Sudan, palët ndërluftuese shpallin armëpushim në ditën e parë të Bajramit

Udhëheqësi ‘de fakto’ i Sudanit, Abdel Fattah al-Burhan, ka shpallur armëpushim “të njëanshëm” në ditën e parë të festës së Kurban Bajramit, transmeton Anadolu.

Në një adresim televiziv, Al-Burhan tha se e gjithë bota është dëshmitare e asaj që ndodhi në kryeqytetin Khartoum, si dhe në qytetet Ubaid, Zalin, Nyala dhe Junaynah, të cilat mund të jenë një krim i spastrimit etnik dhe gjenocid.

Duke theksuar se forcat e armatosura përmbushën përgjegjësitë e tyre kundër këtij “komploti tradhtar”, al-Burhan falënderoi popullin sudanez për mbështetjen e forcave të armatosura.

Ai tha se komandanti i forcave paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF), Mohamed Hamdan Dagalo, i njohur po ashtu si Hemedti, i cili ka qenë në konflikt që nga 15 prilli, dëshiron të krijojë mbretërinë e tij mbi “mbetjet dhe kafkat e sudanezëve”.

Ai përsëriti se forcat e armatosura janë të gatshme t’ia dorëzojnë pushtetin një qeverie civile të udhëhequr nga populli sudanez.

Degalo po ashtu deklaroi një armëpushim “të njëanshëm” në prag dhe ditën e parë të Bajramit.

Më 15 prill, shpërthyen luftimet midis ushtrisë sudaneze dhe RSF-së në kryeqytetin Khartoum dhe në rrethinat e tij. Mbi 600 persona janë vrarë dhe mijëra të tjerë janë plagosur.

Muajve të fundit, shpërtheu një mosmarrëveshje midis ushtrisë sudaneze dhe RSF-së mbi integrimin e RSF-së në forcat e armatosura, që ishte një kusht kyç i marrëveshjes së tranzicionit të Sudanit me grupet politike.

Sudani ka qenë pa një qeveri funksionale që nga tetori i vitit 2021, kur ushtria shkarkoi qeverinë kalimtare të kryeministrit Abdalla Hamdok dhe shpalli gjendje të jashtëzakonshme në një lëvizje të cilësuar nga forcat politike si një “grusht shteti”.

Periudha kalimtare e Sudanit, e cila filloi në muajin gusht të vitit 2019 pas rrëzimit të presidentit Omar al-Bashir, ishte planifikuar të përfundojë me zgjedhjet në fillim të vitit 2024.