Islami është feja më e polemizuar sot në përmasa botërore, është kategori që përflitet nga një sërë profilesh, që nga njeriu i thjeshtë, gazetarët, politikanët, deri te dijetarët dhe katedrat universitare, ndërkohë që esencializmi, stereotipizimi, komentarët ahistorikë dhe sekuritizimi rreth myslimanëve dhe Islamit mbizotërojnë gjithandej. (Sajoo, 2022)
Përmbledhja Çfarë janë studimet islame? (Logos-A) paraqet një tekst të veçantë që ngre stekën e qëmtimit të Islamit si fe, si botëkuptim, mënyrë jetese apo si fakt sociologjik, kapërcen analizat teologjike të mjediseve tona ku ende objekt janë vetëm përmasat doktrinore dhe ritore të kësaj feje globale. Kjo vepër eksploron fushat vibrante, të ndara dhe në zhvillim e sipër të studimeve islame në Europë dhe në Amerikën e Veriut, pra shkoqitjet përtej zonës amë apo kryesore të Islami. Janë artikuj të nëntë autorëve që veprojnë si intelektualë në rajone jashtë Islamikatit apo hapësirave ku myslimanët janë kulturalisht mbizotërues, në Angli dhe në Shtetet e Bashkuara.
Ky koleksion i redaktuar nga Leif Stenberg dhe Philip Wood përbëhet nga nëntë ese/kapituj ku autorët përpiqen që të detektojnë se “çka themi kur flasim” për Islamin si kategori që “në të njëjtën kohë është edhe gjithkund edhe askund, edhe problematike edhe e dobishme” (Hughes), kur studimet islame janë distancuar nga studimet religjioze, prej të cilave mund të përfitojë shumë hulumtimi i Islamit, myslimanëve dhe myslimanisë (muslimness). (Ali, 2023) Punimi vë nën llupë tema që sillen nga gjinia, feminizmi, shekullarizmi, politika e jashtme, migracioni deri te pop muzika dhe shkenca moderne, gjithnjë në korrelacion me Islamin; e njëjta diskuton qasjet historike dhe bashkëkohore në studimet islame nga këndvështrimi i dijetarëve të njohur që merren me Islamin dhe myslimanët si Shahzad Bashir, Hadi Enayat, Juliane Hammer, Aaron Hughes, Carool Kersten, Susanne Olsson dhe Jonas Otterbeck, duke adresuar rolin e myslimanëve dhe jomyslimanëve në sendërtimin e fesë islame. Përveç pikëpamjeve autentike të shkencëtarëve të mësipërm, në këtë punim gjejnë vend edhe kontributet e antropologëve, historianëve dhe njohësve të fesë, përfshirë edhe materiale empirike nga e kaluara dhe e sotmja e Islamit. Islami, si “udhëzuesi sipëror për të gjitha fushat e jetës” (Shielcke, 2010), në këtë drejtim trajtohet edhe si dysi të cilën Fatima Mernissi e shpjegon si “mesazh i vërtetë i Islamit” (islām) dhe “Islam i praktikuar nga myslimanët” (islām risāle).
Në momentumin kur ndodh fenomeni i “objektifikimit të Islamit” (Eickelman & Piscatori, 1996), kur kjo fe është reifikuar apo shndërruar në mall, përveç përfaqësuesve të studimit konfesional, kontribues të shumtë në sferën e islamologjisë janë akademikë në shkenca, mjekësi, shkenca të natyrës dhe inxhinieri, duke e parë atë si një agjent me potencë ideologjike dhe sociologjike. Një horizont që hap ky libër është theksimi se nënshtresa të kulturës islame si etika, letërsia (edeb) dhe arkitektura mund të jenë të rëndësishme sa e drejta islame (fikh).
Ky libër që reflekton studimin dhe mësimin kritik të Islamit dhe që studimet islame i vendos brenda diskutimeve më të gjera mbi sendërtimin e identitetit dhe implikimeve politike (Steinberg, 2023) të këtij religjioni në dy gjeografitë që shënjon nëntitulli, iu dedikohet para së gjithash studiuesve të fesë, teologëve që duan të prodhojnë një teologji tej-statike dhe tej-abstrakte, mësimdhënësve të sociologjisë së religjionit, antropologëve, por edhe gjithë atyre që kanë sens për lexim tjetërfare të fesë dhe Islamit në veçanti.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.