Takimi Biden-Sunak: Partneritet ekonomik dhe mbështetje e Ukrainës
Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden dhe kryeministri i Britanisë Rishi Sunak njoftuan të enjten një partneritet ekonomik mes dy vendeve, që përqendrohet tek tranzicioni energjitik dhe zhvillimi i teknologjive kritike dhe të reja, të cilat janë me rëndësi për interesat kombëtare të të dyja vendeve, transmeton Zëri i Amerikës.
Pas takimit në Shtëpinë e Bardhë, dy udhëheqësit u zotuan se do të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën që vazhdon të përballet me agresionin rus.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Rishi Sunak, presidenti Joe Biden njoftoi arritjen e një marrëveshjeje që siguron udhëheqjen amerikano-britanike lidhur me teknologjitë ekzistuese kritike dhe zëvendësimin e tyre me teknologji të reja, duke përfshirë inteligjencën artificiale, sigurinë ekonomike, transformimin digjital dhe kalimin nga energjitë tradicionale në ato alternative dhe të ripërtërishme.
“Sot zhvilluam diskutime vërtet të mira mbi marrëdhëniet tona ekonomike dhe nisëm bisedimet mbi elementë dhe metale të rralla, me rëndësi strategjike dhe një marrëveshje për të trajtuar krizën klimatike”, tha Joe Biden, President i Shteteve të Bashkuara.
Kryeministri i Britanisë Rishi Sunak tha se e ashtuquajtura “Deklaratë e Atlantikut” do të zvogëlojë varësitë strategjike nga fuqitë kundërshtare.
“Vende si Kina dhe Rusia janë të gatshme të manipulojnë dhe të përdorin qasjen tonë ndaj teknologjisë, të vjedhin pronësinë tonë intelektuale, të përdorin teknologjinë për qëllime autoritare, ose të tërheqin burime kritike si energjia. Ata nuk do kenë sukses”, tha Rishi Sunak, kryeministër i Britanisë.