Raporti për sigurinë e gazetarëve: Kërcënimet, arrestimet, paditë dhe sulmet janë problemet kryesore me të cilat përballen gazetarët

Kërcënimet, frikësimet, arrestimet, legjislacioni restriktiv, paditë tendencioze dhe kontrolli dhe sulmet ndaj mediave janë problemet kryesore me të cilat përballen sot punonjësit mediatik, thuhet në Raportin për vitin 2024 të Platformës së Këshillit të Evropës për Promovimin e Mbrojtjes së Gazetarisë dhe Sigurisë së Gazetarëve, transmeton Portalb.mk.

“Gazetarët janë subjekt i përgjimit të paligjshëm me ndihmën e softuerëve për spiunim, janë të ekspozuar ndaj presioneve përmes padive të pabaza për ta penguar punën e tyre hulumtuese dhe janë të detyruar të largohen në mërgim, sidomos nga Rusia dhe Bjellorusia”, thuhet në dokumentin e titulluar “Liria  e mediave në Evropë: Është koha për ta ndalur valën“.

Sipas Raportit, gjatë vitit 2023 organizatat partnere të Platformës kanë publikuar 285 paralajmërime për kërcënime apo sulme serioze ndaj lirisë së medias në Evropë, që është pothuajse njësoj si një vit më parë kur u regjistruan 289 raste të tilla.

Numri i gazetarëve të vrarë dhe dhuna në rrugë ndaj punonjësve mediatik ka shënuar rënie

Platforma thekson se vitin e kaluar është evidentuar një rënie e numrit të gazetarëve të vrarë dhe e dhunës në rrugë ndaj punonjësve mediatik, por ata ende duhet ta bëjnë punën e tyre të ekspozuar ndaj një numri të madh kërcënimesh, presionesh dhe kufizimesh.

Sipas Sekretares së Përgjithshme të Këshillit të Evropës, Marija Pejçinoviq-Buriq, ky raport i tregon rreziqet dhe pengesat në rritje me të cilat përballen gazetarët dhe mediat në Evropë.

“Ne kemi nevojë për veprim vendimtar nga shtetet për mbrojtjen e gazetarëve dhe për përballjen me kërcënimet ndaj lirisë së medias, siç janë paditë e pabaza dhe mbikëqyrja e paligjshme“, thotë Pejçinoviq-Buriq.

Ajo gjithashtu u bëri thirrje vendeve anëtare të Këshillit të Evropës që të tregojnë një përkushtim të fuqishëm për respektimin e standardeve të lirisë së medias dhe në nivel kombëtar ta promovojnë fushatën e organizatës me titull “Gazetarët kanë rëndësi”.

Në Raport theksohet se liria e medias dhe siguria digjitale e gazetarëve vazhdojnë të kërcënohen nga përdorimi i teknologjive spyware që përdoren për të ndjekur gazetarët dhe punonjësit mediatik, ndërkohë që përgjegjësia për rastet e tilla të raportuara vazhdon të jetë shumë e ulët.

Gazetarët nga Rusia dhe Bjellorusia janë të detyruar të largohen në mërgim

Në dokument gjithashtu theksohet se Evropa po përballet me një fenomen të paprecedentë në të cilin punonjësit mediatik, kryesisht nga Rusia dhe Bjellorusia, detyrohen të largohen në mërgim për shkak të rrezikut fizik për jetën dhe lirinë e tyre, për shkak të ndjekjes penale, kërcënimeve dhe frikësimeve, të cilat “kundër tyre dhe familjeve të tyre shpesh vazhdojnë edhe pasi të jenë larguar në mërgim”.

Si trend në Evropë theksohen edhe proceset gjyqësore për mbrojtjen e reputacionit të iniciuara nga politikanët dhe biznesmenët nëpërmjet të të cilave ushtrohet presion ndaj gazetarëve dhe mediave, sepse ato përballen me dënime penale dhe detyrime për të paguar dëmshpërblime dhe gjoba të larta.

Në raport thuhet edhe se agresioni rus kundër Ukrainës ka efekte të rëndësishme në lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve, duke vënë në dukje rastet e vdekjes së gazetarëve Bohdan Bitik dhe Arman Soldin gjatë raportimit nga terreni, si dhe plagosjen e disa punonjësve mediatik.

Përveç kësaj përmendet rasti i punonjësit të shërbimit të sigurisë së televizionit shqiptar Top Channel, Pal Kola, i cili mbeti i vrarë gjatë një sulmi ndaj kësaj medie.

Deri më 31 dhjetor të vitit 2023, në shtetet anëtare të Këshillit të Evropës, përfshirë këtu edhe  territoret ukrainase nën pushtimin e Rusisë, janë arrestuar 59 gazetarë dhe punonjës mediatik. Nga ana tjetër, vetëm në Rusi dhe Bjellorusi, të cilat nga vitit 2022 janë përjashtuar nga Këshilli i Evropës, janë arrestuar 65 punonjës mediatik, gjë që theksohet si tregues i intensifikimit të represionit ndaj gazetarëve të pavarur në këto dy vende.

“Rusia i është rikthyer praktikës së pengmarrjes së institucionalizuar me arrestimin e gazetarëve amerikanë Evan Gershkovich dhe Alsou Kurmasheva”, thuhet në Raport.

Janë evidentuar gjithsej 30 raste të mosndëshkimit për vrasjen e 49 punonjësve mediatik

Sipas të dhënave të Platformës, deri në fund të vitit 2023 janë regjistruar gjithsej 30 raste të mosndëshkimit për vrasjen e 49 punonjësve mediatik, nga të cilat pesë raste të reja janë shtuar gjatë vitit të kaluar, dhe atë për Sokratis Iolias dhe Giorgos Karaivaz në Greqi, Aleh Byabenin në Bjellorusi, Milan Pantiq në Serbi dhe Yuri Shchekochikhin në Rusi. Ndërsa rasti i gazetarit ukrainas Vyacheslav Veremiy është shpallur i mbyllur.

Në raport partnerët e Këshillit të Evropës shprehin mbështetjen e tyre për fushatën “Gazetarët kanë rëndësi”, e cila filloi tetorin e kaluar dhe u bëjnë thirrje shteteve anëtare të Organizatës që të zbatojnë reformat në sistemin policor dhe legjislativ për ta harmonizuar plotësisht Rekomandimin e Komitetit të Ministrave të Këshillit nga viti 2016 për mbrojtjen e gazetarisë dhe sigurinë e gazetarëve dhe punonjësve të tjerë mediatik.

Këshilli i Evropës krijoi Platformën për Promovimin e Mbrojtjes së Gazetarisë dhe Sigurisë së Gazetarëve në vitin 2015 në bashkëpunim me organizata të shquara ndërkombëtare joqeveritare aktive në luftën për lirinë e shprehjes dhe me shoqatat e gazetarëve.

Platforma ka për qëllim që të sigurojë informacion që mund të shërbejë si bazë për dialogun me shtetet anëtare të Këshillit të Evropës për të marrë masat e mundshme për mbrojtjen e gazetarëve dhe për eliminimin e aktiviteteve negative të regjistruara.

Partnerët aktualë të Këshillit të Evropës në këtë  Platformë janë Federata Evropiane e Gazetarëve, Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve, Shoqata e Gazetarëve Evropianë, Shoqata “Neni 19”, Reporterët pa Kufij, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, Indeksi i Censurës, Instituti Ndërkombëtar i Shtypit, Instituti Ndërkombëtar për Sigurinë e Lajmeve, Fondacioni Rory Peck, Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU), Qendra Ndërkombëtare PEN, Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias, organizata “Shtypi i lirë i pakufizuar” dhe Fondacioni “Drejtësi për gazetarët”.

Kujtojmë se Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ) ka thënë se 94 gazetarë dhe punonjës të mediave, në mesin e të cilëve 9 gra, janë vrarë gjatë vitit 2023, që përbën një rritje prej 67 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, dhe vë në pah nevojën për “një standard të ri global” për mbrojtjen e mediave.

Sa i përket Maqedonisë së Veriut, për rastet kur ka kërcënime të qarta për sigurinë e gazetarëve dhe punonjësve të medias, SHGM dhe Ministria e Brendshme kanë një protokoll bashkëpunimi, i cili përcakton hapat praktik të veprimit të gazetarëve kur ata janë objekt i një kërcënim përmes rrjeteve sociale dhe përgjithësisht në internet, përmes përfshirjes proaktive të Ministrisë së Brendshme në mbrojtjen e punonjësve të medias.

Ndryshe numri më i madh i gazetarëve dhe punonjësve të medias marrin kompensim për punën e tyre nën pagën mesatare në Maqedoninë e Veriut, tregoi një sondazh i kryer nga Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punëtorëve të Medias (SPGPM) dhe Instituti Resis, i mbështetur nga BE-ja.

Në të njëjtën kohë, 55 përqind e gazetarëve marrin pagë nën mesataren e vendit, ndërsa 77 përqind e punëtorëve në media janë nën mesataren e vendit.