Sulm ndaj një gazetareje në tubimin e VMRO-së, ShGM: Dënojmë incidentin, të mos përsëriten skena të tilla

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dënon qëndrimin agresiv dhe kërcënimet verbale ndaj gazetares Elizabeta Damjanovska dhe kolegut të saj kameraman nga TV 24, që ndodhën gjatë tubimit të djeshëm të partisë VMRO DPMNE para Qeverisë nga një person i panjohur. Nga ShGM kërkojnë nga partia politike VMRO DPMNE, si dhe nga pjesëmarrësit e tjerë në fushatën zgjedhore, të dënojnë sulmin ndaj kolegëve të TV 24 dhe incidente të tilla të mos përsëriten, transmeton Portalb.mk.

“Sipas deklaratës së kolegëve nga TV 24, gjatë tubimit të parë partiak të partisë opozitare VMRO DPMNE, mbrëmë para Qeverisë në Shkup, ka ndodhur një incident i pakëndshëm nga një person agresiv, i cili ka rrezikuar sigurinë e koleges Damjanovska dhe kameramanit të TV 24. Personi fillimisht filloi të ofendojë dhe nënçmojë grupin televiziv duke përdorur fjalë nënçmuese dhe sharje në përgjithësi për të gjithë gazetarët, e më pas kjo ka përshkallëzuar me kërcënime ndaj tyre, duke shkaktuar ndjenjën e frikës dhe pasigurisë“, thonë nga ShGM.

SHGM rikujton se gazetarët kanë cilësi zyrtare dhe se sulmi ndaj gazetarit apo punonjësit të medias gjatë kryerjes së detyrave profesionale është vepër penale e dënueshme me burg.

“Përveç kësaj, theksojmë se fjalimi agresiv dhe gjuha e urrejtjes ndaj gazetarëve mund të shkaktojnë akte urrejtjeje, të cilat mund të rrezikojnë më tej sigurinë e gazetarëve, e me këtë edhe të drejtën për informim të qytetarëve dhe për të marrë informacion për proceset e rëndësishme shoqërore”, thuhet në reagim.

Kujtojmë se sipas Raportit për vitin 2024 të Platformës së Këshillit të Evropës për Promovimin e Mbrojtjes së Gazetarisë dhe Sigurisë së Gazetarëve, kërcënimet, frikësimet, arrestimet, legjislacioni restriktiv, paditë tendencioze dhe kontrolli dhe sulmet ndaj mediave janë problemet kryesore me të cilat përballen sot punonjësit mediatik.