“Super e marta” e sotme pritet të japë shumë përgjigje në garën për kandidatët presidencialë në SHBA

Sot në SHBA është “Super e Marta”, e cila është dita më e rëndësishme deri tani në garën për kandidatë për zgjedhjet presidenciale, të cilat do të mbahen në nëntor të këtij viti, transmeton Portalb.mk.

Votuesit në 15 shtete federale dhe një territor amerikan do të zgjedhin sot kandidatët për president.

Votimi i sotëm duhet të jetë tregues i fuqisë dhe dobësive të mundshme të ish-presidentit dhe atij aktual, Donald Trump dhe Joe Biden, të cilët pritet të përballen në nëntor në një përpjekje për një mandat tjetër në Shtëpinë e Bardhë, raporton BBC.

Në “Super të Martën” e sotme shumica e shteteve federale votojnë për një kandidat presidencial.

Zgjedhjet e nominimit do të mbahen në Alabama, Alaska, Arkansas, Kaliforni, Kolorado, Maine, Massachusetts, Minesota, Karolina e Veriut, Oklahoma, Tenesi, Teksas, Utah, Vermont, Virxhinia dhe në territorin amerikan të Samoas Amerikane. Zgjedhjet republikane do të mbahen në të gjitha këto 15 shtete, ndërsa demokratët do të votojnë në të njëjtat shtete me përjashtim të Alaskës. Gjithashtu do të dihen edhe rezultatet e votimit për kandidatin e Partisë Demokratike në Iowa.

Sipas BBC, rreth një e treta e numrit të përgjithshëm të delegatëve – 865 republikanë dhe të paktën 1,420 demokratë – do të zgjidhen sot, në “Super të Martën”. Fushata e Trumpit parashikoi se ai do të fitonte të paktën 773 delegatë dhe do të fitonte nominimin që në mars. Ai aktualisht ka rreth 244 delegatë, ndërsa kundërshtarja e tij republikane Nikki Haley ka 43.

Për të fituar nominimin republikan nevojiten minimumi 1215 delegatë, ndërsa demokratët 1968.

Rezultatet e para pritet të dihen në orën 20:00 në SHBA, që është ora 2 e mëngjesit me orën tonë.