Sulmet izraelite vranë të paktën 60 njerëz në Gazë
Sulmet izraelite gjatë natës ndërmjet të hënës dhe të martës kanë vrarë të paktën 60 persona në Rripin e Gazës, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Izraeli ka nisur një luftë tjetër gjenocidale të madhe në Gazë gjatë ditëve të fundit, duke thënë se synon të kthejë dhjetëra pengje që mbahen nga Hamasi.
Të hënën, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, nisi të lejojë hyrjen e një numri të vogël të kamionëve me ndihma në Gazë për herë të parë pas 2 muajsh e gjysmë, duke thënë se ishte përballur me trysni për të hequr një bllokadë ndaj 2 milionë palestinezëve të territorit, që kishte nxitur frikë për zi buke.
Por, agjencitë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara thanë se disa kamionë që kanë hyrë nuk janë as afër përmbushjes së nevojës masive për ushqime, ilaçe dhe furnizime të tjera, raporton Associated Press. Rreth 600 kamionë në dytë kishin hyrë gjatë një armëpushimi, më parë këtë vit.
Dy sulme në veri të Gazës goditën një shtëpi familjare dhe një shkollë të shndërruar në vendstrehim, duke vrarë të paktën 22 persona, më shumë se gjysma e të cilëve ishin gra dhe fëmijë.
Një sulm në qytetin qendror Deir al-Balah vrau 13 persona, ndërsa një tjetër në kampin e afërt të refugjatëve Nuseirat u mori jetën 15 personave.
Dy sulme në qytetin jugor të Han Junisit vranë 10 persona.
Nuk pati komente të menjëhershme nga ushtria izraelite, e cila thotë se sulmon vetëm militantë, dhe fajëson Hamasin për vdekjen e civilëve, për shkak se grupi operon në zona të populluara.
Lufta gjenocidale hakmarrëse e Izraelit, e cila ka shkatërruar pjesë të mëdha të Gazës, ka vrarë mbi 53.000 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë.
Lufta ka zhvendosur rreth 90 përqind të popullatës së Gazës, shumicën prej tyre disa herë.