Talibanët vranë liderin e IS-it që planifikoi sulmin në aeroportin e Kabulit
Lideri i grupit militant, Shteti Islamik (IS), që besohet se ka planifikuar sulmin me bombë në aeroportin e Kabulit më 2021 është vrarë nga talibanët, thanë zyrtarët amerikanë, transmeton REL.
Bombardimi i gushtit të vitit 2021 la të vrarë të paktën 170 civilë dhe 13 ushtarë amerikanë, teksa njerëzit po tentonin të largoheshin nga Afganistani pasi talibanët morën kontrollin e shtetit.
Ky militant i IS-it është vrarë javë më parë, por është dashur kohë që të konfirmohet vdekja e tij, thanë zyrtarët amerikanë.
Emri i militantit të vrarë nuk është bërë publik.
Zyrtarët amerikanë thanë se kanë përcaktuar se lideri i IS-it është vrarë përmes mbledhjes së informacioneve të inteligjencës në rajon, edhe pse ata nuk dhanë detaje të tjera se si mësuan se ai ishte përgjegjës për bombardimin.
“Ekspertët në Qeveri kanë besim të madh se ky individ në të vërtetë ishte personi përgjegjës”, tha një zyrtar i lartë amerikan për CBS.
Sipas raportimit të New York Times, SHBA-ja mësoi për vdekjen e liderit të IS-it në fillim të prillit. Është e paqartë nëse ai është shënjestruar nga talibanët apo është vrarë gjatë luftimeve të vazhdueshme midis IS-it dhe talibanëve.
Më 24 prill, SHBA-ja nisi të njoftonte familjet e ushtarëve të vrarë në bombardimin në Kabul lidhur me vdekjen e liderit të IS-it.
Bombardimi në aeroportin e Kabulit ndodhi disa orë pasi qeveritë perëndimore paralajmëruan shtetasit e tyre që të qëndrojnë larg Aeroportit Ndërkombëtar të Kabulit për shkak të rrezikut të madh nga IS-K, që është dega e IS-it në Afganistan.
Sulmi ndodhi më 26 gusht të vitit 2021 kur një sulmues vetëvrasës hyri në mes të turmës që po prisnin jashtë portës së aeroportit dhe shpërtheu eksplozivët.
Atëbotë, turma të mëdha njerëzish ishin mbledhur në atë zonë, duke shpresuar që do të mund të evakuoheshin pas tërheqjes së trupave amerikane nga Afganistani.
SHBA-ja kreu një sulm me dron në Kabul disa ditë më vonë dhe deklaroi se kishte shënjestruar një sulmues vetëvrasës, por pranoi se raketa kishte vrarë dhjetë civilë, përfshirë shtatë fëmijë.
Më pas Uashingtoni ofroi 10 milionë dollarë shpërblim për këdo që kishte informacione që do të çonin në kapjen e personave përgjegjës për sulmin apo për kapjen e liderit të IS-K, Sanaullah Ghafari.
Në gusht të vitit 2021, trupat amerikane u tërhoqën nga Afganistani, duke i dhënë fund luftës më të gjatë amerikane.
Tërheqja e trupave çoi në kolapsimin e Qeverisë afgane dhe ushtrisë, që SHBA-ja kishte mbështetur për dy dekada. Kjo mundësoi edhe rikthimin në pushtet të talibanëve.