojnë kulmin e ndërmjetësimit të Miroslav Lajçakut. Jehona që iu dha arritjes së ujdive u shua shpejtë kur u thellua mosbesimi mes palëve ndërsa zbatimi i marrëveshjeve mbeti në letër. Me shpërthimin e tensioneve në veriun e Kosovës, dialogu u zhvendos nga tryeza politike në menaxhimin e krizës së sigurisë.

Kjo ka ushqyer bindjen se dialogu, në formën si po zhvillohej është më shumë një mekanizëm për të blerë kohë sesa një proces që prodhon zgjidhje përfundimtare.

Dosja Epstein dhe admirimi i Lajçakut për Lavrovin nuk krijojnë një narrativë të re. Ato i japin një dimension ndërkombëtar dyshimeve që Kosova i ka artikuluar prej vitesh.

Në komunikimet me të dënuarin për krime seksuale, Jeffrey Epstein, emisari Lajçak ka diskutuar nga çështje gjeopolitike deri te ato personale, përfshirë gratë dhe vajzat e reja që, sipas dokumenteve, Epstein i ofronte në pronat e tij për politikanë të fuqishëm. Fillimisht Lajçaku e kishte mohuar kontaktin me Jeffrey Epstein, por pasi dolën provat që dëshmonin të kundërtën, ai dha dorëheqje nga posti i këshilltarit të kryeministrit sllovak.

Zyrtarë të BE-së deklaruan se përfshirja e Miroslav Lajçakut në dosjen Epstein nuk e komprometon procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Megjithëkëtë rasti i Lajçakut dëshmon se mosbesimi ndaj diplomatëve ndërkombëtare nuk lind vetëm nga skandalet, por nga përvoja konkrete politike.