Dijar Ademi zuri vendin e parë në Olimpiadën Shtetërore të Matematikës për të rinj në RMV

Dijar Ademi zuri vendin e parë në Olimpiadën e 29-të Junior të Matematikës (JMMO 2025) në RMV me gjithsej 35 pikë, shkruan Portalb.mk.

Olimpiada Junior e Matematikës këtë vit mblodhi talentët e matematikës nga e gjithë Maqedonia e Veriut nën moshën 15.5 vjeç, për të treguar talentin e tyre në këtë lëndë.

Duke u bazuar në rezultatet e shpallura, Dijar Ademi është renditur i pari nga 35 garues, apo ndër 18 nxënësit më të mirë, të cilët do të jenë pjesëmarrës në testin përzgjedhës për formimin e ekipeve që do ta përfaqësojnë Maqedoninë e Veriut në Olimpiadën Ballkanike për të Rinj (JBMO 2025). Ky test do të mbahet më 2 qershor në Fakultetin e Shkencave Natyrore dhe Matematike në Shkup.

Dijar Ademi për Portalb.mk tha se motivimi i tij ka lindur vetvetiu për të mësuar dhe ushtruar çdo ditë matematik dhe që në fund korri sukses me vendin e parë në Olimpiadën e 29-të Junior të Matematikës.

“Që nga viti i kaluar unë e mora motivimin vet, që çdo ditë të mësoj matematikë nga dy orë në ditë. Ky mësim i çdo ditshëm duke zgjedhë detyra nga garat e ndryshme të botës në matematikë, kur hyra në këtë garë, katër detyrat e para i kam përfunduar për vetëm dy orë, që ishte shumë shpejtë, dhe ky është çelësi që unë i’a arrita qëllimit që të fitoj vendin e parë në këto gara. Kjo arritje dhe ky sukses më kanë shtyrë që edhe më shumë ti përkushtohem kësaj lënde të preferuar timen”, tha Ademi.

Ai shtoi më tej se vetëm me punë dhe përkushtim të çdo-ditshëm arrin sukses.

“I vetmi çelës i suksesit është që secili që dëshiron të arrijë diçka në punë apo në ndonjë aspekt tjetër është veç se ai duhet të mësojë çdo ditë deri në arritjen e qëllimit”, tha Ademi.

Ademi shtoi se duhet të ketë më tepër aktivitete të tilla në vend.

“Aktivitetet e tilla janë shumë të rëndësishme, sidomos për matematicientët. Do të ishte mirë që më shpesh të ketë gara sfiduese me nxënës të talentuar dhe detyra interesante, që për ata të cilët e dinë që kanë ndonjë garë interesante të marrin motivim që të ushtrojnë për atë garë, sidomos kur e sheh që shoku apo shoqja e tij ka fituar një garë ai do të motivohet që në garën tjetër të arrij suksesin e dëshiruar”, tha Ademi.

Drejtoresha e Shkollës së matematikës “Digitime” Vlora Ademi njëherit dhe prindi i Dijar Ademit për Portalb.mk u shpreh mjaftë e kënaqur me suksesit e Dijarit ku në këto gara arriti të zë vendin e parë.

“Unë të them të drejtën jam jashtëzakonisht e kënaqur. Puna e Dijarit që po bënte këto tre-katër vitet e fundit me radhë, u shpërblye dhe ky është një motiv më i madh që të vazhdojë më tutje. Kjo më bënë të lumtur që kemi një shembull apo një prototip që do të jetë Dijari që do të shërbejë në shoqërinë tonë sidomos për të rinjtë”, tha Ademi.

Ajo nënvizoi se këto gara janë një shtysë e fortë që mund të mbërrijë majat e suksesit në të ardhmen.

“Këto gara janë një shtytës, një mekanizëm shumë i fortë që faktikisht të mund të mbrinë majat e suksesit në të ardhmen. Këto nivele të garave janë nivele prestigjioze, të cilat të dërgojnë në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës”, tha Ademi.

Suksesi i Dijar Ademit është një shembull frymëzues për gjithë të rinjtë që synojnë të avancojnë në fushën e shkencës.