Urimet e krerëve politik në Maqedoninë e Veriut për Kurban Bajramin

Krerët politik në Maqedoninë e Veriut kanë uruar besimtarëve mysliman në vend festën e Kurban Bajramit. Mesazhi i përgjithshëm i tyre në këtë ditë festive është që të mbizotërojë solidariteti, toleranca, mirëkuptimi i ndërsjellë, bashkëjetesa dhe mirësia te të gjithë, mirëqenia ekonomike dhe ngrohtësia familjare le të sundojë në çdo shtëpi në këtë ditë të madhe, njofton Portalb.mk.

Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Stevo Pendarovski në urimin me rastin e festës së Fiter Bajramit ka dëshiruar që besimtarët myslimanë t’i kalojnë në harmoni dhe mirëqenie duke iu ndihmuar të gjithë atyre që u nevojitet ndihmë, mbështetje dhe mirëkuptim.

“Kurban Bajrami, festa e cila bazohet në themelet e solidaritetit dhe bujarisë, le të jetë nxitje për të gjithë qytetarët për tejkalim të përbashkët të sifdave në shoqërinë tonë multietnike. Në frymën e festës së Kurban Bajramit, të vazhdojmë ta ndërtojmë shtetin tonë në themelet e mirëkuptimit, bashkëjetesës dhe kujdesit për tjetrin”, thekson Pendarovski në urim.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e Kurban Bajramit me shpresë që festa t’i gjejë me shëndet të mirë, qetësi shpirtërore dhe ngrohtësi familjare, kudo që festojnë.

“Kurban Bajrami është festë e solidaritetit dhe e empatisë, festë e zemërgjerësisë dhe e faljes, festë e altruizmit dhe e vetëflijimit, e mirëkuptimit dhe e respektit mes njerëzve.  Edhe këtë vit, Kurban Bajrami i mbushi zemrat e të gjithë njerëzve dhe le t’i mbush me gëzimin që sjell me vete. Në këtë ditë të madhe, le ta ndajmë tryezën, le ta ndajmë atë që kemi me të afërmit apo të largëtit, të njohurit apo të panjohur, me ata që kanë më shumë dhe me ata që kanë më pak. Në këtë kohë të trubulencave që po kalon i mbarë njerëzimi si dhe shteti ynë, të mos lejojmë që të kalojmë vetë dhe të vetmuar në betejat dhe sfidat tona dhe të të tjerëve; të bashkohemi për tejkalimin e çdo pengese apo vështirësie që shfaqet para nesh. Ta festojmë së bashku jetën dhe ta ndërtojmë ardhmërinë e përbashkët, sepse të gjithë jemi pjesë e patjetërsueshme e kësaj toke”, thotë Xhaferi në urimin e tij.

Kryeministri dhe kryetar i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski ka uruar besimtarët që këto ditë festive besimtarët t’i kalojnë në paqe, dashuri dhe lumturi në shtëpitë e tyre.

“Kremtimi i kësaj feste e cila është simbol i solidaritetit dhe mirëqenies është në frymën e bashkëjetesës sonë shekullore të cilën e ndërtojmë me gjenerata. Festa e Kurban Bajramit të gjithë neve na përkujton në rëndësinë dhe madhësinë e ndarjes, dashurisë ndaj të afrëmit dhe respektit të ndërsjellë. Kjo ditë le të na afrojë edhe më shumë në përpjekjet tona të përbashkëta për promovim të vlerave demokratike dhe evropiane në frymën e multikulturalizmit, për çka njihemi nëpër botë. Siç kjo festë kremtohet përmes bashkimit në një tryezë të përbashkët në rrethin e familjes, farefisit dhe miqve, ashtu të jemi të bashkuar në rrugën tonë drejt inkuadrimit në familjen e madhe evropiane”, thotë Kovaçevski në urimin e tij.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka uruar besimtarët që të kenë shëndet, harmoni, mbarësi dhe paqe të përjetshme në vatrat familjare.

“Kur në vatrat tona familjare po festojmë Kurban Bajramin, le të reflektojmë sot mbi madhështinë e vlerave hyjnore të paqes, solidaritetit dhe respektit ndaj njëri-tjetrit. Kuptimi i jetës qëndron në dorën e zgjatur të ndihmës, në dorën e zgjatur të pajtimit, në praktikimin e veprave që ndriçojnë horizontet e së mirës së përgjithshme”, thotë në urim Ahmeti.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski ka uruar besimtarët duke ju dëshiruar që ditët festive t’ju sjellin fat, lumturi, paqe, harmoni dhe shëndet.

“Festa e Kurban Bajramit është festë e cila përkujton në humanizmin dhe solidaritetin të cilat janë vlera kryesore njerëzore. Të ndihmohet dhe t’i shtrihet dora atij të cilit i nevojitet është virtyt i njerëzimit. Maqedonia shumë herë deri tani ka dëshmuar se njerëzi nga përkatësi të ndryshme fetare ose etnike shumë herë deri tani ia kanë shtrirë dorën njëri-tjetrit dhe janë mbështetur në sfidat me të cilat janë ballafaquar”, thekson Mickoski në urim.

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari në urim ka dëshiruar që në këtë ditë feste ta zgjatim dorën e solidaritetit duke bërë vepra të mira.

“Le të nisim nga familjet tona të ngushta, duke rrezatuar më gjerë në familje dhe në shoqëri, pasi që kjo ditë këtë qëllim ka. Na përkujton se çdo ditë secili nga ne duhet të përpiqet të shpërndajë mëshirë, falje, mirëkuptim, mirësi dhe paqe. Gëzuar dhe me fat festën!”, thotë Taravari.

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi uron që kjo festë të na motivojë për përforcimin e besimit tonë dhe të përcillet jo vetëm me vizita por edhe me vepra të mira.

“Sot është ditë e solidaritetit, respektit, mirësisë, paqes dhe mirëkuptimit, andaj uroj që kjo festë të na motivojë për përforcimin e besimit tonë dhe të përcillet jo vetëm me vizita por edhe me vepra të mira. Më lejoni që në emrin tim dhe në emër të Partisë Demokratike Shqiptare, të Ju shpreh urimet më të sinqerta për festën e Kurban Bajramit”, ka shkruar Thaçi në urimin e tij.

Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami uron besimtarët që festa t’i gjejë të bashkuar dhe të lumtur pranë familjeve.

“Kurban Bajrami është festë e sakrificës dhe e përkushtimit njerëzor ndaj njëri-tjetrit, është festë e dashurisë dhe e besimit të pakushtëzuar ndaj Krijuesit të gjithësisë. Le të jemi të gjithë të bashkuar dhe në lartësinë e frymës së festës së Kurban Bajramit, duke kultivuar pandërprerë vlerat më të mira njerëzore. Paçi shëndet e lumturi, Zoti ju bekoftë!”, thekson Kasami në urim.

Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi me rastin e festës ka uruar besimtarët që të kenë një Bajram të mbushur me dashuri, të mbrujtur me ëmbëlsi dhe të thurur me përzemërsi.

“Duke i kujtuar çastet e sakrificës së Ibrahimit a.s., duke shprehur respekt për të gjithë dëshmorët, që kanë sakrifikuar jetën, duke u lutur që Zoti ta ketë pranuar haxhin e të gjithë pelegrinëve të këtij viti, si dhe duke u kujdesur që në këtë ditë të mbretërojë buzëqeshja në secilën sofër të Bajramit, uroj nga zemra të keni një Bajram të mbushur me dashuri, të mbrujtur me ëmbëlsi dhe të thurur me përzemërsi”, thotë Gashi në urim.